Po tash...? - NACIONALE

Po tash...?

1 vit më parë

nga NACIONALE

Gjergj Meta

Ajo çka ka ndodhur mbrëmë në Prishtinë është shpërfaqje e mjerimit dhe fundosjes së njeriut dhe e shoqërisë tonë. Është si të prekësh fundin dhe të thuash krahëlëshuar: "nuk ka ku të shkojë më keq". Në krye e sosje të çdo arsyetimi, kahdo ta kapësh e ta këqyrësh nuk gjen një përgjigje që të kënaq njëherësh arsyen dhe ndjenjat. Edhe zemërimi që na kaplon në ngjarje kësisoj është një përzjerje midis pafuqisë, revoltës dhe ndjenjave të fajit. Po ashtu askush nuk mund ta ndajë me thikë nëse ky mjerim dhe kjo fundosje janë rezultate të individit, të familjes apo të shoqërisë. Jam i bindur se janë të tria bashkë. E them edhe për të mos hequr përgjegjësinë nga vetja, sado minimale apo e largët të jetë ajo.

Që një shoqëri të ketë një moral, nevojitet një themel metafizik, ku metafizik nuk do të thotë patjetër religjioz, por edhe i tillë, që i ngjan strukturave mbi të cilat ndërtohet një shtëpi. Ka nevojë për "themele e shtylla antisizmike". Po cilat janë themelet e shoqërisë tonë shqiptare? Cilat janë ato principe, parime, të parat gjëra, që ne vendosim në themel të ekzistencës tonë shoqërore dhe individuale?

Shoqëria shqiptare, këndej dhe andej Morinës, ka kaluar nga parimi i "fytyrës", "nderit", "turpit", direkt e pa asnjë ndalesë të ndërmjetme, te parimet kinse moderne të "imazhit", "famës" dhe "fitimit". Janë të dyja ideologji tmerrësisht vdekjeprurëse dhe të përkueshme me njëra-tjetrën edhe pse në kohë të ndryshme. Për "fytyrë","nder" e "turp" shqiptari vret e po ashtu për "imazh", "famë" e "fitim" ai përsëri vret.

Parime si "përgjegjësi", "liri", "e drejtë njerëzore", "dinjitet i njeriut", "përkujdesje", jo vetëm si garniturë, por si motivacione të veprimit moral, janë pothuajse të panjohura e në shumë komunitete specifike objekt përqeshjeje përderi edhe anatemimi.

Fatkeqësisht shoqëria shqiptare nuk ka dëshirë, d.m.th. vullnet, që të përballet me ndryshimin rrënjësor brenda saj e të vendosë në themel të saj respektin për jetën e për çdo jetë, edhe kur tjetri mendon dhe e zhvillon atë në kundërshtim apo ndryshe me ato parime që unë kam. Mendësia përjashtuese, ajo e një progresi babelian, që akumulon babëzisht pushtet dhe fitim, nuk mund t'i bëjë ballë asesi, madje ysht edhe më shumë një mendësi primitive të sundimit të një gjinie mbi një tjetër, të një race mbi një tjetër. Ky është paradoksi: shoqëria moderne shqiptare është një shoqëri primitive e veshur me frak, apo me kostum, me xhinsa dhe atlete, por vetëm në dukje e zhvilluar. Sa shumë do të mund të reflektohej mbi këtë aspekt.

Personi që kreu atë akt me shumë mundësi do të "kalbet" në burg. Por, nëse ne vazhdojmë me të njëjtin ritëm, kundërmimi i asaj kalbjeje do të prekë ashtin e shoqërisë e do të infektojë të tjerë e të tjerë akoma. U ndjemë keq dhe reaguam, sikurse kemi bërë edhe herë të tjera. Por nëse vazhdojmë të sillemi në qerthullin e gardhit tonë "duke i marrë erë" vetëm zemërimit dhe keqardhjes, duke u vetkënaqur se reaguam disi, do të kalbemi si në një burg pa dyer e dritare.

Unë besoj se ka gjithmonë shpresë, sepse thelbi i njeriut është i mirë. Kjo mirësi thelbësore, në duar të duhura, mund të kthehet në një themel e shtyllë mbartëse e një shoqërie të mirë e njerëzore. Mos ta vrasim këtë mirësi, por ta lëmë e ta ndihmojmë të rritet, për ne e për ata që do të vijnë pas nesh.

Lajme të ngjashme