Për drejtësi përtej narrativave e perceptimeve - NACIONALE

Për drejtësi përtej narrativave e perceptimeve

11 muaj më parë

nga Col Mehmeti

Një shoqëri e vogël si kjo e jona, e tejdigjitalizuar si pak të tjera, hapëron mes skajesh. Nga emocionet zbret në sjellje harrestare sikur të mos kishte ndodhur bash asgjë. Drejtësia jashtëgjyqësore është gjëja më e lehtë, ashtu sikurse edhe gjykimi për atë që duket qindpërqind e fajshme. Dhe, po të thuhet e vërteta, sikur jemi të bërë kulturalisht që drejtësinë ta marrim vetë nëpër duar e jo të lejojmë hetues, ekspertë, mjekoligjorë, dëshmitarë, prokurorë e gjykatës. Një i ri iu mbeti në dorë disa policëve, por prapë krahasimi me George Floyd merr në thua. Policia e Kosovës nuk kishte e as nuk ka një histori arbitrariteti në kurriz të qytetarëve. Ka më shumë eksploatim të forcave të rendit për veri-politikë, ajo që e mban gjallë propagandën albinkurtiste me triumfe të rreme e beteja askund të fituara. Ka edhe destabilizim të secilit shtrat shoqëror, pasiguri e prirje për dhunë shkaktuar nga varfëria që solli pushteti lleftist.

Col MEHMETI

Në studimet në fushë mediesh bën sens një koncept që nuk është i akredituar akademikisht, porse është fort i vlefshëm.

Quhet ‘senzacionalizëm i bythëpraptë’, po ta shqipkthenim në mënyrë të lirë reverse sensationalism.

Ai përshkruan tërbimin dhe zemëratën e përgjithshme kundrejt një rasti të caktuar fatal mbështetur mbi informacione të paplota ose aso në zhvillim – të gjitha këto në dritën e një vigjilence dhe vëmendje rrokakrejtëse nga mediet dhe publiku.

Mëpastajshmëria e rastit me fakte e anëpamje të reja, ose edhe fakte jo fort të problematizuar në krye të herës, iu jep një goditje turinjve narrativës dhe perceptimit fillestar.

Është si një lavjerrës që kalon nga deluzioni në deziluzionim.

Historia njëdekadëshe në Kosovë është plot e përplot me raste të mbimediatizuara që në kohën e tyre zgjonin indinjatë të pasosur.

Tërbimi kolektiv vërtet se ka qenë një hosten që ua dha një të shtyrë të mbarë kuajve të shtetit e drejtësisë për t’i trajtuar rastet me vëmendje të shtuar e për të mos lejuar ngadalësi.

Por tërbimi kolektiv nuk domethënë se është një dëshmi më shumë të peshorja ku mblidhen, shqyrtohen e administrohen provat.

Janë do çështje ku nuk vendoset popullorçe me ngritje duarsh e me ulurima.

Dosja D

Le të shërbehemi me rastin që tashmë është bërë cultural touchstone për nga shkalla e shpërdorimit politik e partiak: Dosja Astrit Dehari (ose shkurtimisht le ta quajmë Dosja D).

Në orët e pasditës së 5 nëntorit 2016, ai u gjend pa vetëdije në qelinë A-3 në Burgun e Prizrenit.

Megjithëse fatziut i ofrohet ndihmë mjekësore brenda e jashtë burgut, ai për pak orë vdes.

Një deklarim joprofesional dhe i papërgjegjshëm nga drejtori i Burgut të Prizrenit se i ndjeri kishte shpërdoruar me medikamente e substanca ishte shkarja e parë nga ana institucionale.

Ky sikur u bë kushtrimi që ditëve në vijim partia e cila sot e sundon Kosovën, asokohe një opozitë e dëshpëruar, të shkrehte çdo lloj konspiracioni të egër se demek Astritin e vranë në burg.

Meqë dashtas e padashtas po zgjohej e përfjetura traumë kolektive e kohëve të errëta kur në burgjet e Jugosllavisë të burgosurit shqiptarë gjendeshin të mbytur, kjo për pak javë e krijoi kauzën sesi shteti e pushteti në Kosovë po hiqte qafësh njerëz sa çel e mbyll sytë.

Hetimet serioze e qartësuan gjithçkajen: vërtet që drejtori i Burgut kishte shpifur për përdorim substancash, porse një grup tjetër politik, ai që sundon sot Kosovën domethënë, kishte shpifur e manipuluar qenërisht në gjithçka.

As edhe një gjë në natyrën e provës nuk u gjet deri më sot se të ndjerin e vrau dikush; gjithçka fliste zëshëm se i ndjeri bëri vetëvrasje.

Morali i gjithë kësaj është tejet domethënës.

Edhe instancat shtetërore dinë të shërbejnë keqinformacione, edhe publiku e grupet politike dinë të bëjnë kërdinë me konspiracione të egra.

Për më keq, mediet janë të dënuara t’i bartin me tabaka andej e këndej versionet e dramatis personae.

Kësodore, mediet shpesh rrezikojnë të shkëputen nga traseja e të dalin në lëndinat e stërnishtat e gjyqit medial (trial by media) ose cirkut medial (media circus).

Ndaj ekziston diçka më e mençur sesa të gjitha palët e ato janë hetimet deri në zbardhjen e rastit.

Thonë latinçe “Fiat iustitia, ruat caelum” (Le të ketë drejtësi, makar edhe qielli të shembet!)

VV-ja po bluan të tjera plane…

Policia e Kosovës, në të vërtetë, ia fitoi zgjedhjet Vetëvendosjes.

Pushteti albinkurtist nuk pati nevojë as për punditë, as për ustahë strategjish zgjedhore dhe as për fushata promocionale.

Ishte Policia e Kosovës dhe shfaqja e saj në veri ajo që e plotësoi një nevojë të kahershme për pak demostrim sovranizmi, për pak prani në anën tjetër.

Kjo mbiprani e Policisë së Kosovës në veri e la pjesën tjetër të vendit me prani minimale të forcave të rendit – ky është psehu që gjatë këtyre dy viteve u rrokaqiellëzua si asnjëherë më parë numri i kriminalitetit dhe pasigurisë.

Meqë BE-ja qiti sanksione për filmat e lirë të pushtetit albinkurtist në veri, kryekushti i Perëndimit është që në ato anë të veprojë një polici ‘multi-ethnic’ ashtu si vetë përbërja demografike andej.

Kurti e di fare mirë se sprapsja e policisë monoetnike dhe rikthimi i asaj multietnike, ashtu siç ishte deri në gusht 2023, është një salto mortale për të e trashëgiminë e tij.

Prej vitit të kaluar e deri sivjet, shërbimi informativ serb me ndihmën e disa OJQ-ve serbe e shqiptare e shtyu përpara fushatën që pjesëtarët e Policisë së Kosovës i portretonte si ngacmues seksualë ndaj femrave serbe në veri.

As kryeministri dhe as ministri i tij i Brendshëm nuk patën ngé ose vullnesë ta përgënjeshtronin këtë fushatë keqdashëse.

Përkundrazi, ata i fërkuan duart nga gëzimi sepse me anë të saj e kallajisnin tërheqjen nga veriu edhe si trysni e gjithanshme.

Tani edhe këto rastet e fundit, me të cilat pjesëtarë të caktuar të personelit policor bien keq nga provimi profesional, janë në shërbim të po të njejtës strategji të pushtetit albinkurtist.

Në jetë jo të gjitha gjërat janë të kurdisura me plan. Më shumë ka asofare që shfrytëzohen me plan.

Lajme të ngjashme