Për botin e VV-së, Arlind Manxhuka
Për botin e VV-së, Arlind Manxhuka
Sa herë që emri i tij më shfaqet në rrjetet sociale, më ngjason si një “bot” ose si një profil i rremë, pavarësisht nga fakti që ai mban emër dhe mbiemër, Arlind Manxhuka.
Nëse futeni në profilin e tij, mund të shihni se është i mbushur me reagime ndaj gazetarëve e analistëve dhe ndaj çdokujt që është kritikues ndaj “punës” së Qeverisë Kurti.
Në tentim për t’u dukur autoritet përcaktues se çka është lajm i rremë, ky profil “fake”, që nuk dallon nga profilet false të "progresistëve", këtë e bëri edhe ndaj raportimit tim.
Me të drejtë merret me raportimin e tim e të kolegëve të tjerë, sepse nuk ka punë tjetër “tellalli”, veçse ta mbrojë partinë e të sulmojë këdo që e shqetëson atë.
Më duhet t’i tregoj këtij profili fake që tentimi i tij për etiketimint e lajmit tim si të rremë, është një qasje tendencioze pas të cilës dihet se çka pason.
Megjithatë, përveç kësaj, botit me identitet aksidental të quajtur “zëdhënës” duhet patjetër t’i tregoj që është veç një propagandues që mund të shutohet, kur nuk i duhet më “liderit”.
“LAJM I RREMË - Të gjitha nënat që hapin llogari bankare për të përfituar nga shtesat për fëmijë sikurse edhe pensionistët me rregulloren e re të BQK-së NUK PAGUAJNË MIRËMBAJTJE.” – ishte shkrimi i tij.
- Rregullorja e BQK-së askund nuk parashikon që “nënat që hapin llogari bankare për të përfituar nga shtesat” nuk paguajnë për mirëmbajtje. Kjo rregullore nuk ka favorizime gjinore.
- Rregullorja e BQK-së krijon lehtësime financiare (vetëm pas 1 janarit 2024) për kategoritë e cenueshme (shih foton në fund të tekstit), pra as në këtë kategori nuk mund të jenë të gjitha 90 mijë gratë që kanë hapur llogari bankare e me të cilat po mburret VV-ja.
- Këta nuk i kuptojnë as vendimet e tyre, pasi Manxhuka, duke e cituar ministrin Hekuran Murati, tentoi që ta mbronte propagandën e tij, duke thënë se gratë mirëmbajtjen e xhirollogarisë e kanë falas ose jo më shumë se 0,54 euro.
- Pra, përsëri, gratë duhet të paguajnë dhe nuk është krejt falas e as nuk do ta kenë kurrë falas, sepse nuk mund të jetë kategori e cenueshme një grua apo një burrë që ka një vend të punës dhe një pagë mesatare të vendit tonë.
- Propaganduesit të VV-së duhet t’i tregoj që kjo gjë mund të bëhet vetëm me ligj të veçantë nga ministri të cilin e citon, por ministrit nuk iu ka kujtuar që t’i shtojë përfituesit e shtesave që të kenë lehtësime.
Disa llogaritje për “botin” që nuk i kupton:
Nëse bankat për mirëmbajtje marrin jo më shumë se 0,54 euro, atëherë, për 90 mijë xhirollogari bazike, del që fitimi i bankave në muaj do të jetë 48 mijë e 600 euro, ndërsa në vit 583 mijë euro.
Nëse mirëmbajtja kushton 1 euro për xhirollogaritë që nuk janë bazike, atëherë fitimi i bankave është 90 mijë euro në muaj e mbi 1 milion euro në vit.
Dyshoj që “boti” i VV-së mund t’i lexojë këto të dhëna, por e ftoj që të përmbahet nga etiketimet e sulmet e tilla.
Botit i bëj thirrje që ta programojë në sistemin e tij kompjuterik e imagjinar shtimin e shkrimeve për “punët” që po i bën Qeveria, para se të shitet autoritet përcaktues për shkrimet e gazetarëve.
