Paqja vjen kur i forti lëshon pe
Shkruan: Gazmend Demolli
Vatrat e konflikteve kanë një gjë të përbashkët: herë njëra e herë tjetra palë kalon në një pozitë të forcës – herë morale, herë politike, herë strategjike ose kohore. Bota e shikon herë njërin e herë tjetrin si viktimë, herë njërin e herë tjetrin si shtypës. Nga i drejti bëhet i padrejtë. Dhe anasjelltas. Një herë i mirë dhe aleat, herën tjetër qortohet, sanksionohet. Palët në konflikt përdorin forma të ndryshme të komunikimit për ta paraqitur palën tjetër në anën më negative të mundshme, me synim kalimin në pozicionin e forcës morale në sytë e botës.
Pozita e forcës arrihet edhe duke qenë dhe qëndruar i drejtë, vazhdueshmërisht me punë pozitive, partneritete e principe të cilat e afirmojnë drejtësinë, lirinë dhe paqen.
Por, a është keqpërdorimi arrogant i pozitës së forcës ai që shpie në humbjen e asaj pozite? Çfarë duhet të bëjmë kur jemi në pozita të avancuara të pushteteve morale dhe politike?
Në vatrat e krizave dhe konflikteve permanente, palët që në një periudhë kohore gjenden në situatë të tillë e përdorin për ta fortifikuar pozicionin e tyre, për t’u munduar të përfitojnë, thënë kushtimisht, dhe rrallë lëshojnë pe. Presin që Tjetri në pozitë të palakmueshme të zmbrapset nga kërkesat dhe të bindet. Mirëpo, kjo nuk ndodh. Ndodh zakonisht një status quo deri në ndryshimin e pozitave.
Kështu thonë edhe librat, edhe logjika. Por.
Për paqen, i forti duhet të lëshojë pe. Ai që është në të drejtën e tij morale, politike, historike. Pikërisht ai. Për paqen.
Nëse hapim rrugë atëherë kur jemi në avantazh, sakrifikojmë më pak sesa kur nuk jemi. Kemi shumë mundësi t’i konceptualizojmë kushtet e reja në mënyrë të drejtë, pa i prekur tej mase gjërat që s’kemi dëshirë t’i ndryshojmë. Një situatë e re, ku fitorja e palës që ofron kompromise pragmatike është e qëndrueshme dhe e drejtë, për dallim nga dobitë tashmë të përcaktuara të palës që duhet t’i pranojë ato.
Kohëve të fundit, nga perspektiva gjeopolitike, pozita e Qeverisë së Kosovës në raport me komunitetin serb në Kosovë ka osciluar shumë: herë viktimë, herë neutrale, herë-herë kishte imazh negativ. Dalja e serbëve nga institucionet lokale në katër komunat veriore ishte gabim i përfaqësuesve të këtij komuniteti. Zgjedhjet e ri-organizuara u bojkotuan prej tyre dhe, si rrjedhojë, në komuna u zgjodhën kryetarë me shumë pak vota. Edhe pas premtimeve të krerëve të shtetit se do të ketë zgjedhje tjera, kjo situatë nuk u përmirësua dhe marrëdhëniet me komunitetin serb u përkeqësuan. Kosova u sanksionua ekonomikisht dhe politikisht për mungesën e vullnetit të zgjidhjes së situatës. Pra, ishim në një pozitë të dobët politike, edhe pse gabimet nuk ishin tonat. Përkundër përpjekjeve të dëshmuara të rreshtimit pro-perëndimor, pro-ukrainas, pro-pro.
Sulmi terrorist i grupit paramilitar serb dhe lidhjet e dëshmuara shtetërore, ndërsa në anën tjetër sjellja profesionale e policisë sonë dhe gjithë zinxhirit komandues, e rikthyen Kosovën në një pozitë të forcës në arenën ndërkombëtare vis-à-vis Qeverisë së Serbisë, Listës Serbe, përfaqësuesve të komunitetit serb. Dukshëm. Në të gjitha dimensionet ata humbën shumë.
Sot, e gjendur në pozitë të favorshme morale, politike dhe strategjike, i takon Qeverisë së Kosovës të bëjë hapa të sinqertë drejt përmirësimit të marrëdhënieve me komunitetin serb në Kosovë. Duke filluar nga organizimi i shpejtë i zgjedhjeve në komunat veriore, por edhe krijimin e mundësive për t’i rikthyer në punë ata që në mënyrë demonstrative i kanë lëshuar vendet e tyre në polici, në gjyqësi, administratë dhe institucionet tjera lokale.
Sot, Kryeministrit Kurti i takon të ofrojë një zgjidhje realiste politike për statutin e Asociacionit të Komunave të Kosovës me Shumicë Serbe. Sot është më lehtë të konceptohet një zgjidhje e drejtë, e cila do të ishte e pranueshme nga komuniteti dhe e qëndrueshme në kohë.
Nëse kjo periudhë relative e të gjendurit në pozitë të favorshme politike shfrytëzohet vetëm për status quo, pa zgjidhur asnjë problem, pa shkuar para në asnjë çështje, atëherë shihemi në ciklin tjetër. Atëherë kur prapë do të jemi në pozitë të palakmueshme, nën presion, nën trysni, zhgënjyeshëm të shikuar ngrysur dhe shtrembër nga miqtë.
Vitet po shkojnë.