Një takim i beftë
Para nja dy tre ditësh po kaloja në Pedonale, me dy miq të mi. I pavëmendshëm në atë farë zallamahie, kur shoh përballë Agron Shehajn.
Hëmmmm, kisha nja një vit e ca pa e takuar. Herën e fundit kur u pamë, folëm për idenë e tij politike.
“Duhet të bëheni të gjithë bashkë ju të rinjtë” -i thashë.
Aso kohe kisha një simpati për Lapajn por edhe për Endrin, Shabanin, e kisha bërë edhe publike. Agroni nuk kishte dalë akoma në skenë si Parti e re. Më pëlqente t’i shihja bashkë, mendoja se copëzimi i tyre do i nxirrte duarbosh. Edhe tani e di që do t'i dëmtojë.
Goni kishte tjetër këndvështrim. Kishte të bënte me identitetine tij politik të ndryshëm nga ata dhe me disa hije dyshimi, gati konspirative për të tjerët.
Ia thashë mospajtimin dhe një vakum mbeti mes nesh. Qysh atëherë nuk u pamë më.
Idetë e tij të atëhershme për Lapajn i bëri publike në një debat të fortë mes tyre. Debat që më la një shije të keqe, vogëlsie, grindavece. Mbajta edhe qëndrim (se unë vazhdimisht mbaj qëndrime 😊).
Ky ishte konteksti i takimit.
Tani përballja e fundit. I zgjatëm dorën njëri tjetrit si dy të njohur të vjetër por edhe pak qejfmbetur:
“Të kam ndjekur” – më tha Agroni me një buzëqeshje pak habitore por edhe zhgënjyese në portret.
“Edhe unë të kam ndjekur” – iu shpreha unë në një mënyrë adekuate, gati inatçore.
Ndenjëm edhe nja një minutë duke folur për gjëra dytësore dhe u ndamë.
******
Unë e kam pasë mbështetë Agronin për të qenë Kryetar i PD-së qysh në 2019-ën, në vend të Lulzim Bashës. Ka qenë një shkrim i hapur, publik që i pat sjellë jo pak telashe Gones. Aso kohe nuk e njihja fare, përvec daljeve publike. E kam mbështetur edhe në kandidimin fiktiv të 2021-shit përballë Bashës.
Por atë konkurim e fitoi Berisha.
Dikur u takuam dhe më tregoi se si ishte linçuar nga servilët e Lulit dhe Luli vetë, medemek e ka porositë ai shkrimin dhe unë e paskam shkruar.
Kur u takuam e pyeta: “Po sikur ta dije që do e shkruaja a do të ishe dakort”?
-“Jo”- më tha shkurt.
-“Domethënë kam bërë gabim që e shkrova”?
-“ Jo, ti ke thënë atë që mendoje” - më tha.
Më erdhi mirë.
Zbulova që kishte jo vetëm integritet por edhe ambicie. Në politikë një qenie pa ambicie është militant. Militantët janë të mrekullueshëm por për Kryetarin jo ër kundërshtarët e tij
Ky ishte takimi i parë me të. Më vonë jam takuar edhe ndonëjherë tjetër, edhe kemi shkëmbyer ndonjë sms për shkrime të caktuara.
Nejse.
Gjithmonë e kam pasë njëfarë simpatie të rezervuar për të. Më pëlqente më së shumti fakti që i ka bërë paratë në Perëndim, atje ku shanset janë më të barabarta, atje ku mund t’ia dalësh me punë dhe jo me njohje. Ky fakt i jepte Gonit një bonus shtesë në raport me të tjerët. Më pëlqente që e kishte nisur nga zero, më tregoi që kam punuar kamarier psh (duhet thënë që një nga ëndërrat e mia të adoleshencës ishte të punja kamarier në pushime verore, nuk më dukej aq keq. Por ishin kohë të tjera ato…)
Mua më pëlqen edhe retorika politike e Shabanit, energjia e Lapajt dhe isha i pavendosur.
Por u ndikova nga ai takim i beftë. Shehaj ka të meta në artikulim por është i ndershëm, denoncues, kurajoz. Është shumë e vështirë, për të mos thënë e pamundur të çash murin e përbashkët të betonit që kanë ndërtuar dy Partitë kryesore. Në thelb ato mbajnë njëra tjetrën qysh nga Prilli i 2008-ës.
Unë ia njoh Agronit një nga denoncimet më të mëdha që është bërë ndonjëherë në Shqipëri, atë të Unazës së Tiranës, ku një recepsionist hoteli, gjasme filial i një kompanie amerikane fantazmë, kishte fituar një tender 20 milionë!
Ishte Agroni që me kurajo vërtetoi në Televizion që ajo aferë është korrupsion i pastër mes një oligarku dhe Qeverisë. Shkoi deri në rrënjë të vjedhjes, në Delawere të USA-s për të vërtetuar falsitetin.
Nuk ka marrë tendera korruptivë, nuk ka bërë kompromise të detyruara nga mbijetesa. Në mënyrë jo fort të zëshme ka ndihmuar kauzën e të persekutuarve politikë dhe të njerëzve në nevojë. Nuk është Messia sigurisht, bën edhe gabime.
Por mes garuesve është më i ndershmi dhe personi më me integritet. Kjo sipas meje.
Unë do ia jap votën Gonit këtë radhë. E di që do zhgënjej ndonjë tjetër që gjithashtu ka simpatinë time. Por në fund të fundit, një votë kam dhe do t’ia jap atij që unë mendoj se është më i ndershmi, më i provuari, më me integritet dhe më konseguenti kundër kësaj Qeverie.