Shpërthimi servil i Batonit - NACIONALE

Shpërthimi servil i Batonit

1 vit më parë

nga Ermal Mulosmani

Të gjithë e njohim Batonin. Pas Fevzos është më i njohuri personazh i debatit publik në Shqipëri. Ai ia kalon për nga popullariteti edhe politikanëve kryesorë të Kosovës, yjeve të showbizit, këngëtarëve, sportistëve. Lëre pastaj shkrimtarëve që këtu i njohim vetëm nëse vijnë nga showbizi. Për pasojë. Fjala vjen Fevzo, Albatrosi, Elhaidi, Blushi e këta.

Shkruan: Ermal Mulosmani

Por Bato prej kohësh nuk është më i pari. Entuziasmi konstant për qeverisjen e Kryeminsitrit Rama kishte kohë që ishte tretur nga diskursi i tij. Nën zë disa kolegë përflitnin një largim të Batos nga vëmendja kryeministrore, të tjerë flisnin për qejfmbetje...

Por kjo ishte një situatë e sforcuar. Të gjithë e dinim që ishte çështje kohe derisa të shihnim dorëzimin pa kushte të apostullit ndaj idhullit të tij. Batoni e dashuron Edi Ramën. Nuk është vetëm çështje interesash, shkon përtej tyre. Si çdo dashuri pasionante që tejkalon zonën e arsyes, edhe kjo e Batos kalon nëpër përçartje emocionale.

Ja çka bërë sot mavriu.

Së pari shkroi një titull delirant: "Edi Rama dhe Shija e Shtetit të Ri".

Më kapi gazi. Mu kujtuan shkrimet e Ramës së para 30 viteve, përdorimi i paarsyeshëm dhe me tepri i gërmës së madhe për fjalë që gramatika i parasheh ndryshe. Sigurisht duhej të shkruante me gërma të mëdha "Shija", "Shtetit" dhe "Ri" për të imituar liderin. Më kapi gazi sapo e pashë. Ishte e qartë se çfarë do të gjeja brenda.

Mezi prita ta lexoja.

Pasi shprehte mahnitjen e tij për performancën spektakolare të Kryeministrit në paraqitjen e programit, Bato shtronte pyetjen kryesore, dilemën që po e linte pa gjumë:

"A mundet koha e gjatë në pushtet të mos jetë mallkim por një mundësi për një rilindje të thellë të shtetit"?

Absolutisht "po" më erdhi nga shpirti. Madje sa më e gjatë periudha në pushtet aq më e mirë rilindja! Çfarë mallkimi more ajo është Bekim! Zgjedhjet në vetvete kthehen në problematike, populli mund të gabojë, mund t'ia japë regresit votën! Votën regresit kur jemi kaq afër finales?! Mund t'i lihet popullit injorant një vendim kaq i rëndësishëm? Absolutisht jo!

Ky popull nuk është në nivelin e shijeve estetike të Shefit të tij. Paraqitja prej CEO-je vizionar i Kryeministrit, imazhi modern, artikulimi brilant dhe sidomos Shija e tij, estetika e tij tri orëshe, e kishte bindur Baton për kotësinë absolute të zgjedhjeve!

Çkuptim ka që, tani, sapo Shqipëria e gjeti njeriun e duhur, sapo Evropa po na pranon jo më si telash gjeografik por si njerëz të emancipuar, ne të ndërrojmë Timonierin?!

Dhe Bato shtron pyetjen e dytë:

"Çfarë vlere ka të kërkosh rotacion në emër të rotacionit kur ai që është në pushtet ofron një vizion të artikuluar, të matshëm dhe të afërt me horizontin evropian që kanë pritur me dekada?"

Kur e lexova këtë pyetje, ohh, nuk e shpjegoj dot ndjesinë!

Ndërtimi i një retorike të tillë shkon përtej qesharakes. Ajo është fatkeqe për atë që e thotë. Tregon për gjendjen e rënduar emocionale të shkruesit dhe për domosdoshmërinë e konsultimit me një psikolog. Mu kujtua retorika komuniste që përtall Milan Kundera në Çekinë e viteve 50-të.

Kundera e quan programin madhështor që kishte mahnitur Çekinë në vitet 50 si një idil për të gjithë, si një "kopsht ku këndojnë bilbilat" dhe prej të cilit vetëm budallenjtë kërkojnë të ikin. Dhe kur dikush qesh me këtë ide parajse ideatorët habiten. Si mund të ketë njerëz që duan të ikin nga kopshti ku këndojnë bilbat, nga ky idil i parajsës?

Si mundet që dikush të qeshë me idilin e bilbilave, me Shijen evropiane të CEO-s që i vjen një vendi kaq të vogël një herë në jetë?

Duket si një preokupim madhor i Batos ndërgjegjësimi për rëndësinë e shijes dhe estetikës në rilindjen evropiane të kombit. Madje, duket sikur varfëria, korrupsioni enorm, diferencimi gjeografik mes popullatës, qendërzimi i frikshëm i pushtetit janë disa cene të vogla përballë shijes së lartë estetike të Kryeministrit.

Fakti që Kryebashkiaku më i rëndësishëm i Shqipërisë dhe të gjithë Drejtorët e rëndësishëm të saj janë kapur duke vjedhur me skemë mafioze fondet e Bashkisë; që Zëvendëskryeministri dhe Ministri kryesor i Qeverisë ësht në arrati si hajdut i kërkuar nga drejtësia, që Ministri më i suksesshëm i Brendshëm është dënuar si një mafioz që bashkëpunon me trafikantë ndërkombëtar narkotikësh, që deputetë të caktuar janë vërtetuar si të caktuar nga krimi shihen si të parëndësishme përpara Shijes dhe Estetikës kryeministrore.

Ja si i sheh këto gjëra Bato:

"Madje edhe çështjet e korrupsionit, që janë reale dhe po trajtohen nga SPAK, nuk arrijnë të njollosin këtë pamje të përgjithshme sepse ajo që shfaqi sot është më shumë se një qeveri, është një ide e re për Shqipërinë"

Hahahhaa...Fjalimi programatik pas 12 vjetëve qeverisjeje, është më i rëndësishme se korrupsioni galopant i figurave qendrore të kësaj qeverisjeje!

Fakti që Rama ka ndërtuar drejtësinë e re dhe po ndëshkon edhe të vetët është meritë e tij që askush nuk ia mohon.
Por kur të kapen në korrupsion galopant ministra, deputetë, kryebashkiakë, figura qendrore të Qeverisjes, të mbetet pak për tu mburrur për Reformën më Drejtësi.

I gjithë shkrimi notonte në ujëra të tilla patetike dhe mediokre. Mjafton të them që në një shkrim me ndoshta 1000 fjalë kishte mbi 50 herë fjalën Shije dhe estetikë. Një inferioritet përulës e adhurim deri në idolatri shoqërohej me injorim dhe relativizim të frikshëm të halleve të njerëzve, të pakënaqësive, padrejtësive, korrupsionit, megallomanisë, autoritarizmit dhe arrogancës.

Dhe për ti bënë vulën gjithçkaje vinte paragrafini fundit:

"Prandaj dilema ime nuk është a duhet të ketë një mandat të katërt por a ka dikush tjetër që mund ti japë Shqipërisë këtë shije"?!

Ohhh, po kur të vdesë ai çfarë do të bëjmë...

(Bashkangjitur vura ato paragrafe që citova nga shkrimi qesharak i Batos)

Lajme të ngjashme