Maskrat në Beograd: Të shohësh veten në pasqyrë - NACIONALE

Maskrat në Beograd: Të shohësh veten në pasqyrë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Autor: Jelena Bulajiq

“Flisni me fëmijët tuaj”, shkruan në mesazhin në anën e majtë përballë shkollës fillore “Vladislav Ribnikar” në Beograd, ku një djalë vrau tetë moshatarë dhe një rojtar. Qirinj dhe lule për viktimat dhe në shikim të parë një këshillë tejet e thjeshtë për të mbijetuarit. Dhe të flasësh kurrë s’është kollaj, veçanërisht kur e tërë bota po shembet para teje.

Pse pati armë në shtëpinë e tij? Pse janë ato në afërsinë e një të mituri? Si bëhet që një djalosh të dijë të përdor armën? Si i bëri koktej mollotovi dhe plan likuidimi? Por, edhe nga i erdhi kjo ide se një akt i këtillë është zgjidhja e njëmendtë për problemet e tij, çfarëdo qofshin ato, në kokët e tij fëmijërore? Fatkeqësisht, askush prej nesh s’kemi përgjigje për këto.

Ka të shumtë që besojnë se dinë çka të bëjnë dhe si t’ia bëjnë me fëmijët dhe prindërit, me shkollën dhe sistemin. E vetmja çështje kyçe është se ku paskan qenë deri më tash, sepse nuk jemi futur në këtë udhë të keqe përmes një kthese të gabuar. Ka hapa të gjatë dhe të shumtë që ne si shoqëri i kemi marrë për të gjurmuat këtë rrugë të gabuar në të cilën jemi.

A e mbani mend mësuesen në Trstenik, studentët e të cilës ia rrëzuan karrigen, filmuan gjithçka dhe e poshtëruan publikisht, ose atë në Smederevska Planka, që ia preu fytyrën me thikë një nxënës? Ose rastet e shumta të dhunës nga nxënësit, përfshirë Aleksan e vogël nga Nishi? A ju kujtohet? Diçka përmes mjegullës. Dhe, mëpastaj, me frazat e famshme se do të kishin ditur ç’të bënit. Pastaj, mbase siç edhe bëni tash, harroni gjithçka të bindur se nuk ju ndodh juve dhe fëmijve tuaj.

Mirëpo të dashurit e mi, e keni gabim. Ata janë të gjithë fëmijët tanë dhe gjithçka që u ndodh atyre është fatkeqësi e jona e përbashkët. Fëmijët që u vranë janë fëmijët tanë të cilët s’janë më, dhe të mbijetuarit janë fëmijët tanë që do t’u duhet të mësojnë të jetën nëpër ferrin që përjetuan.

Këta të vegjël rriten duke na dëgjuar kah bërtasim teksa pretendojnë të jemi duke biseduar, kur është e qartë se asnjëri nuk mundemi e as nuk duam të dëgjojmë se çfarë ka për të thënë tjetri. Po, këta janë fëmijët tanë, të arsimuar përmes “fermave” dhe “kooperativave” të ndryshme.

Ne kemi paguar për faktin se kemi lejuar cirkun shumë-vitësh parlamentar, ku gjithçka lejohet për hir të të dalur më mirë në sondazhe dhe qëndrimit në pushtet, saqë është bërë normaliteti i skenës politike. Relativizimi i përgjithshëm i gjithçkaje dhe mohimi absolut i gjithçkaje tashmë na ka kapluar.

Ne jemi në telashe sepse nuk i kemi trajtuar shkaqet e vërteta të dhunës në shoqëri dhe s’jemi të gatshëm të marrin përgjegjësi për veprimet tona. Kurrë nuk i kemi pranuar gabimet dhe krimet e së kaluarës, as si individë e as si shoqëri. Gjithmonë ka qenë faji i dikujt tjetër, “tjetrit” imagjinar, që na parandalonte gjithmonë të jemi më të mirët, më të bukurit dhe më të suksesshmit, që na shkatërronte vendin, shoqërinë, dhe përfundimisht fëmijtë tanë. Dhe tash jemi të tërbuar me të, dhe e dimë se si do ta kishim bërë më mirë, vetëm po të na linin.

Mos drejtoni gishtat kah tjerët, por vendosni gishtin në ballë. Asgjë nuk do të ndërrojë derisa nuk e shohim veten në pasqyrë dhe të pranojnë të gjitha shenjat e plagëve dhe gabimet, derisa të shohim se edhe ne jemi “tjetri” për dikë tjetër, që duhet të dëgjohet dhe të bisedohet me të.

Prandaj këto ditë, derisa mërzia na pikon përmes udhëve të qytetit, provoni të flisni, edhe kur jeni të inatosur, me miqtë, edhe kur s’pajtoheni, me fqinjët, edhe kur janë të zymtë...

Por, flisni përnjëmend, duke dëgjuar se çfarë “tjetri” ka për të thënë.

Lajme të ngjashme