Letërsia si dëshmitare e ferrit te diktaturës - NACIONALE

Letërsia si dëshmitare e ferrit te diktaturës

1 vit më parë

nga NACIONALE

Shkruan: Afrim Kasolli

Kultura shqiptare sot feston dhe nderon 87 vjetorin e lindjes së shkrimtarit të madh Ismail Kadare. Këtë jetëshkrim të jashtëzakonshëm e ka karakterizuar mbi gjysmë shekulli krijimtari letrare. Me anë të këtij prodhimi sublim, gjeniu ynë i letrave ia ka siguruar letërsisë sonë dhe vetes një vend të lavdishëm në krenajat letërsisë botërore.

Opusi i veprave të Ismail Kadaresë mbetet i shumëfishtë. Ai përfshin krijime që nga poezia, sprovat e ndryshme letrare, shkrimet publicistike në të cilat më shumë janë shpalosur shestimet, brengat dhe ankthet e shkrimtarit për fatin politik të vendit dhe kombit të tij, me theks të veçantë zhvillimet në Kosovë, dhe, më kryesorja, romanet. Janë këto të fundit që e kanë zënë vendin qendror në universin e tij, si dhe e kurorëzuan mbretërimin e tij të përhershëm letrar sot e kësaj dite.

“Misteri” i këtyre krijimeve unike shtohet edhe më shumë, sidomos kur dihet fakti se pjesa më e madhe e tyre u shkruan në një kohë kur dominonte një armiqësi ideologjike dhe politike ndaj letërsisë në përgjithësi dhe romanit si gjini estetike në veçanti; kur aparati i regjimit stalinist të Enver Hoxhës, që dominoi për mbi 40 vjet, kishte tentuar ta shndërronte romanin vetëm në një prodhim serik propagandistik dhe në mjet për ta glorifikuar shtypjen totalitare.

Ismail Kadare e filloi karrierën e tij prej shkrimtari pikërisht në këto kohë të pamundësive. Mirëpo, me një mjeshtëri të jashtëzakonshme, ia doli që ta ruante vlerën e brendshme të letërsisë dhe thesaret e saj përkundrejt shtypjes së jashtme. Madje, për më tepër, me anë të krijimeve të tij, arriti që t’i ndriçojë pikërisht mekanizmat e brendshëm shtypës të këtij sistemi të paprecedent në histori. Kështu, disa nga romanet e tij janë një pasqyrim brilant i skëterrës së kësaj bote të përçudnuar dhe makabre.

Shkrimtari dhe diktatura

Peshën ndrydhëse psikologjike, shpirtërore dhe mendore që ushtron diktatura mbi shkrimtarin, Ismail Kadare askund s’e ka portretizuar më mirë sesa në veprën “Uragani i ndërprerë – ardhja e Migjenit në letërsinë shqipe”. Ndonëse ky raport bizar është zhvendosur në një kohë tjetër dhe me qëllim që të pasqyrohen krajatat, ankthet, traumat dhe ballafaqimet e Migjenit me sistemin autoritar të kohës, shihet qartë se në ato faqe magjike është pikturuar edhe fati i tij personal. Madje është gavruar jeta e çdo shkrimtari të mirëfilltë që është i detyruar ta ushtrojë “zejen” e tij në kushte të tilla, kur nocionet “letërsi dhe flijim” bëhen thuajse identike.

“Në rende të tilla të frikshme”, thotë Kadare, “vetë të qenët shkrimtar përbën një faj zanafillor”. Pra, i nxitur nga pasioni për artin, besimi në një ide, apo në një iluzion, ai është “bërë shkrimtar në një orë të ligë dhe një kohë të papërshtatshme”. Mallkimi i tij qëndron në këtë paradoks. Sepse, edhe po të dojë të tërhiqet në kullën e tij të fildishtë, të ekskomunikohet nga bota dhe shoqëria e të jetojë i zhytur vetëm në universin e tij shpirtëror, ai nuk do të mund ta bëjë këtë. Pra, me një fjalë, “nuk i mbetet asnjë mundësi për t’u kthyer pas, për t’u tjetërsuar”. Në këtë kontekst, ai është “fatalisht i dënuar” të jetë ai që është. Shkrimtari më shumë se çdokush tjetër “përjashtohet nga luksi i heshtjes, sepse mekanizmi i diktaturës i rri vazhdimisht mbi krye për ta bërë të flasë.”

Dhe, kuptohet, çka kërkon diktatura se si ai duhet të flasë. Ky navigim ndërmjet presioneve të diktaturës që ka nevojë për pudrosje, amnezi, enigmë dhe kultivim të kultit të saj si dhe detyrimeve të brendshme shpirtërore që i imponon ideja e artit, e formojnë arenën ku zhvillohet beteja jetësore e krijuesit në këto rrethana tragjike.

Këtë detyrim të shkrimtarëve për të shkruar sa më shumë për interesat, prirjet, ideologjinë dhe “mrekullitë mesianike” të sistemit komunist totalitar e ka analizuar po ashtu në mënyrë gjeniale shkrimtari i njohur Milan Kundera. Në veprën e tij monumentale “Arti i Romanit”, ai ka treguar se si romani ishte i papajtueshëm me universin totalitar. Ky regjim i trembej më shumë se asgjë tjetër këtij zhanri të fuqishëm. Sepse vlera e tij ishte themeluar mbi afirmimin e “relativitetit dhe ambiguitetin e dukurive njerëzore”, standarde këto që nuk ishin në sinkron me dogmat fanatike të “domosdoshmërisë historike”. E vërteta totalitare, pohon shkrimtari i njohur çek, “e përjashton relativitetin, dyshimin, pyetjen, dhe ajo nuk mund, asnjëherë, të këshillohet me atë që do ta quaja ndërgjegjja e romanit”. Mirëpo, në vend se ta zhdukë plotësisht si veprimtari, regjimi stalinist ishte përkujdesur për diçka tjetër. Ta shtrembërojë misionin e tij. Prandaj edhe në ato kohë u “botuan qindra dhe mijëra romane me tirazhe të jashtëzakonshme”.

Por, shumica prej tyre nuk kanë ofruar asnjë vlerë fisnikerie, sepse ato “nuk e kanë çuar më tej zbulimin e qenies. Nuk e kanë ndriçuar asnjë dimension të ri të saj, kanë pohuar vetëm atë që ishte e njohur, duke u marrë kryesisht me arsyen e qenies. Me veprat e tyre romancierët nuk zbuluan asgjë të re nga universi njerëzor”.

Presione të tilla të diktaturës mbi artin në përgjithësi dhe letërsinë në veçanti, po ashtu i ka ndriçuar në mënyrë të jashtëzakonshme, vetë Ismail Kadare, në fjalimin e mbajtur në një forum botëror të letërsisë në Munih, më 22 mars 1992 me titull, “A i është dashur letërsia botës”? Kështu, sipas Ismail Kadares, në dallim nga modelet tjera shtypëse që i detyronin shkrimtarët të iknin nga vendi i tyre, sikur se rasti i Eskilit, apo me internimin e tyre, sikur se në rastin e Ovidit, rendi komunist, megjithatë më shumë së çdo rend tjetër e kishte marrë seriozisht luftën kundër letërsisë. Komunizmi dhe letërsia e vërtetë s’mund të bashkëjetonin kurrë. Qëndrimi mohues ndaj letërsisë nuk është deformim i mëvonshëm. Ai është në gjenezën e komunizmit. Dhe ky sistem totalitar e kuptoi, se jo “asgjësimi i letërsisë vetëm nëpërmjet terrorit, por vetasgjësimi i letërsisë do të ishte zgjidhje e plotë e problemit”. Kështu “vetëcensurën, këtë sëmundje shekullore, me të cilën letërsia qe ndeshur edhe më parë dhe që në një mënyrë ose në një tjetër e kishte kapërcyer, komunizmi u përpoq ta kthente në murtajë. Dhe ai arriti, në njëfarë mënyre, ta bënte këtë. Mijëra shkrimtarë, kryesisht mediokër, e rrethonin nga të gjitha anët tempullin e letërsisë. Numri i tyre shtohej çdo ditë në atë masë që numri i shkrimtarëve të vërtetë, të atyre që përpiqeshin të mbanin gjallë zjarrin e shenjtë, sa vinte pakësohej.

Këtë klimë vrastare për imagjinatën letrare që e impononte sistemi, pohon Ismail Kadare, në një intervistë të mëhershme në emisionin Opinion, e kishte detektuar edhe vetë gjatë studimeve në Moskë. Të gjithë shkrimtarët zyrtarë të kohës u ngjanin apartçikëve partiakë, pohon ai. Madje, vazhdon Kadare, në atë kohë i humba edhe shpresat se letërsia mund të ofrojë diçka të qenësishme për ta interpretuar botën, shoqërinë, njeriun e tij. U poshtova nga një rezignim i pashoq. Sepse shkrimtarët që takoja, e që ishin të privilegjuarit e regjimit, nuk ishin asgjë më shumë sesa një kastë propagandistike e tij. Kurse ata që nuk i ishin nënshtruar këtij rregulli neveritës dhe rrëgjues për letërsinë ishin mënjanuar totalisht nga jeta kulturore sikurse Boris Pasternak, apo ishin degdisur në kampet e vdekjes sikur se, Anna Akmhmatova apo Osip Mandelstam.

Dhe këto presione të tilla zgavëruese për letërsinë rëndonin edhe mbi shpatullat krijuese të Kadaresë. Mirëpo, gjeniu i letrave shqipe, pikërisht në atë kohë e pasuroi letërsinë tonë dhe veçanërisht romanin me vlera të jashtëzakonshme novatore. Madje, siç thamë, duke i “çmontuar” edhe mekanizmat e brendshëm të diktaturës. Duke treguar peshën e saj të egër shtypëse.

Dhe këtu nuk duhet harruar faktin se sistemi totalitar ishte i paprecedent si regjim politik. Këtë karakter e kishte pikasur me të drejtë edhe Hannah Arendti në librin e saj të njohur “The Origins of Totalitarianism”. Sipas kësaj teoricieneje të spikatur të mendimit politik bashkëkohor, gjykimi, vlerësimi dhe definimi i këtij regjimi nuk mund të bëhej mbi bazën e kategorive tradicionale të mendimit politik, të cilat datojnë që nga koha e Platonit dhe Aristotelit, sikurse janë tirania, demokracia, aristokracia etj., sepse me triumfin e këtij fenomeni politik po ashtu kishte kolapsuar edhe ajo trashëgimi.

Në këtë kontekst, një kontribut të rëndësishëm në të kuptuarit e këtij zhvillimi pa mëdyshje se e ka dhënë Kadare. Ai na ka ofruar një sërë kategorish, nocionesh, temash dhe metaforash letrare të panjohura te shkrimtarët e tjerë, për ta analizuar botën totalitare. Dhe këtu qëndron veçantia e tij. Me anë të romaneve si “Pallati i Ëndrrave”, “Shkaba”, “Vajza e Agamenonit”, “Piramida”, “Qorrfermani” etj., e ka kryer këtë mision. Le të kujtojmë këtu vetëm nocionin psikologjik të zhdrivillimit të ëndrrave që zë një vend qendror në veprën “Pallati i Ëndrrave”. Si e tillë ajo përbën matricën e “nëndheshme” mbi të cilën ka operuar ai regjim. Lirisht mund të themi se nuk ka tejqyrë më të spikatur sesa opusi letrar i Ismail Kadaresë për ta zbërthyer përkitjen makabre ndërmjet shtypjes, terrorit dhe propagandës ideologjike të asaj bote.

Si t’i lexojmë veprat e Ismail Kadaresë?

Shumë nga krijimet e Ismail Kadaresë janë të zhvendosura në kohë. Pjesa më e madhe e ngjarjeve të prezantuara në këto vepra zhvillohen në Perandorinë Osmane, por edhe në Egjiptin e lashtë apo Greqinë antike. Prandaj, vetvetiu imponohet pyetja a duhet t’i lexojmë këto vepra vetëm si trillime letrare me tematikë historike apo edhe si një paralajmërim për të ardhmen? Dhe, më kryesorja, siç pati pohuar kohë më parë studiuesi i njohur i letërsisë David Bellos në artikullin “Why Should We Read Ismail Kadare?” Sipas D. Bellos, këtë duhet ta bëjmë fillimisht sepse ai është një rrëfimtar i jashtëzakonshëm. Dhe me anë të tregimeve të tij ne kemi mundësi të kalojmë nga njëra kohë në tjetrën. Nga njëri regjim në tjetrin. Derisa jemi të zhytur në labirintet e veprave të tij, shpirti ynë çtrupëzohet, desnesulizohet dhe fluturon në një hapësirë eternale. Pikërisht si fantazmat, mitet e legjendat që po ashtu kanë luajtur një impetus të rëndësishëm psikologjik dhe muzë të pazëvendësueshme në jetën krijuese të Ismail Kadaresë.

Sidoqoftë, edhe përkundër kësaj vlere historike, personalisht gjykoj se veprat e gjeniut tonë duhet t’i lexojmë edhe si kumt për të ardhmen. Filozofi i njohur amerikan Richard Rorty, në librin “Contigency, irony and solidarity”, në pjesën kushtuar vlerës së veprës së George Orwell-it, pohon se romanet e shkrimtarit anglez mbi sistemin totalitar, përpos që na sensibilozojnë mbi mizoritë e atij sistemi, ato duhet po ashtu t’i lexojmë jo vetëm si përshkrim i një bote që ka dështuar dhe nuk ka gjasa të rikthehet më. Sepse nëse ai rend disptopik ka qenë i mundur njëherë, nuk asnjë arsye historike që s’mund të triumfojë përsëri, nëse përputhen rrethanat e tilla kontingjente. Prandaj, ato shpalosin një rrëfim unik për të na treguar se një rend i “Big Brother” është përsëri i mundur dhe se çka mund të na ndodhë nëse nuk i mbrojmë vlerat tona liberale.

Kështu, veprat e Kadaresë, veçanërisht ato që e trajtojnë botën totalitare, mund të shërbejnë edhe si orakulli ynë i së ardhmes. Sepse , duke na ndërgjegjësuar dhe dëshmuar për ferrin e asaj bote, na ‘zbardhëllojnë’ nga rreziku i saj. Në fund të fundit, siç ka pohuar filozofja e cituar më sipër, Hannah Arendt, totalitarizmi ka gjasa që “të qëndrojë me ne tani e tutje, tamam si format e tjera të qeverisjes që u shfaqën në çaste të ndryshme historike dhe u bazuan në eksperienca të ndryshme fondamentale dhe që kanë qëndruar me njerëzimin, pa marrë parasysh dështimet e përkohshme – monarkitë, republikat, tiranitë, diktaturat dhe despotizmat”.

Prandaj, për ta shmangur tundimin psikologjik që mund të ofrojnë distopi të tilla, ne kemi nevojë përjetësisht për veprat letrare të Kadaresë. Ato ofrojnë një ndërgjegjësim të pashoq për të na mbajtur syhapur ndaj rreziqeve të tilla, që përherë mbesin reale dhe për të triumfuar mbi kokën e asaj diktature vazhdimisht. Është kjo arsyeja kryesore që opusi i tij letrar e gëzon një vlerë të përhershme në panteonin e letërsisë jo vetëm shqiptare, por edhe botërore.

Lajme të ngjashme