Kur deklarimi i pasurisë nuk mjafton - NACIONALE

Kur deklarimi i pasurisë nuk mjafton

2 muaj më parë

nga NACIONALE

Shkruan Diana Metushi Krasniqi

Kosova Democratic Institute

Në Kosovë, deklarimi i pasurisë nga zyrtarët publikë ka qenë për vite me radhë një nga instrumentet kryesore për të ndërtuar transparencë dhe besim publik ndaj institucioneve publike. Për një kohë të gjatë, deklarimi i pasurisë ka funksionuar kryesisht në formë manuale dhe me kapacitete të kufizuara për analizë e verifikim efikas të të dhënave. Vetëm gjatë vitit të fundit kanë nisur hapa më konkretë drejt digjitalizimit, ku Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit ka avancuar platformën elektronike, duke e bërë procesin më funksional, më të qasshëm dhe më të përshtatshëm për analizë të të dhënave.

Këto zhvillime nuk janë vetëm teknike. Ato përfaqësojnë një ndryshim në mënyrën se si kuptohet transparenca dhe tregojnë se presioni publik i bazuar në evidencë, si dhe rekomandimet e vazhdueshme të shoqërisë civile dhe organizatave monitoruese, mund të prodhojnë ndryshim konkret. Në këtë rast, zhvillimet përkojnë drejtpërdrejt me rekomandimet e KDI-së gjatë tre viteve të fundit përmes projektit “Integrity Watch”, ku është kërkuar publikim i të dhënave të hapura, të strukturuara dhe të ndërlidhshme, si dhe zhvillimi i një API publik për analiza dhe llogaridhënie më efektive.

Megjithatë, edhe pse deklarimi i pasurisë mbetet një element kyç i integritetit publik, ai nuk është i mjaftueshëm. Sistemi aktual kërkon deklarimin e pasurive, të ardhurave dhe interesave të zyrtarëve publikë dhe familjes së ngushtë, ndërsa Agjencia ka mandat për verifikim dhe hetim. Në letër, kjo krijon një bazë solide për llogaridhënie. Në praktikë, megjithatë, ekziston një zbrazëti e rëndësishme: interesat indirekte dhe format më komplekse të ndikimit ekonomik mbeten kryesisht jashtë radarit institucional.

Siç evidentohet edhe në analizën e fundit të KDI-së, sistemi fokusohet kryesisht në atë që është formalisht në emër të zyrtarit ose familjes së tij të ngushtë. Por interesat reale shpesh mund të manifestohen përmes bashkëpunëtorëve, partnerëve afaristë, rrjeteve familjare më të gjera apo strukturave të tjera indirekte, të cilat janë shumë më të vështira për t’u identifikuar dhe verifikuar.

Kjo situatë rëndohet edhe më tej nga mungesa e transparencës mbi përfituesit përfundimtarë të bizneseve. Edhe pse ligji për përfituesit përfundimtarë parasheh krijimin e një regjistri përkatës, ai nuk garanton qasje të plotë publike. Për më tepër, i njëjti institucion që menaxhon regjistrin vendos edhe mbi kërkesat për qasje dhe trajton ankesat ndaj vendimeve të saj, duke krijuar një situatë problematike ku i njëjti autoritet është njëkohësisht administrues dhe shqyrtues i ankesave.

Në këto kushte, interesat e fshehura mund të marrin forma të ndryshme: pasuri të regjistruara në emër të bashkëpunëtorëve, përfshirje indirekte në biznese, përfitime përmes rrjeteve familjare apo ndikim mbi vendimmarrje që favorizon akterë me të cilët ekzistojnë lidhje joformale. Këto janë pikërisht zonat e hirëta ku konflikti i interesit bëhet i vështirë për t’u identifikuar dhe edhe më i vështirë për t’u provuar.

Një dimension edhe më problematik është fakti që sistemi i deklarimit nuk kap në mënyrë të strukturuar përfitimet që burojnë nga përdorimi i resurseve publike. Nuk ekziston një mekanizëm i ndërlidhur që mundëson identifikimin e përfitimeve potenciale nga kontratat publike, partneritetet publiko-private, grantet, subvencionet apo lejet dhe licencat për shfrytëzim të resurseve natyrore. Për pasojë, sistemi mbetet i kufizuar në deklarimin e pasurisë por pa reflektuar rrjedhat reale të përfitimit ekonomik që mund të burojnë nga vendimmarrja publike.

Si rezultat, krijohet një lloj iluzioni i llogaridhënies: të dhënat publikohen, deklaratat dorëzohen dhe sistemi duket funksional, por lidhja mes pasurisë, interesit dhe vendimmarrjes mbetet kryesisht e padukshme. Transparenca funksionon si një fotografi statike, ndërsa ndikimi real ekonomik dhe politik është dinamik dhe i shpërndarë.

Në të njëjtën kohë, Kosova tashmë posedon disa sisteme të rëndësishme të të dhënave publike në fushën e integritetit politik, si deklaratat e pasurisë, financimi i partive politike dhe prokurimi publik. Megjithatë, këto sisteme funksionojnë të ndara dhe nuk komunikojnë me njëra-tjetrën për të krijuar një pasqyrë më të plotë të ndërveprimit mes parasë dhe pushtetit.

Pikërisht këtë zbrazëti, KDi ka arritur t’a sfidojë duke grumbulluar dhe ndërlidhur të dhëna të integritetit politik në një platformë të vetme digjitale, të hapur për publikun Integrity Watch Kosova, duke e bërë të mundur identifikimin e rreziqeve për korrupsion, që përndryshe do të mbeteshin të padukshme. Kjo e bën të qartë se sfida nuk është më thjesht publikimi i të dhënave, por ndërtimi i një sistemi të integruar që i bën ato funksionale dhe i lejon të “flasin” me njëra-tjetrën.

Prandaj, avancimi i platformës digjitale për deklarimin e pasurisë duhet të shihet si një hap i rëndësishëm, por jo i mjaftueshëm. Hapi i radhës duhet të jetë ndërlidhja reale e sistemeve dhe ndërtimi i një arkitekture të integruar të të dhënave publike.

Vetëm përmes integrimit të të dhënave mund të kalojmë nga një model deklarimi statik në një model analizimi dinamik të rreziqeve të integritetit. Por kjo kërkon më shumë se teknologji. Kërkon standarde të detyrueshme për të dhënat e hapura, interoperabilitet institucional dhe mekanizma realë për shkëmbim dhe analizë të të dhënave.

Sepse në fund, pyetja nuk është nëse kemi transparencë.
Pyetja është nëse ajo transparencë mjafton për të zbuluar lidhjet reale mes parasë, interesit dhe pushtetit.

Dhe për momentin, përgjigjja është e qartë: ende jo.

*Artikull i sponsorizuar!

Lajme të ngjashme