Ku i ka rrënjët, për fatin tonë të keq, keqkuptimi jonë për shtetin?
Kjo video prej kur është publiku i ka marrë rreth 50 mijë like dhe është shiku rreth 1 milion herë. Ky është një trik i vjetër që kurrë nuk del prej modës. Një fotografi që zëvendëson nevojën që lideri të shkojë në debatet kryesore televizive.
Një fotografi ku shteti është fytyra e një individi e nuk është sistemi. Nuk ka nevojë këtu as për debat, as për program, as për llogaridhënie as për llogaridhënie.
Kjo nuk është thjeshtë fushatë elektorale. Kjo është politika jonë në formën e saj më të pastër, bruto. Politikë me emocion, e jo me rezultate.
Ne në thelb, si shoqni e kemi keqkuptu shtetin. Ky keqkuptim nuk është me pahir. Është trashëgimi. Kosovarët për herë të parë janë njoftuar me shtetin, kur shteti ka qenë ultra komunist dhe ultra kontrollues, po flas për kohën e socializmit jugosllav.
Ai ka qenë një shtet edhe total edhe totalitar. Të ka punësu, të ka largu prej pune. Të ka lënë me vdekë ose të ka shëndoshë, të ka shkollu ose të ka lënë pa shkollë, ta ka dhënë ose ta ka marrë tokën, të ka rrehë ose të ka falë, të ka lënë të lirë ose të ka futë në burg.
Shteti ka qenë si një prind abuziv, edhe të ka rrehë edhe të ka shëndoshë pa pare.
Aty ka zënë rrënjë ideja jonë e gabuar se çka është shteti dhe udhëheqësi. Qysh kanë thënë të vjetrit: me ujë, me zjarr edhe me shtet, nuk luhet baco.
Prandaj edhe sot, 30 vjet pas shembjes së komunizmit, komunizmi nuk është shembë në kokat tona. Ne adhurojmë ta kemi një lider ja si Titon, ja si Enverin, që krejt bota na lakmon, por ja që ne kemi pasë ikball dhe ai ka lindë në mesin tonë. Edhe nëse ka qenë pak varfëri, ka qenë për krejt. Pra më mirë barazi në mizori, sesa me pasë shtresa. Lideri është i butë me plakun e plakën, i fortë me të pasurin, me Amerikën e Shqipërinë.
Kështu është i projektuar lideri ideal për kokën e shqiptarit mesatar. Udhëheqësi ideal t’i jep 100 euro për cdo muaj, pa bë ti kurrgjë. Pyetja se ku i merr ato para që t’i jep ty, është pyetje tendecioze.
Fatkeqësisht ky mentalitet riprodhohet dhe trashëgohet edhe te ne. Në fakultet tona edhë më tutje, figurat qendrore janë profesorët e socializmit, librat e tyre janë të shenjtë, kuadrot e tyre ose profesorët vetë janë në studio cdo natë, duke e trashë këtë pikpamje të gabuar.
Kemi pasë tranzicion politik në këto tridhjetë vite, por s’kemi pasë tranzicion intelektual.
Kjo është një arsye pse këto ofertat e partive politike, ngjasojnë me njëra-tjetrën si dora e djathtë me të majtën. Sepse kultura politike e votuesit është identike, krejt sytë te shteti. Elektorati është i programuar ta pyes shtetin: a ka diçka prej teje sot? Far’ 10 euro a 50-të a? Qe ku jemi sot.
Gara po bëhet kush premton më shumë për administratën, pensionistët, kategoritë më të prekshme. Këto janë politika që nuk kërkojnë mendim, por kërkojnë emocion.
Janë politika që nuk lexohen në raporte. Këtu njihen në kuletë ose xhirollogari.
Kështu është krijuar një gjuhë e re cinike. Paga e 13-të si dinjitet, shtesat si mirëqenie, investimet kapitale si statistika.
Nëse guxon t’i kontestosh ndihmat, sakaq e ndien një akuzë: nëse për ty janë pak 10 euro, për dikë nuk janë pak.
U bë bos. Ne që punojmë në privat, paguajmë taksat tonë, që t’ia mundësojmë dikujt që punon në punë publike, ai ta marrë pagën e 13-të. Sepse kështu po do politika.
Kur politika e di se ku po rrahë pulsi, leja asaj. Ndihma po doni, ndihma do të keni.
Ama mos kërkoni edhe ura e zhvillim. Në këto kushte ai që është në pushtet ka përparësi prej atyre që janë në opozitë. Sepse ai e ka pullën me t’i qitë ty edhe 100 euro pak pa shku ti te kutitë e votimit.
Ai e ka mundësinë ta kthejë premtimin në vendim, vendimin në pagesë e pagesën në votë. Kur opozita e bën premtimin e njëjtë, hallku thonë: po, po, por ky Ustahu m’i qiti 100 euro.
E pastaj kur skemat sociale bëhen koktej me qëndrime nacionaliste, suksesi është i garantumë, kritika bllokohet në të dy anët.
Hëm nuk je ai që kritikon pse po ndihmon të varfrit, se thonë nuk paske zemër, kurse nëse kritikon qëndrimin nacionalistë, të thonë “je udbash”. Qe, u mbyllën rrugët.
Në këto rrethana, shoqnia e lodhur tregëton zhvillimin e shoqërisë me kujdesin ndaj shoqërisë. Kosova më pas përfundon si një territor gjeografik, ku shteti i ka nën kujdesje sociale pak më shumë se një milion njerëz. Që disa herë brenda vitit, vizitohen nga një milion vetë që jetojnë jashtë.
Kurse Qeveria, përveç gajles që të japë ndihma, e ka gajlen edhe të blejë dronë. Në prapavijë të gjithë kësja, e kemi realitetin e hidhur që s’po duam ta shohim.
Në pesë vitet e fundit, sipas Eurostat, kanë ikur deri në 300 mijë njerëz.
A ka fund ky cikël? Ka. Por fundi nuk është si shpërthim. Është si molisje. Çdo vit më pak cilësi, më pak besim, më shumë ikje.
Prandaj pas këtyre zgjedhjeve, imperativ i Kosovës nuk është se kush fiton në këto zgjedhje.
Imperativ është një rrymë e re politike, që ua hapë sytë qytetarëve, që ua futë gishtin në sy qytetarëve, jo që t’i fyej, por që t’i zgjojë prej gjumit. Shteti nuk është për bamirësi, shteti është kontratë.
Dinjiteti nuk është paga e 13-të. Dinjiteti është shkolla që ta nxjerr fëmijën prej saj duke kuptuar diçka. Sistemi që të shërben, pa të poshtëruar. Ekonomia që mban një vend, pa detyruar njerëzit të ikin prej vendit të vetë.