Kthetrat e Kryeministrit: Si tentoi Kurti të mashtrojë me shembullin amerikan për prokurorinë - NACIONALE

Kthetrat e Kryeministrit: Si tentoi Kurti të mashtrojë me shembullin amerikan për prokurorinë

2 muaj më parë

nga NACIONALE

Lirim Mehmetaj:

Kryeministri i ka nxjerrë kthetrat – Si tentoi Albin Kurti ta mashtrojë popullin me “shembullin amerikan” duke deklaruar se Prokuroria s’duhet të jetë e pavarur nga qeveria…

Një nga arsyet përse Albin Kurti dëshironte të vinte në pushtet ishte largimi i ndikimit të politikës nga sistemi i drejtësisë.

Por, në intervistën e tij të fundit e nxori të vërtetën e brendshme të tij, atë që realisht do, atë që realisht mendon.

Me shumë gjasë, atë që realisht do ta bëjë.

“Prokuroria nuk është e pavarur realisht nga Qeveria”.

I bindur se ajo që thotë në pamfletin e tij qëndron, pra se shqiptarët janë analfabetë, ai mori shembull se si edhe në Amerikë një president amerikan e kishte emëruar vëllain e tij Prokuror.

“Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ju e dini që President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka qenë John Kennedy, ndërkaq udhëheqës i Departamentit të Drejtësisë ka qenë vëllau i tij”.

Kjo është ngjarje që ka ndodhur në vitin 1961 dhe nuk është një shembull i cili duhet marrë. Madje, në Amerikë u bënë ndryshime në legjislacion, pikërisht që kjo kurrë të mos ndodhë më.

Në SHBA në vitin 1967 u miratua një ligj federal kundër nepotizmit, i cili ndalonte rreptësishtë që zyrtari i shtetit të emërojë familjarët e tij në pozita mbi të cilat ai zyrtar ushtron kontroll apo juridiksion. Dhe kjo bëhej pikërisht për të ndaluar atë që kishte ndodhur nga vëllezërit Kennedy.

“Një zyrtar publik nuk mund të emërojë, punësojë, promovojë, avancojë ose të mbështesë emërimin, punësimin, promovimin apo avancimin e një të afërmi në agjencinë ku shërben ose mbi të cilën ushtron juridiksion apo kontroll”, thuhet në ligj.

Pra, nuk lejohet. Pra, nuk duhet dhe arsyeja është e thjesht. Kryeministri dhe secili zyrtar publik duhet të ketë frikë nga Prokurori, jo ta ketë mik prokurorin. Varësia politike e prokurorit nga politikani është goditje bash në thelbin e sistemit demokratik ku pushtetet janë të ndara dhe e kontrollojnë dhe e balancojnë njëri-tjetrin.

Ishte edhe kartë elektorale e Albin Kurtit kjo.

Por, më s’mund ta akuzojmë Kurtin. Ai synimet e tij për ta rrënuar këtë demokraci edhe ashtu të brishtë, po i thotë hapur.

Pra, s’është më çështje mashtrimi të elektoratit. Çështja është nëse shqiptarët do ta pranojnë dhe normalizojnë qëllimin e çmendur të një perversi politik i cili synimin për rrënimin e sistemit tashmë e ka bërë të qartë.

Por, të qartë duhet ta kemi edhe ne, sistemi nuk rrënohet nga një moment i vetëm. Por, kështu ndodh, një korrozion gradual që shtyhet nga njerëz si Albin Kurti dhe ajo që luftohej dikur, çuditërisht bëhet e pranueshme sot.

Pra, kryeministri tash shpreh hapur se ai e do një prokuror që nuk i detyrohet ligjit, por pushtetit politik të Albin Kurtit. Sepse, Kurti na e ka thënë tashmë që nuk do balancë pushtetesh, por përqendrim pushteti tek ai.

Fatkeqësisht, këto dëshira anti-kombëtare të tij e të kobshme për shtetin nga një pjesë jo e vogël, duartrokiten.

Lajme të ngjashme