Kosovës nuk i duhet Xhandarmëria - NACIONALE

Kosovës nuk i duhet Xhandarmëria

2 muaj më parë

nga NACIONALE

Shkruan: Abit Hoxha

Opinioni, partitë politike opozitare dhe shoqëria civile duhet t’i rezistojnë krijimit të xhandarmërisë në Kosovë.

Përderisa propozuesit po e shpalosin opsionin e xhandarmërisë si përgjigje ndaj kërcënimeve të brendshme dhe të jashtme, krijimi i xhandarmërisë do të krijojë një varg problemesh shtesë për Kosovën dhe aspiratën e saj për integrime në NATO dhe BE, ashtu sikurse edhe në aspektin e organizimit të sektorit të sigurisë në Kosovë.

Vetë ideja e një force xhandarmërie, si forcë operuese mes policisë dhe ushtrisë, mund të duket në shikim të parë si atraktive.

Vende sikur Franca dhe Turqia me forcën e xhandarmërisë dhe Italia me karabinerët kanë mirëmbajtur struktura të tilla, por Kosova ka një realitet krejt tjetër institucional, demokratik dhe gjeopolitik.

Kosova nuk është shtet i madh që do të krijonte shpenzime të mëdha për të mirëmbajtur ushtrinë apo policinë.

Kosova është demokraci e re dhe ende po e konsolidon mbikqyrjen demokratike dhe civile mbi sektorin e sigurisë që të krijojë një mirëbesim me qytetarët e vendit në një kontekst postkonfliktual.

Kosovës i duhet mirëbesim mes komuniteteve dhe për vetveten. Krijimi i një unaze tjetër të forcave të sigurisë do të dobësonte demokracinë e vendit dhe bashkëjetesën. Do të krijonte shpenzime të panevojshme për kërcënime të paqena.

Së pari, Kosova ka disa institucione të sigurisë që janë shumë profesionale. Është ushtria që ka të drejtë të mbajë armë të lehta dhe mençura. Është Policia e Kosovës që ka në strukturat e veta disa njësi të specializuara policore si dhe ka struktura të inteligjencës që mbledhin të dhëna për kërcënimet ndaj Kosovës. Në vend se të ndërtohet koherencë në mes institucioneve dhe të bashkëveprohet me faktorin ndërkombëtar që, sipas rregullave në fuqi, ende është përgjegjës për sigurinë në Kosovë dhe ruajtjen e kufijve, xhandarmëria do të krijonte edhe një hallkë koordinimi.

Së dyti, krijimi i xhandarmërisë do të ofronte mundësi të militarizimit të brendshëm të Kosovës. Kjo, ishte frika më e madhe e miqve të Kosovës që veprimin e parë të pasluftës në Kosovë e konsideruan demilitarizimin e Kosovës. Në demokracitë e brishta ku ndikimi politik në institucionet e sigurisë është i lehtë, një paqartësi mund të shndërrohet në rrezik.

Historia në Ballkan na tregon se sistemet hibride të sigurisë janë të ekspozuara ndaj ndikimit politik, etnik dhe lehtësisht abuzohen. Kosova duhet të largohet nga idetë e tilla të modelimit të sektorit të sigurisë dhe të krijojë kapacitete me struktura ekzistente demokratike.

Së treti, edhepse Kosova ka disa kërcënime, sikur ajo në fshatin Banjë në veriun e vendit, përgjigja e jostabilitetit politik nuk duhet të jetë sigurimizimi permanent.

Veriu i Kosovës është sfidë politike dhe duhet të zgjidhet me mjete politike. Zgjerimi dhe militarizimi i forcave të brendshme mund të krijojë iluzionin e shtetit të fortë, por do të thellojë mosbesimin dhe riforcojë narrativat e ndarjes e qeverisjes me forcë e jo me legjitimitet demokratik.

Kosova nuk duhet ta dobësojë legjitimitetin politik të institucioneve si kartë loje në raport me BE-në.

Së katërti, partnerët e NATO-s dhe aleatët evropianë theksojnë vazhdimisht kontrollin civil, sundimin e ligjit dhe profesionalizmin policor. Krijimi i një force të ndërmjetme të armatosur rëndë mund të ngre shqetësime lidhur me zgjerimin e misionit, strukturat e komandës dhe proporcionalitetin në përdorimin e forcës.

Kosova duhet të shmangë riprodhimin e modeleve të sigurisë që u shfaqën në kontekste historike dhe gjeopolitike shumë të ndryshme.

Së pesti, ekziston gjithashtu çështja financiare. Kosova përballet me sfida urgjente në shëndetësi, arsim, siguri energjetike, emigracion të të rinjve dhe zhvillim ekonomik.

Krijimi i një xhandarmërie do të kërkonte investime të konsiderueshme në trajnim, pajisje, infrastrukturë komande, rekrutim dhe korniza ligjore.

A do të prodhonte kjo më shumë siguri sesa investimi në kapacitetet ekzistuese policore, bashkëpunimin e inteligjencës, mbrojtjen kibernetike dhe reformën gjyqësore?

Besoj se jo.

Një Kosovë më e fortë nuk kërkon më shumë uniforma apo zinxhirë shtesë komande. Kërkon aleanca politike dhe institucione demokratike më të forta. Kërkon bashkëpunim rajonal dhe ndërkombëtar.

Në vend të krijimit të një xhandarmërie, Kosova duhet të përqendrohet në modernizimin e strukturave ekzistuese: përmirësimin e kushteve të njësive policore, forcimin e teknologjive të menaxhimit të kufirit, rritjen e ndarjes së inteligjencës me aleatët, investimin në njësi hetimore të specializuara dhe thellimin e besimit publik në zbatimin e ligjit. Siguria efektive vjen nga kompetenca institucionale dhe legjitimiteti dhe nuk vjen nga shumëzimi i trupave të armatosura.

E ardhmja e Kosovës duhet të jetë evropiane, demokratike dhe e udhëhequr nga pushteti civil. Ndërtimi i një force tjetër të brendshme të militarizuar rrezikon ta çojë vendin në drejtimin e kundërt. Këtë nuk e kanë dashur as themeluesit e shtetit të Kosovës e as sponsorët e demokracisë në Kosovë.

Abit Hoxha është Asistent Profesor në Universitetin e Agderit dhe Universitetin e Stavanger-it në Norvegji. Ai është menaxher projekti për UiA për projektin e financuar nga BE-ja "Media e Qëndrueshme për Demokraci në Epokën Dixhitale". Puna e tij shkencore fokusohet në Prodhimin e Lajmeve të Konfliktit, Median dhe Demokracinë dhe së fundmi, AI dhe Shoqërinë. Hoxha gjithashtu është diplomuar për Politikat e Mbrojtjes, Zhvillimit dhe Diplomacisë në Institutin për Siguri Globale në Universitetin e Durhamit në Mbretërinë e Bashkuar dhe ka punuar në zhvillimin e kapaciteteve në sektorin e sigurisë në Kosovë.

Lajme të ngjashme