Kosova ka një marrëveshje – nëse Perëndimi mund ta ruajë atë - NACIONALE

Kosova ka një marrëveshje – nëse Perëndimi mund ta ruajë atë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Marrëveshje apo jo? Kjo është pyetja që po e turbullon Ballkanin.

Edward P. Joseph

Pas një samite plot presion të shtunën mes udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë, shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, deklaroi: “Kemi një marrëveshje.” Një të tillë që premton se do t’i çojë dy antagonistët më në fund drejt normalizimit të lidhjeve. Por presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, refuzoi që ta nënshkruante tekstin e paqartë e të ndërmjetësuar nga BE-ja dhe prej asaj kohe ka bërë deklarata që i japin cilësime dhe madje i shfuqizojnë zotimet kyçe.

A mund t’i shpërfillë Vuçiqi obligimet e Beogradit gjatë zbatimit të aneksit të prodhuar në Ohër të Maqedonisë së Veriut, si dhe pjesën tjetër të marrëveshjes së negociuar në Bruksel më 27 shkurt, të cilën president serb gjithashtu refuzoi që ta nënshkruante? Pse duhet kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, që menjëherë të krijojë garanci të pasaktësuara për serbët kosovarë, nëse Kosova nuk e di me siguri që Serbia do ta respektojë fundin e pazarit? A e njeh Serbia Kosovën në heshtje me këtë marrëveshje, apo a varet kjo nga hapat e mëtejmë?

Thënë shkurt, një re e paqartësisë qëndron mbi bisedimet më të rëndësishme në Ballkan në më shumë se 20 vjet. Çështja e Kosovës e nxiti shpërbërjen e dhunshme të Jugosllavisë në vitet e nëntëdhjeta, duke e shpërfaqur paaftësinë e Bashkimit Evropian për t’i trajtuar problemet e sigurisë në oborrin e saj. Mosmarrëveshja mes Beogradit dhe Prishtinës është në zemrën e një përpjekjeje shumëdekadëshe transatlantike për ta konsoliduar rajonin në rendin perëndimor, duke krijuar mundësi të bollshme për Rusinë dhe Kinën.

Diplomacia torturuese perëndimore mes Serbisë dhe Kosovës sigurisht se do të shfaqet në diskutime gjatë vizitës treditore të presidentit kinez, Xi Jinping, në Moskë. Çfarëdo dallimesh të kenë dy autokratët për luftën në Ukrainë, Pekini dhe Moska janë të rreshtuara prerazi kundër pavarësisë së Kosovës. Presidenti rus, Vladimir Putin, dhe Jinping-u do t’i bashkërendojnë përpjekjet për ta minuar marrëveshjen, duke e lënë Kosovën në harresë, rajonin në trazirë dhe Serbinë si partnere të përbashkët strategjike për Rusinë dhe Kinën.

Duke e marrë parasysh atë që është në pyetje, nëse marrëveshja dështon, kjo nuk është kohë për deklarata të zbehta përgëzuese e retorikë standarde për përgjegjësitë e palëve. Tashmë janë Uashingtoni e Brukseli – jo vetëm Beogradi e Prishtina – që duhet t’u rrinë më shumë gati përgjegjësive të tyre, sidomos duke i marrë parasysh paqartësitë e toleruara në marrëveshje. Tre hapa janë jetikë për ndërtimin e themelit për sukses.

I pari, BE-ja duhet të heqë dorë nga pretendimi se është vetëm lehtësuese mes palëve dhe Uashingtoni duhet të heqë dorë nga pretendimi se është vetëm përkrahës pas udhëheqjes së BE-së. Vetë marrëveshja e përfshin “Propozimin e BE-së” në këtë titull – e përkrahur plotësisht dhe e çuar përpara nga Shtetet e Bashkuara.

Për momentin, Borrell-i pretendon se zbatimi u përket palëve, duke e pakësuar rolin e BE-së e duke e ulur në vëzhgim. Në të vërtetë, asnjë palë nuk ka më shumë detyrime zyrtare në marrëveshjen e Brukselit e Ohrit se vetë BE-ja. Janë jo më pak se pesë detyra të qarta që BE-ja i ka pranuar. Asnjëra nuk është më e rëndësishme se zotimi i përmendur dy herë i BE-së që të “udhëheqë” një komision të përbashkët për ta siguruar dhe mbikëqyrur zbatimin e “të gjitha dispozitave”. Me një afat të prerë prej 30 ditësh për themelimin e Komisionit të Përbashkët Vëzhgues, Brukseli do të duhet të shfaqë guxim të jashtëzakonshëm. Zbatimi kërkon veprim vendimtar – jo paqartësi të dizajnuar për ta shmangur atë.

Për ta lexuar opinionin e plotë në gjuhën angleze, klikoni këtu.

Lajme të ngjashme