Kompromisi mbi Kosovën nga Kosova - NACIONALE

Kompromisi mbi Kosovën nga Kosova

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Shkruan: Afrim Kasolli

Në vazhdimësi është thënë nga diplomatë ndërkombëtarë, se që të arrihet një marrëveshje e mundshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, liderët e të dy vendeve, duhet dëshmojnë guxim politik për kompromise të vështira. Dhe se në vetëm në kësi situata tregohet aftësia e tyre për të marrë vendime të rënda dhe jo popullore. Sepse përndryshe nëse palët qëndrojnë të bunkerizuara në pozicionet aktuale, nuk ka shansa të arrihet asnjë marrëveshje.

Mirëpo, në të vërtetë përtej kësaj gjuhe joshëse dhe plotë ekuivoke diplomatike, çfarë do marrëveshje që do të arrihet në këto rrethana, shihet qartë se do jetë vetëm kompromis i Kosovës dhe jo i Serbisë. Sepse, natyra e kompromisit të kësaj të fundit ka të bëjë me ideologjinë dhe narracionin e saj mitik mesjetar. Kurse ai i Kosovës ka të bëjë me natyrën e shtetit dhe qeverisjes. Ngase me lëshimet që i kërkohen t’i bëjë palës kosovare, preket mënyra e funksionimit të shtetit. Kurse kërkesa e fundit që mund t’i bëhet Serbisë, në këtë proces negociator, e kur do të vije ajo ditë ende nuk dihet, mbetet detyrimi i saj që ta abrogojë edhe formalisht, nga kushtetuta e saj Kosovën si pjesë e Serbisë. Dhe ta njoh atë. E, që kjo do të arrihej nw këtë fazë ishte iluzion i pastër. Ndërkaq, edhe po të ndodh hipotekitisht ky ndryshim, ai nuk e prek natyrën aktuale të shtetit serb. Por është i lidhur vetëm me mitologjinë e saj identitare.

Se kjo do ishte e pamundur në këtë fazë, e kishte paralajmëruar kohë më parë Grupi Ndërkombëtar i Krizave, (ISG) në punimin “Relaunching the Kosovo-Serbia Dialogue”. Ky think-tank amerikan, konstatonte se që Serbia ta njoh Kosovën, duhej ta ndërronte qasjen e saj. Sepse kushtetuta e këtij shteti, kërkon që çdo marrëveshje qe e ka këtë objektiv, duhet të aprovohet nga referendumi. Ndërkohë, liderishipi i këtij vendi nuk ka bërë asgjë për ta përgatitur opinion publik në Serbi për këtë skenar. Përkundrazi, me qëndrimin e tij vetëm sa i ka shtuar pritjet se kjo s’do të ndodhë kurrë. Kurse bashkësia ndërkombëtare nuk ka bërë asgjë, që ta detyrojë elitën politike në Serbi që të heq dorë nga kjo qasje. Madje, përgjatë këtyre viteve ajo është rehabilituar në sallonet e diplomacisë ndërkombëtare, për hir të interesave ekonomike. Deri më tani vetëm i dërguari special amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ndonëse pa një presion të madh, ka pohuar hapur në publik, që shoqëria serbe e ka imperativ të fillojë të mendoj ndryshe. Ku në vend se të thuhet “Kosova është Serbi, duhet të thuhet se Serbia dhe Kosova janë Evropë”.

Në këtë kontekst, qëndrimet dhe kushtet e mëhershme të kryeministrit Albin Kurti për dialogun më Serbinë kanë qenë të drejta. Sepse pa plotësimin e tyre, asnjë marrëveshje nuk është e qëndrueshme dhe nuk i kontribuon paqes dhe stabilitetit si ndërmjet dy vendeve, ashtu edhe atij rajonal. Mirëpo, problemi është se me të ardhur në pushtet ai i braktisi ato, për hir të këtij të fundit. Dhe po e vazhdon atë praktik ku Kosova bënë kompromise në pafundësi, por pa e detyruar Serbinë që të heq dorë nga mitologjia e saj nacionaliste.

Prandaj, edhe sot palëve po u ofrohet një marrëveshje sikur se plani evropian, apo franko-gjerman, për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, ku nuk parashihet njohja nga Serbia. Dhe këtu Albin Kurti nga pozita e kryeministrit, në dallim nga ai i opozitarit, është pajtuar që Serbia të mos e njoh Kosovën. Pra ai është treguar më sensitiv ndaj qëndrimeve të Vuciqit, se sa ndaj interesave shtetërore të Kosovës. Sepse po tregohet i gatshëm për atë lloj pajtimi që nuk ia lëndon pozitën politike kryetarit të shtetit serb. Pra po ndryshon vetë që të mos ndryshojë politika e Vuciqit. Në këtë drejtim ai s’mund të zhvishet nga përgjegjësia, me arsyetimin e presioneve ndërkombëtare. Sepse kjo formulë erdhi edhe si pasojë e nënshtrimit të tij ndaj këtyre presioneve.

Kjo edhe është arsyeja që për shkak të këtij konvertimi nuk po ndodh asnjë avancim në mënyrën se si është zhvilluar deri më tani procesi i dialogut. Pavarësisht, përpjekjeve të kryeministrit për ta shitur në atë në opinion, se si me të ka filluar një epoke e re ne këtë proces. Prandaj, edhe po vazhdon vallja e kompromiseve mbi Kosovën nga vetë Kosova në dialog me Serbinë.

Lajme të ngjashme