Koha ka ardhë me ndryshu paradigmën: Nga përçarja te fuqizimi - NACIONALE

Koha ka ardhë me ndryshu paradigmën: Nga përçarja te fuqizimi

1 vit më parë

nga NACIONALE

Shkruan: Shenoll Muharremi

Është për mer të ardh keq se si çdo ditë në Kosovë po konsumohet në përplasje mes partive politike dhe njerëzve që luftojnë njëri-tjetrin, jo idetë e as projekte e vizion për të ardhmën. Sa kapacitete dhe potencial po humben kështu?

Fokusi nuk është te ndërtimi i së ardhmës, por kryesisht tek propaganda dhe krijimi i narrativave që pastaj krijojnë percepcione (kryesisht falso). Nuk po fokusohemi te ajo çka mundemi me bë bashkë dhe pozitive për shoqërinë, por te ajo se kush mund me asgjësu tjetrin politikisht më mirë e sa më shpejt.

Kjo nuk ka me dhënë rezultate të mira për të ardhmën. Duhet me ndodh një ndryshim një transformimi ku prej politikës si pengesë, me kalu tek politika si zgjidhje. Diçka që zhbllokon potencialin dhe i organizon kapacitetet e shoqërisë me nxjerë, jo më të keqën, por më të mirën e mundshme. Me gjeneru më shumë energji, jo urrejtje dhe polarizime. Kosova, e ardhmja e mirë, nuk ndërtohet me përplasje.

Këtu nuk po flitet për vizion, për ide të mëdha, për programe ekonomike e për zhvillim afatgjatë. Nuk ka plane konkrete për me zhblloku potencialin socio-ekonomik të vendit. Në vend të kësaj, po shpenzohet energjia për ndarje, përçarje dhe sundim.

Kjo është humbje e dyfishtë, e kohës dhe e mundësisë. Sepse ajo çfarë bëjmë përditë, muaj e vite me radhë, krijon realitetin tonë shoqëror. Formëson të ardhmen. Ne jemi sot atë që kemi bërë më herët. E nesër do të jemi, atë që po bëjmë sot.

Dhe realiteti sot është se nuk po ndërtojmë kapacitete të reja të energjisë, nuk po i zhvillojmë industrinë e as ekonominë tonë. Nuk po e përmirësojmë cilësinë e arsmitit dhe shëndetësisë.

Thjesht po i humbim ditët, muajt dhe vitet dhe po i keqmenaxhojmë resurset tona më të çmuara, por edhe shumë të kufizuara, duke bërë diçka të padobishme dhe, shpeshherë, të dëmshme për të tashmën dhe të ardhmën.

Kjo duhet me ndryshu. Konkurrenca politike (sikur në ekonomi) është thelbësore, pa të nuk ka cilësi e as inovacio dhe përparim. Por konkurrenca duhet të jetë mbi ide, jo mbi inate e njerëz.

Ne duhet me u fokusu në programe konkrete, në projekte që fuqizojnë njerëzit dhe bizneset tona. Sidomos sektorin priva dhe prodhimin në mënyrë që me ndru drejtimin ekonomik. Vetëm kështu mund ta çojmë Kosovën përpara.

Nëse dëshirojmë një Kosovë më të mirë, duhet me ndryshu paradigmën dhe modelin aktual që kemi përdorë me vite. Duhet me kthy drejtimin e debatit publik nga përplasjet drejt përmbajtjes me vlerë. Nga retorika e përçarjes drejt ndërtimit të vizionit të përbashkët. Zhbllokimi i potencialit tonë shoqëror dhe ekonomik.

Është koha e fundit që politika me u bëhet mjet për zhvillim, jo pengesë për të, dhe që energjia e këtij vendi me u orientohu aty ku ka më së shumti kuptim dhe logjikë, tek fuqizimi i ekonomisë, i njerëzve dhe tek ndërtimi i së ardhmes që e meritojmë.

Lajme të ngjashme