Kadri Keyeziu– “I burgosur shembullor që nuk solidarizohej me të dënuarit me orientime politike negative ”
Shkruan: Bardhyl Mahmuti
Në reagimet ndaj gënjeshtrave të Kadri Kryeziut përmenda edhe rastin e mbytjes së atdhetarit Ibrahim Kastrati në qelinë e pavijonin famëkeq numër 7 të burgut “Zabela” në Pozharevac dhe përpjekjeve të drejtorisë së këtij burgu që ta prezantojnë si “vetëvrasje”. Të burgosurit politikë shqiptarë ndërmorën një sërë veprimesh që përmes letrave dhe formave të tjera të shprehnin mospajtimet e tyre për fshehjen e krimit. Kadri Kryeziu jo vetëm që nuk u solidarizua me të burgosurit e tjerë shqiptarë, por vazhdoi të kërkonte privilegjet personale.
Atyre që i besuan Kadri Kryeziut që më akuzon se gjoja “kam marrë stafetën e shpifjeve kundër tij”, u sugjeroj të lexojnë dokumentet sekrete të Ministrisë Federative të Drejtësisë dhe Administratës, të publikuar në vitin 2019 nga Instituti Albanologjik. Në faqen 182–182 të kësaj përmbledhjeje dokumentesh do të gjeni raportin që drejtoria e Institucionit Ndëshkues Korrektues të Pozharevacit dërgon për Kadri Kryeziun.
Në këtë raport, ndër të tjera thuhet:
“(...) Në periudhën e kaluar, i dënuari Ka treguar sjellje shembullore. Shprehitë e punës i ka të formuara në mënyrë solide, ndaj në përmbushjen e detyrave të punës nuk k pasur asnjë problem. Për shkak të këtyre qëndrimeve ndaj vuajtjes së dënimit, i dënuari është bërë përfitues i vizitave jashtë institucionit. Besimin e dhënë e arsyeton (...)
Veprën penale e ka kryer duke qenë student i vitit të katërt në Fakultetin Juridik. Të njëjtën vepër e pranon, por përpiqet t’i jep tjetër kualifikim. Thotë se aktivitetet e tij në Universitetin e Prishtinës nuk kanë pasur prapavijë politike dhe as armiqësore. Thotë se esenca e protestave të tij ka qenë e natyrës ekonomike. Dënimin e konsideron si shumë të ashpër, por është i gatshëm që në mënyrë të disiplinuar ta mbajë. Gjatë qëndrimit të tij në institucion, i dënuari nuk ka shfaqur as dëshirë dhe as gatishmëri që të solidarizohet apo të shoqërohet me të dënuarit me orientime politike negative nga radhët e kombësisë së tij (...)”.
Do të kisha dëshiruar të shihja raportin edhe nga burgu i Shabacit!
Në fund po ju drejtohem publikisht Sylë Mujës, Xun Çetës dhe miqve të shumtë që më kanë sugjeruar të gjejmë forma tjera të sqarimit të këtyre çështjeve:
Të dashur miq,
Unë mendoj se gjërat duhet të thuhen ashtu siç janë, publikisht, dhe për çdonjërin prej nesh, sepse jetojmë në një kohë ku lloj–lloj tredhakut politik i është lënë hapësira të livadhisë si hamshor!
Unë nuk kam asnjë respekt për kategorinë e pa kurrizorëve të sojit dhe sorollopit të Kadri Kryeziut, prandaj kam reaguar publikisht kur është përpjekur të shpërndajë gënjeshtra. Ju faleminderit për sugjerimet e juaja.