Kallxo një ditë nga jeta në Kosovë: Kultura e cancel-it - NACIONALE

Kallxo një ditë nga jeta në Kosovë: Kultura e cancel-it

3 muaj më parë

nga Col Mehmeti

Regjimi albinkurtist, në vitin e gjashtë të sundimit, është më afër se kurrë për të inxhinieruar një kulturë të përgjithshme mosbesimi. Dikur Aristoteli thoshte se një polis e humb përgjithmonë ndjenjën e përbashkësisë kur secili qytetar e akuzon shoqishojn. Strategjia e VV-së për shkatërrimin e fibrës shoqërore nuk do të ishte e mundur nëse nga llamba nuk do të nxirrej xhindi i klisheve dhe stereotipeve. Duke qenë se cilido duel me gazetarë do t’i kushtonte keq në imazh, partia-shtet zgjodhi një mënyrë tjetër të ligë. E krijoi stereotipin për gazetarin si antipod i së vërtetës. Kësodore, çdo përmendje e gazetarit sot shoqërohet me hijen e shejtanit që nxjerr nga goja vetëm të pavërteta. Në këtë lojë fatale, të vërtetës së thënë nga gazetari zanatçi i zihet fryma nga fjala kuturu e thënë nga secili idiot në formën e një taksisti, berberi, pazarxhiu a bjerrakohësi në mejhanen e mëhallës. Një punë serioze gazetareske, për të cilën harxhohen orë të tëra qëmtimesh, leximesh e intervistimesh, mund të shkojë dëm përballë analfabetit digjital. Ai shërbehet nga libërthi i albinkurtizmit ku vihet shenja e barazimit mes gazetarit dhe armikut publik. Është koha të Kallxohet me ‘Krypometër’ ky realitet nga Jeta në Kosovë.

Col Mehmeti

Regjimi albinkurtist motikohë e di që nuk i bishtnon asnjë detyrimi ndërkombëtar.

Mbi rrënojat e secilit vizion të asgjësuar e secilës kauzë të tradhtuar, e vetmja arsye për të ekzistuar, raison d'être, është bërja realitet e një bashkësie me komuna serbe.

Më kot partia i shpenzoi 12 mijë euro për të mbajtur në Prishtinë “Konferencën Botërore të Organizatës së Rinisë Socialiste”, më kot investoi në iluzionin sikur është shtrojerë për lleftistët e shampanjës nga e gjithë dynjaja, pritjet e të gjithëve janë që ajo t’i kryejë detyrat e shpís.

Ai që u duk si mision mesianik përfundoi për ibret si një mision thjeshtësisht teknik që para vete ka sall jetësimin e detyrimeve ndërkombëtare për pakicën serbe.

Para fatalitetit, i sëmuri edhe mund të luajë me lëngatën duke ia ndërruar emrat.

VV-ja e dikurshme opozitare e rrënjosi në kulturën popullore e politike fjalën sllave ‘Zajednica’.

Duke e quajtur serbisht këtë organizim komunash, ajo veten e paqllaiste moralisht si mbrojtëse të gjithçkaje shqiptare, kurse të tjerët i nxinte me furçën e saj si argatë të Serbisë.

VV-ja e natyralizoi bindjen e rreme sikur ‘Zajednica’ ishte autorësi e filan politikanit që nuk kishte farë ndjeshmërie për vendin.

Në kushtet e një amnezie kolektive nuk ekzistonte hiçfare e kaluara, pra viti 2008 kur pavarësia u njoh me disa kushte.

I njohur në dialektin e politikës si gjashtëpikëshi i Ban Ki-moonit, raporti i ish-sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së ishte mesengjeri i parë nga bota për Kosovën e pas pavarësisë.

Ai e çoi selamin se shtetësia si proces i shkallëshkallshëm do të ecte dorëpërdore edhe me një status të përveçëm të pakicës serbe.

Megjithëse krijoi mite e legjenda ndër vite, vetë VV-ja do ta provonte shijen e pelimtë të kalimit nga bejtet poetike të opozitës pa përgjegjësi në prozën jofigurative të të qenit pushtet.

Edhe nëse nuk ua tha budallenjve nga secila kontigjencë moshore e sociale, Kurti qysh më 2022 e kuptoi që detyrimet ndërkombëtare ishin të pashmangshme.

Kur u kryengul keq në Ohër, aty ku e pranoi prerazi që Asociacioni ishte i paalternativë, ai vetëm deshi të fitonte ca kohë shtesë (ditë, javë e muaj) që zbatimi praktik i marrëveshjeve së paku të mos e përmbante nënshkrimin e tij.

Regjimi duhej vetëm ta lehtësonte sikletin e tij moral, ndaj nuk kishte zgjidhje tjetër pos të vihej në rolin e një cenzori gjuhësor.

Nuk duhet të quhet ‘Zajednicë’, por bashkësi, nivel vetëmenaxhimi ose çfarëdo formulimi tjetër evaziv që ka pas vete një shtensionim psikologjik.

Zbatimi praktik të Zajednicës do të ishte punë e kryer kaherë sikur Kurti do të kishte edhe dikë tjetër si komplicit, si bashkëfajtor, që ta merrte mbi vete peshën e mëkatit moral.

Në këtë dritë, furia e radhës për t’i hequr qafesh njëherë-e-mirë mediat është një nga aktet e fundit të një drame tragjike të nisur tash e pesë vjet.

Është, si të thuash, pushka e Çehovit sipas parimit narratologjik që një pushkë e varur në mur në aktin e parë të dramës do të shkrepet diku kah aktet e fundme të saj.

Kur VV-ja e krijoi shtetin e thellë dhe kur i mbërtheu me kthetrat e saj institucionet kyçe të sigurisë, ideja nuk ishte që kombi ta bënte gjumin rehat përballë armiqsh e fuqish dashalige.

Ideja ishte që komuniteti i inteligjencës dhe sigurisë të përbrendësonte modus operand-in e partisë.

Kjo ishte banalisht e thjeshtë në ligësinë e vet.

Ata që partia nuk i sheh me sy e ata që i mban mëri, shteti do t’i përçudnojë si kërcënime të sigurisë kombëtare.

Tash e pesë vite rresht, Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI) një pjesë jo të vogël të resurseve të veta i harxhon pikë-për-pikë për agjenda të partisë që i rri sipër shtetit.

Profesionistët, e betuar për të qenë dalazotës të interesave të shtetit e kombit, vihen në kërkim të ideve keqdashëse për të stimuluar kurthe e situata ku avatarët kryesorë mediatikë do të zezohen përfundimisht si zgjatime të Serbisë.

Anipse këto dallavere përbuzen nga inteligjencat e vendeve mike, agjentë e spiunë të VV-së, që tani mbajnë kartelat e AKI-së, me të madhe u fryjnë pëshpërimave sesi Beogradi nis për në Kosovë para me thasë e me çanta.

Këtë e përhapën prej vitesh dhe këtë e aktualizojnë edhe tani nëpërmjet kanaleve të mediave dashamire me albinkurtistët.

Një projekt mendjemjeshtëror (mastermind) do të vriste mendjen edhe për hollësitë më të imëta ashtu që përkryeshmëria e tij të jetë e plotë.

VV-ja në betejën e saj me mediat nuk është se e ka përsosur skemën e saj, jo të paktën sa për t’iu përgjigjur pyetjeve të tilla si “Nëse VV-ja e shtriu cep më cep autoritetin sovran të Kosovës, si u bë që armiku endte para me çanta e me thasë?”

AKI-ja, nën diktatin e albinkurtistëve, nuk ka pse të japë përgjigjje sa kohë që më e bereqetshme për ta duket shpërndarja e shpifjeve defamatore.

Prejse u shndërrua në një zyrë të VV-së, ky Agjencion është lamtumiruar me diskrecionin e ‘shenjtë’ siç e kërkon zeja e hafijeve të shtetit.

Në të vërtetë, lufta për t’i hequr qafesh armiqtë e partisë e ka dekonspiruar cullak gjithandej një rajoni që tallet me shtetbërjen e Kosovës.

Në terma më largvajtës, qëllimi përfundimtar është krijimi i një antigazetarie që shërbehet me të njejtat mjete lufte si vetë partia-shtet.

Nëse VV para do viteve e tmerronte njerëzinë sesi në Washington po mpreheshin thika mbi harta, antigazetaria e licensuar nga kjo parti njashtu i tmerron audiencat.

Thikat mbi harta tani zëvendësohen me invokim imazhesh me çanta e thasë me para që marrin gazetarët e zërat kritikë ndaj regjimit albinkurtist.

Faktvërtetimi, ky virtyt i gazetarisë bashkëkohore, këmbehet si mall pazari me imazhe që apelojnë në iracionalitetin e turmave dhe prirjen e pashuar për paranojë.

Një trashëgimi e tërë e gazetarisë konfrontuese – që kulmoi me qindra copëza investigative që shpërpushën plot vatra korruptive – do të vuajë peshën e shpifjeve nga pjesëtarë të fisit gazetar që u konvertuan në militantë pushteti.

Me zero dëshmi e dëshmiza, një i konvertuar ose disa sosh tani thonë se ka njerëz që marrin çanta me para nga Beogradi.

Po ta vinin mbi vete ‘krypometrin’ e verifikueshmërisë, ai sigurisht do të kallxonte për nivele të larta spekulimi të egër.

Përtej një vetëkorruptimi moral, konvertë të tillë po e dekurajojnë atë pak gazetari opozitariste që ka mbijetuar në botën shqiptare.

Ata e flasin me shembullin e tyre atë që regjimi nuk e thotë troç. Dhe kumti i zi është që gazetaria konfrontuese, opozitariste e komentuese nuk ka vend këtu.

I vetmi lloj i gazetarisë që mund të frymojë në këtë terratinë është ai që i përforcon stereotipet, klishetë e bestytnitë e regjimit.

Është antigazetaria, si vizion ideal i albinkurtistëve, që këto kategori i barazon si informacione të paqta, kurse copëzat e vërteta zhurnalistike e kritike i zhvlerëson si sajime e fjalërrena të paguara nga jashtë Kosove.

Kjo është një ditë nga Jeta në Kosovë...

Lajme të ngjashme