Intervistë e ëndërrt me zoti Pelikan Qorrin
Po i jetojmë ditët kur Shqipnía po na tretet para syve nga dhuna e shkrofëtimat e turmave. Protagonistët në krye të tyre besojnë se historisë, si aparat kazinoje, ia kanë rrëmbyer duarsh trofeun e madh. Ata kanë bindjen se në të ardhmen në libra historie do të mësohet për ‘revolucionin e pelikanëve’. Duke qenë se specia e flamingove u bë e njohur mu tani, si simbol i kauzës më të pakauzë, NACIONALE ka shkëputur një intervistë të ëndërrt me një përfaqësues të pelikanëve nga laguna e Nartës. Për arsye të mbrojtjes së identitetit të tij, pelikani i intervistuar me pajtimin e përbashkët do të quhet zoti Pelikan Qorri. Intervista është e vërtetë si një copë ëndrre dhe botohet e pacenzuruar.
CM: Zoti Pelikan Qorri, nuk gjejmë fjalë të mjaftueshme për të shprehur falenderimin që gjetët kohë për ne në këtë kohë qameti. A mund të na thoni se çfarë po bëhet me Zvërnecin dhe gjullurdinë që ka përfshirë Tiranën?
Pelikan Qorri: Një pyetje si kjo më bën t’i rrudh krahët e të skuqem flakë nga injoranca. Edhe pse jam përfaqësues i shpezërisë nga Laguna e Nartës, ne nuk jemi pyetur deri më tani për këtë kauzë, nuk na është kërkuar fare qëndrimi ynë, madje asnjëri nga protestuesit nuk e gjykoi me vend të rezervonte një vend për një përfaqësues pelikan në ndonjë panel diskutimi. Me sa kuptojmë ne, protestuesit duan më fort të flasin për pelikanët vetëm kur simboli ynë korruptohet, përvetësohet dhe bëhet i tyri. Sa e çuditshme që për Zvërnecin e hapësirën rrotull flasin të gjithë përveç vlonjatëve dhe pelikanëve lagunorë.
CM: Ju thoni se askush nuk ka kuvenduar me ju, dhe paradoksalisht komuniteti juaj përdoret si kredo e protestave? Si ështe e mundur kjo nga rinia përparimtare e gjithëpërfshirëse…
Pelikan Qorri: A nuk kanë thënë se i riu është si veriu? Më vjen keq ta them porse në tokën shqiptare shoh një rini shpirtkorruptuar e toksike që e tejkalon edhe politikën.
CM: Kosova nuk merr vesh fort nga jugu dhe shpesh pozicionimet e kosovarëve janë të tipit “për inati të resë më vdektë djali”. A mund të na shpjegoni shkurt e shqip për një fshatar të anëve tona se ç’është puna e Zvërnecit?
Pelikan Qorri: Punët e njerëzve janë të ndërlikuara dhe çdo shpjegim më duket sikur i ndërlikon gjërat edhe më shumë. Ne, si pelikanë qafëgjatë, jemi në dijeni se amerikanët duan të bëjnë një alamet investimi në Zvërnec. Ne pelikanët, si shpendë shtegtarë, shohim dhe dimë më shumë sesa ju njerëzit e pamësuar me botën. Investime të tilla ka pasur dhe ka edhe në bredgetin grek, edhe në Mal të Zi, Kroaci, me fjalë të tjera në krejt botën mesdhetare. Ju njerëzit dikur e keni pasur një filozof me emrin Ksenofon që thoshte se pasuria e pashfrytëzuar nuk është pasuri. Ne si pelikanë i njohim edhe letrat e bukura shqipe dhe Noli juaj dikur vjershëroi për njeriun fatkeq shqiptar “pranë detit i palarë”. Filozofia e tij lamentuese ishte që shqiptari kurrë nuk i shihte hajr begative të vendit të vet. Ne, si pelikanë, mendojmë që kjo është e para mundësi që toka shqiptare të japë fryte për banorët e saj duke u bërë tamam pasuri.
CM: Por revolucionarët e Tiranës, druaj, se nuk do të pajtoheshin me ju. Atë që e quani ju si investim, ata thonë se është grackë kapitalistësh, shitje toke shqiptare, shkatërrim e çka tjetër jo. Disa madje po na thonë se Izraeli po i zgjat duart e po na e merr një copë Shqipní…
Pelikan Qorri (qesh): Kjo puna me Izraelin është për të qeshur e për të qarë. Qeshim me injorancën tuaj sepse Izraeli nuk po investon e as nuk ka të bëjë me këtë projekt. Qeshim sepse antisemitizmi juaj ua shkon edhe atij të arabëve, ndonëse ju si shqiptarë nuk patët kurrë ndonjë qeder prej Izraelit. Me sa di unë, Izraeli e njohu edhe shtetin e dytë shqiptar, më korrigjo nëse jam gabim. Dhe më vjen për të qarë, siç edhe thashë më herët, sepse Izraeli dhe toka shqiptare janë dy botë që dallojnë si epoka mes vete. Në njërin vend ka zbritur mrekullia e teknologjisë, përparimit dhe bereqetit. Vendi tjetër Shqipníja, ose trevat shqiptare siç i quani, është gati ashtu si kur e bëri Perëndia: natyrë e ashpër që kurrë nuk u konvertua në bereqet për banorët e saj.
CM: Sa i zgjuar që je, për njat Perëndi! Zoti Pelikan, a nuk na thua pse kauzës së revolucionit pelikan i fryejnë kaq shumë në Heladhën fqinje?
Pelikan Qorri: Prandaj, unë e përsëris kudo se shqiptarët janë kaq të pamësuar me botën, madje edhe me fqinjërinë e tyre. Greqia, ose Heladha fqinje, ka bërë investime të tilla për turizëm elitar gjithandej vijës së saj bregdetare. Ajo dikur madje shiste dhe ishuj. E çuditshme që grekërit nuk gjenin arsyetime mjedisore për vendin e tyre, kurse tani palikarët grekë u bënë kaq të dhembshur për Shqipnín. Ironike, ë?
CM: Zoti Pelikan, a nuk na flisni pak më shumë për zanafillën tuaj si shpendë. Për shembull, a na thoni nga e keni prejardhjen, jeni vërtet ‘shqiptarë’?
Pelikan Qorri: Ne si pelikanë kemi historianë e specialistë tanë dhe mbase ata më mirë do ta shpjegonin historinë tonë shpendtare. Megjithatë, për hir te opinionit në Kosovë, po ju jap disa informacione të vogëltha. Si specie taksomaninë ose emrin shkencor e kemi “Phoenicopterus roseus”, dhe për herë të parë kështu na quajti Peter Simon Pallasi më 1811. Si pjesë e familjes “Phoenicopteridae”, historia jonë kthehet pas në kohë në oligocenin e vonë (pra rreth 25-30 milionë vite më parë), të paktën sipas gjetjeve fosile. Pra, ne jemi më të vjetër se ju pasardhësit e ilirëve ha ha ha! Pra, siç thonë specialistët, ne jemi specie vendëse në Mesdhe.
CM: E qartë, e qartë! Po n’Shqipní, o mik, kur u vendosët?
Pelikan Qorri: Këtu ka një keqkuptim të madh siç ngjan shpesh në opinionin shqiptar. Ne jemi shpendë migratorë, shtegtarë pra, dhe ne jemi si të thuash ‘qytetarë të Mesdheut’. Nëse e marrim pasaportën shqiptare, kjo nuk na bën domosdo zogj autoktonë të Shqipnís, apo jo? Dhe sa të çuditshëm jeni si popull. I shani hebrejtë se janë të ardhur, paçka se janë në tokën e tyre ancestrale, kurse neve, pelikanëve shtegtarë, na shpallni vendës, shqiptarë dembabadem.
CM: Keni qenë në Kosovë? Doni të vini edhe këndej Drinit?
Pelikan Qorri: Jo, ku i bie ky vend? Mos jeni gjë provincë në Turqi? Në Irak?
CM: Jemi shtet i pavarur ne…
Pelikan Qorri: Nuk e dija këtë, ca kosovarë nga mënyra si shpreheshin me zjarr për kalifate e devlete osmane më dhanë këtë përshtypje të gabuar. Çfarë ka në Kosovë, çfarë investimesh, se më bëre kurreshtar e vëllezërit pelikanë do të donin të dëgjonin për këtë vend ekzotik?
CM: Ka investime, si nuk ka. Së fundmi, udhëheqësi ynë investoi në një vadë uji në Lupç, ku mjafton vetëm heqja e një dërrase dhe arat tona njomen nga uji. Kemi ndërtuar një urë të vogël në Saradran dhe një tjetër edhe te liqeni i Badocit…
Pelikan Qorri: Qenkeni superfuqi në Mesdhe….besoj edhe të tjerët ua njohin këtë nam.
CM: Cila do të ishte porosia juaj e fundme për popullin shqiptar? Dhe çfarë do të ndodhë me protestat në Tiranë?
Pelikan Qorri: Po e përsëris, ne si pelikanë, ose flamingo po të na quani me një emër më ekzotik, kemi filluar të vendosemi e të shtohemi si specie në lagunën e Nartës nga 2025-a. Kjo domethënë se kolonitë tona nuk lidhen fort me ndërtimet, e aq më pak nuk konsiderojmë se një projekt katërmiliardësh do na e rrezikonte fisin. Ju themi shqiptarëve “Pranojeni projektin se rrallë ju troket në derë diçka e tillë!” E ardhmja e juaj është më e vlertë sesa fjalët e lleftistëve, islamistëve e toksikëve të tjerë. A nuk thoshte ai poeti juaj disident që atdheu juaj më kot kërkon lavdi në shekuj sepse njerëzit janë ata që ia japin të mbarën ose tersin një vendi. Si shqiptarë ju e burgosët veten për 50 vjet sepse edhe asokohe besonit se të rinjtë ishin të dëlirë dhe bota e propaguar nga ta ishte alternativa për shqiptarët. Protestuesit, më saktë krerët e tyre, për pak ditë do të zihen mes vete për flamurin e revolucionit dhe ky i fundit e ha kokën e bijve të vet. Do ta shihni…
CM: Faleminderit, zoti Pelikan për këto fjalë zemërdhënëse!
Pelikan Qori: Faleminderit edhe ty, Col. Tumirëmbeç!