Goja llapa-llapa - NACIONALE

Goja llapa-llapa

1 muaj më parë

nga Col Mehmeti

Secila rrahje e meriton kastigimin më të rëndë sepse përnjëherësh zhduket njerëzia dhe hapet sënduku i asaj bote survivaliste ku ekzistenca sigurohej nga fuqia fizike. Sidoqoftë, një akt i ri dhune nuk domethënë se dhuna rëndohet me disa dërhemë a kuintalë më shumë. Ajo është bërë motikohë pjesë e përditshmërisë publike që kur VV-ja e importoi një kulturë jotolerante nga një dreq-e-di se ku. Kjo kulturë pa sens llogarie, ku goja bën llapa-llapa në kurriz të dinjtetit njerëzor, e ka kthyer meta-realitetin virtual në varrezë masive. Aty jemi të pakallur në dhé ne të gjallët që na vritet ditëpërditë dinjiteti, emri, integriteti e gjithçka e sanktifikuar. Regjimi albinkurtist për gjashtë vite e kusur e pati kohën e botës ta vinte para drejtësisë secilin që e kishte shpërfytyruar si armik publik. U pa që ky regjim bozosh nuk ishte i interesuar ta linte drejtësinë të peshojë faje e të marrë verdikte. Albinkurtizmi e ndjesoi ‘drejtësinë’ si liri të pakufizuar për të ngritur ‘aktakuza’ popullore, jashtëgjyqësore, aso që kanë formën e gjuhës johumane, shpërfytyruese e dinjitetvrasëse.

Col Mehmeti

Në kohë të Zogut, rrugaçët me delire të majta kishin filluar t’u binin në qafë njerëzve.

Deputetë e njerëz që ishin duke shkuar pas punëve të veta poshtëroheshin me fjalë nga të rinj toksikë që iu dilnin në rrugë.

Një ditë ata i zunë pritë edhe Sali Vuçitërnit (1881-1949), vushtrriasit tonë që i shërbeu zelltarisht shtetit shqiptar si deputet e ministër.

Ky nuk i la fare t’i aviteshin se e nxori vrikthi nga palltoja revolverin dhe rrugaçët ikën me të katra.

Ata do të hakmerreshin dekada më vonë kur si komunistë e morën pushtetin dhe vunë në cung kokën e secilit atdhetar e firmëtar të pavarësisë.

Kjo historizë e harruar e zotit Vuçitërna, burrë impozant e sojli, vjen vetëvetiu si referencë nga e kaluara për gjendjet e egra hobssiane ku suspendohet çdo njerëzillëk dhe mbrojtja duhet të bëhet sipas sharteve të vjetra.

Mund të diskutohet gjerë e gjatë se a mësoi VV-ja shoqërinë me kulturën e gojështhurjes apo thjesht VV-ja e bëri të veten një kulturë që e gjeti të gatshme në shoqëri.

Ka argumente për të dyja pohimet, por ideja e këtyre radhëve nuk është matja e tyre në peshore.

Ajo që po e shkatërron fibrën e çdo morali shoqëror është po kjo kulturë e fëlliqtë që nga politika merr zemër të tejkalojë çdo kufi në kurriz të dinjitetit njerëzor.

Po të endesh rrugëve e nëpër kafene, kudo në vende publike, peizazhi ynë social duket fare normal.

Njerëzit duken të qetë, secili rri me trastën e gajleve të veta, presin qytetarisht në semaforë, mbajnë radhë, me fjalë të tjera duken si një komunitet normal që gjallnon me një minimum respektueshmërie të shoqishojtë.

Por, ky idil zhdavaritet sapo të njejtit njerëz zhveshin maskat societale dhe mbeten cullak në një përbindshmëri të frikshme, oh sa shumë të frikshme.

Kur njeriu mesatar kthehet nga jeta përtej shtëpisë e hyn në dhomën e vet virtuale (eco chamber), ai aty shpërthen çnjerëzisht.

“Mirëdita”, “Si je?” a “Si kalon?” zhduken jo vetëm nga fjalori e buzëqeshja e shtirur, por edhe nga qenia që tani e tutje mbushet me diçka djallëzore.

Është një guxim i marrë të cilin e therr me mamuze nxitëse mundësia e infinitshme e internetit, aftësia teknologjike për të invaduar njerëz në largësi të ndryshme.

Konflikti politik vërtet sjell mosdashje mes njerëzish, por ai është hajri i një demokracie që në behanet e veta ontologjike u bën vend edhe egërsive.

Sepse në tejzgjahun e vet civilizimi demokratik e neutralizon dora-dorës egërsinë me praninë e paanashkalueshme të Tjetrit dhe nevojës për të vepruar me konsensus.

Por, kultura e gojështhurjes, së paku në tërbimin e vet provincial, pak e hiç shëmbëllen konfliktin normal politik.

Ajo është një vullnet i mbrapshtë që jeton për të parë një shoqëri që i ha bijtë e bijat e saj.

Koineja, ose përbashkësia, është e mundur vetëm kur secili ndjen se dinjiteti i respektohet ipso facto, edhe kur mban këtë ose atë avatar politik.

Koineja është e mundur sepse besojmë që shoqëria na respekton në një minimum gjërash, dhe shteti bëhet dorëzan i kësaj të drejte.

Njerëzit kësisoj heqin dorë nga survivalizmi e drejtësia vendçe, nuk i shohin më thikat, revolverët e vendetën si garancë të dinjitetit vetjak.

Por kultura e gojështhurjes virtuale nuk e ka këtë dert; ajo do ta anashnxjerrë shtetin dhe të livadhisë në një xhungël ku nuk jepet llogari për sharjen e fyerjen.

Meta-realiteti shqiptar, më së shumti ai në Kosovë, nuk është më as vend ku merr informacion, as korzo ku socializohesh me miq që i njeh e nuk i njeh.

Ai është asgjëmangut pos një varrezë masive e njerëzve të gjallë që po iu vritet dinjiteti herë për një opinion, herë për një trashëgimi e herë vetëm pse ekzistojnë.

Kur na fyejnë e na poshtërojnë virtualisht, ne shpesh jemi dëshmitarë të pafuqisë banale të ligjit.

Hëpërhë, është një Ligj kundër Shpifjes dhe Fyerjes, ku i cënuari me gjasmë mund të ushtrojë padi civile ndaj ofenduesit.

Por, një padi e tillë është pashpresa vetë sepse gjykatat e mbingarkuara e të avashta as nuk kanë nge të merren me to.

Një padi e tillë përfundon e fundit në një stivë padish civile, kryesisht me fesate pronësore, që do të thotë se ajo ose do të parashkruhet ose do të përfundojë si rrangallë e protokolluar.

Në një situatë të tillë u gjeta edhe vetë kur muaj më parë një i sëmurë psiqik, një provincial i mbetur përjetësisht midis kompleksit të fshatit dhe injorancës së tij, një klerik që merr 300-400 euro rrogë nga BIK-u, më fyu e më shau nga largësia.

As që dija për ekzistencën e tij dhe as ai për timen.

Por, kultura e gojështhurjes e trimëron secilin, ia jep mundësinë virtuale që nga gjytyrymi të shndërrohet në hukubet, gjithnjë në iluzionin se të njeh.

Nuk gajlohem e as trazohem kurrën e kurrës nga barbarët e fshatit, nga palestinezët online apo nga të sëmurët psiqikë që veshin xhybenë e hoxhës.

Unë vetëm e shijoj inferioritetin e tyre eternal ku edhe shqipja e tyre fjalëpakët dhe e keqshkruar i ka dënuar për së gjalli.

Megjithatë, nuk mund të mos skandalizohem thellë nga ideja e kollajllëkut për të invaduar reputacionin e tjetrit pa e njohur as minimalisht.

Në Janinën e viteve 1800, në atë qytet të cilin bota po e njihte si kryeqytet të Shqipnís, një ditë i rrahën paq midis piace disa nga të stafit të konsullatës franceze.

Pukëvilli idhnak si konsull brofi menjëherë te Ali Pasha që të ankohej për dhunën e pësuar.

Mon pacha…” (pasha im) na bëhet sikur e dëgjojmë konsullin francez tek i tregon fije për pe sesi iu rrahën njerëzit e stafit.

Pasha tepelenas duhet ta ketë dëgjuar duke e fërkuar mjekrën e bardhë dhe do t’i ketë premtuar se kjo punë do të hetohej.

Dhe pas disa dite, kur u kryen hetime mirë e mirë, e thirri Pukëvillin.

Doli që vetë stafi arrogant i konsullatës franceze e kishte rrahur një çun në pazar e pastaj të afërmit e tij ishin hakmarrë duke i shtruar në dru françuzat.

I rrahuri të rrahë”, iu përgjigj Ali Pasha si për t’i thënë Pukëvillit se kjo punë ishte mbyllur me lex talionis-in e vet mijëvjeçar.

Lajme të ngjashme