Gjykata Speciale dhe rreziqet e drejtësisë së njëanshme - NACIONALE

Gjykata Speciale dhe rreziqet e drejtësisë së njëanshme

2 javë më parë

nga NACIONALE

Shkruan: Abit Hoxha

Kur Dhoma e Specializuar e Kosovës dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar u bënë funksionale, ajo hyri në një peizazh politik pothuajse të pakrahasueshëm me atë të menjëhershëm pas luftës së Kosovës. Peizazhi politik ne BE dhe institucionet e Këshillit të Evropës ishte gjithashtu krejt tjetër prej sot. Pas akuzave morbide të Senatorit Zviceran Dick Marty me iniciativën e disa Deputetëve nga Parlamenti Evropian që vinin nga qarqe kryekëput anti-Evropiane u krijua fusha e veprimit për presionin politik ndaj Kosovës.

Dhomat e Specializuara, erdhën si rezultat I manifestimit të propagandës Serbe dhe Ruse e në esencë anti-Kosovare dhe jo si kërkesë për drejtësi. Kjo ndërhyrje e filluar nga akuza konspirative dhe të dyshimta politike nga asetë të propagandës Serbe në Evropë, ka shndërruar një proces juridik të përgjegjësisë individuale në diçka shumë më të brishtë: një institucion që gjeneron pasoja juridike, politike në tërë hapësirën e Ballkanit.

Me krijimin e aktakuzës për “Ndërmarrje të Përbashkët Kriminale”, kjo gjykatë rrezikon vetë themelin e shtetësisë së Kosovës. Duke pretenduar se Komandanti i Përgjithshëm I NATOs, dhe zyrtarët tjerë të Departmentit të Shtetit, nuk kishin informacionet e “duhura” për UÇK-në, prokuroria tenton të vë në lajthitje Gjykatën dhe rishkruaj historinë e re të Kosovës.

Kryengritja ndaj pushtimit dhe represionit të dhunshëm nuk është krim. Pas shterrjes së rezistencës paqësore, Kosova ka pasë opsionin e nënshtrimit ose rezistencës me luftë. Rezistenca ndaj sistemit kriminal serb të Millosheviqit ka qenë e drejtë dhe e duhur.

Akuzat për veprime kryengritëse ndaj aparatit të dhunës shtetërore janë antitezë për lirinë. Me këtë kornizë të prokurorisë, të gjithë ushtarakët në Ukrainë janë në kundërshtim me rregullat e drejtësisë sepse kundërshtojnë sistemin e okupimit Rus.

Por, kjo gjykatë nuk është e interesuar të shërbej drejtësinë për viktimat por është e interesuar të kriminalizoj veprimet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të rishkruaj rrëfimin për luftën e Kosovës në sallë gjyqi larg vendit ku u zhvillua lufta.

Asimetria e parashikuar në mandatin e Dhomës së Specializuar qëndron tek institucioni i autorizuar të ndjekë penalisht vetëm krimet e kryera nga individë të lidhur me UÇK-në, por jo krimet, shumë më të mëdha në shkallë, të kryera nga strukturat shtetërore serbe.

Drejtësia tranzicionale mbështetet jo vetëm në rregullsinë juridike, por edhe në pranueshmërinë shoqërore. Drejtësia e dorëzuar në këtë mënyrë dhe vetëm për Shqiptarët, humbet saktësinë e qëllimin e saj.

Në aspektin juridik, ky kufizim rrjedh nga kompromiset politike që mundësuan themelimin e gjykatës dhe si rezultat i ideve të balancimit të krimeve për qëllime politike. Në aspektin historik, megjithatë, krijon rrezikun e shtrembërimit të vetë të vërtetës për rezistencën, kryengritjen dhe natyrën e luftës.

Teoria e drejtësisë tranzicionale paralajmëron vazhdimisht se legjitimiteti i një mekanizmi të drejtësisë nuk varet vetëm nga korrektësia procedurale, por edhe nga drejtësia e perceptuar. Gjykatat mund të pretendojnë neutralitet, por shoqëritë i vlerësojnë ato në bazë të shtrirjes së tyre, heshtjeve të tyre dhe peizazhit politik ku ndërhyjnë.

Kur një konflikt i shënuar nga dhuna shtetërore e njëanshme rihapet përmes një mekanizmi gjyqësor që shqyrton vetëm veprimet e atyre që iu kundërvunë asaj dhune, rezultati nuk është drejtësi, por shtrembërim. Drejtësia e njëanshme nuk korrigjon të vërtetën historike; thjesht e shtrembëron atë në mënyrë perverse.

Efekti politik i një gjykate që kufizon veten vetëm në krimet e atribuara aktorëve shqiptarë të Kosovës, duke krijuar një hierarki të viktimës bie ndesh me përvojën reale të luftës. Krimet e shtetit serb si masakrat, dhunimet seksuale, dëbimet masive, dëmtimet ekonomike, fushatat e terrorit, si dhe dhuna kulturore që zgjati me dekada, shfaqen vetëm si kontekst, jo si boshti kryesor rreth të cilit u zhvillua lufta.

Në arkivat që gjykata prodhon, këto realitete mund të përfundojnë të margjinalizuara, ndërsa dokumentet gjyqësore do të fitonin statusin e burimit “zyrtar” për studiuesit e së ardhmes, jo pse përmbajnë një rrëfim të plotë, por sepse fuqia dokumentare e gjykatave e tejkalon shpesh kujtesën publike. Këto dokumente, krijojnë të vërtetën e bazuar në gjykata që nuk është e vërteta e plotë.

Pasojat politike janë të thella dhe të pakthyeshme. Serbia i instrumentalizon proceset e Dhomës së Specializuar për të argumentuar se udhëheqja e Kosovës gjatë luftës ishte thelbësisht kriminale, narrativë që i shërben strategjisë së saj për të delegjitimuar shtetësinë e Kosovës.

Bashkimi Evropian e sheh gjykatën si provë të “pjekurisë demokratike” të Kosovës, duke e vendosur barrën e bashkëpunimit kryesisht mbi Prishtinën, ndërsa rrallëherë ushtron presion të ngjashëm mbi Beogradin për mungesën e tij të llogaridhënies.

Nëse drejtësia tranzicionale synon të kontribuojë në paqe dhe pajtim, ajo duhet të jetë njëkohësisht gjithëpërfshirëse. Dhoma e Specializuar e Kosovës nuk plotëson asnjërën prej këtyre dy kushteve. Drejtësia e fokusuar vetëm në një grup autorësh në një konflikt të karakterizuar nga dhunë e pabarabartë, nuk mund të perceptohet si drejtësi universale, por si ndërhyrje politike.

Në këto rrethana, pyetja nuk është nëse Gjykata do të arrijë dënime, por nëse vetë struktura e saj nuk rrezikon të minojë parimin më themelor të drejtësisë tranzicionale dhe vendosë precedent juridik për vendet tjera. Deri më tani, kjo gjykatë ka dështuar në parimin se drejtësia duhet të jetë e gjithanshme për të qenë e vërtetë.

“Pikëpamjet e shprehura në këtë artikull i përkasin vetëm autorit dhe nuk përfaqësojnë qëndrimet e asnjë institucioni apo organizate.”

Lajme të ngjashme