Fushata jozyrtare: propaganda, keqinformimi dhe inteligjenca artificiale
Shkruan: Festim Rizanaj
Që nga momenti kur Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, shpalli datën 9 shkurt 2025 si datën e mbajtjes së zgjedhjeve të rregullta parlamentare për Kuvendin e Kosovës, partitë politike nisën menjëherë një parafushatë elektorale. Kjo periudhë, që shënon parapërgatitjen e tyre për garën elektorale, u karakterizua nga një intensifikim i përpjekjeve për të fituar mbështetjen e votuesve.
Me afrimin e datës së zgjedhjeve, kjo fushatë jozyrtare mori një hov edhe më të madh. Komunikimi politik u bë më i ngjeshur, duke përfshirë përdorimin e strategjive të ndryshme propagandistike dhe një angazhim të shtuar në platformat sociale. Ky angazhim shpesh kaloi në keqpërdorim, duke përfshirë përhapjen e keqinformimeve dhe dezinformatave në rrjete sociale, të cilat synonin të ndikonin në opinionin publik dhe të formësonin bindjet e votuesve në mënyrë të padrejtë.
Propaganda astroturfing
Propaganda është një formë komunikimi e sponsorizuar që përdor përmbajtje emocionale dhe të njëanshme për të ndikuar në opinionin dhe sjelljen publike, gjithmonë në shërbim të interesave të propaganduesit. Në epokën digjitale, mediat sociale janë bërë platforma kryesore për komunikimin politik, duke ofruar një mënyrë praktike dhe të shpejtë për të arritur tek publiku dhe për të formësuar qëndrimet e tij.
Një teknikë manipulimi e përdorur gjerësisht në këtë mjedis është propaganda astroturfing, i cili paraqet një fenomen të krijuar artificialisht si një lëvizje spontane me mbështetje publike. Kjo strategji maskon sponsorët e vërtetë, duke publikuar komente dhe përmbajtje që duket se vijnë nga qytetarë të zakonshëm, me qëllim krijimin e përshtypjes se një politikë, ide apo produkt është shumë i popullarizuar. Në këtë mënyrë, ndikon në perceptimin publik dhe manipulon diskursin shoqëror në mënyrë të fshehtë.
Gjatë fushatës paraprake të zgjedhjeve të vitit 2021, Lëvizja Vetëvendosje përdori propagandën astroturfing për të ndikuar në opinionin publik përmes mediave sociale. Kjo strategji përfshinte krijimin e një përshtypjeje virtuale për mbështetje masive, duke përdorur statistika, grafa, sondazhe, dhe artikuj të sponsorizuar për arritjet e pushtetit. Fokusi ishte në slogane emocionale dhe përmbajtje të shkurtër pa kontekst, që shfrytëzonin mikrotargetimin për të përforcuar bindjet ekzistuese të qytetarëve.
Kjo formë e komunikimit politik e fokusuar në emocione dhe jo në racionalitet, shërben për të neutralizuar kritikat dhe për të krijuar iluzionin e një mbështetjeje të gjerë. Përmes psikografisë së audiencës dhe komunikimit të dekontekstualizuar, Lëvizja minimizon nevojën për ndërmjetësim nga media tradicionale. Si rezultat, ajo arrin të dominojë diskursin publik në mediat sociale, duke e përdorur propagandën për të përmbushur qëllimet e saj politike dhe për të formësuar perceptimet e opinionit publik.
Kjo formë propagande është vërejtur përsëri gjatë fushatës jozyrtare për zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, ku Lëvizja Vetëvendosje, si dhe partitë tjera si LDK dhe PDK, përdorën strategji të ngjashme. Në këtë periudhë, propagandimi përmes mediave sociale përfshinte krijimin e përshtypjeve virtuale për mbështetje masive, shpërndarjen e statistikave të favorshme dhe përdorimin e sloganeve të shkurtër emocionale për të mikrotargetuar audiencën dhe për të përforcuar bindjet ekzistuese të votuesve.
Këto teknika synonin dominimin e diskursit publik dhe shpesh shfaqnin një mungesë të theksuar të thellësisë argumentuese. Përmes postimeve të sponsorizuara dhe aktiviteteve virtuale, partitë politike manipulonin perceptimet e qytetarëve, duke krijuar një iluzion të mbështetjes së gjerë për qëndrimet dhe politikat e tyre. Kjo qasje vazhdon të theksojë rëndësinë e komunikimit psikopolitik dhe ndikimit në opinionin publik në epokën e mediave digjitale.
Keqinformimi
Monitorimi nga hibrid.info tregon një trend të vazhdueshëm të përhapjes së informacionit të pasaktë në mediat sociale shqip. TikTok, veçanërisht, ka parë një rritje të keqinformimeve kohët e fundit, duke u bërë një burim shqetësues që ndikon në formësimin e opinioneve përmes përmbajtjeve manipulues dhe të pabazuara.
Formati unik i TikTok-ut, i cili favorizon përmbajtjet e shkurtra dhe vizualisht tërheqëse, e bën këtë platformë veçanërisht të përshtatshme për përhapjen e keqinformimeve. Përmes videove të thjeshta, por shumë të ndikuese, shpesh ofrohen interpretime të shtrembëruara ose të rreme të ngjarjeve aktuale, duke arritur shpejt një audiencë të gjerë dhe të larmishme.
Një nga fushat më të prekura është politika, ku përmbajtjet e manipuluara dhe të pavërteta lidhen kryesisht me proceset zgjedhore dhe sondazhet e rreme. Këto përmbajtje jo vetëm që krijojnë perceptime të gabuara te përdoruesit, por gjithashtu minojnë besimin në proceset demokratike dhe kontribuojnë në polarizimin e mëtejshëm të opinionit publik. TikTok, për shkak të natyrës së tij virale, ka potencialin të amplifikojë këto ndikime në një shkallë alarmante.
Sondazhet para zgjedhjeve janë kthyer në një praktikë të zakonshme në Kosovë, por kjo ka hapur rrugën për manipulime të shumta. Në TikTok publikohen dhe ripublikohen sondazhe të rreme, të manipuluara, të vjetra apo të edituara, duke krijuar konfuzion dhe ndikim të pavërtetë mbi opinionin publik. Këto taktika keqinformuese jo vetëm që dëmtojnë besimin në proceset zgjedhore, por gjithashtu përdoren për të orientuar perceptimet e votuesve në favor të grupeve të caktuara politike.
Liderët dhe anëtarët e partive politike shpesh bëhen objekt i fabrikimeve, ku deklaratat e tyre të mëparshme manipulohen ose nxirren jashtë kontekstit për t’u lidhur me situatën aktuale politike. Këto dezinformime synojnë të forcojnë narrativat politike ose të diskreditojnë kundërshtarët, duke kontribuar në një mjedis të polarizuar dhe të mbushur me mosbesim ndaj figurave publike.
Inteligjenca artificiale
Duke marrë parasysh përdorimin e avancuar të inteligjencës artificiale në fushatat zgjedhore në disa vende të botës, sidomos për krijimin e videove dhe imazheve deepfake, ka pasur paralajmërime për mundësinë e përdorimit të këtyre teknologjive edhe gjatë fushatës zgjedhore për 9 shkurt 2025 në Kosovë. Këto teknologji, të cilat mund të krijojnë përmbajtje të rreme që duken shumë reale, mund të përdoren për të manipuluar opinionin publik, duke shpërndarë video dhe deklarata të fabrikuara që mund të ndikojnë në perceptimet e votuesve.
Gjatë fushatës jozyrtare për zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, janë identifikuar dy forma të përdorimit të inteligjencës artificiale. E para është krijimi i llogarive të falsifikuara në mediat sociale, të cilat përdoren për të integruar propagandën astroturfing dhe për të shpërndarë mesazhe të partisë. Këto llogari, që paraqiten si individë të zakonshëm, shpesh përdorin imazhe të gjeneruara nga inteligjenca artificiale, si fotografi të njerëzve që nuk ekzistojnë në realitet, për të krijuar një përshtypje të rreme të mbështetjes publike.
E dyta, e identifikuar nga mediat, është përdorimi i fotografive të gjeneruara nga inteligjenca artificiale për të ilustruar premtime infrastrukturore, si stadiume, objekte teatrit dhe operës, etj. Këto imazhe krijojnë një iluzion të projekteve premtuese, por nuk ofrojnë asnjë informacion konkret ose prova për realizimin e tyre, duke ngritur dyshime te publiku në lidhje me mundësinë e realizimit të këtyre projekteve.