Fshati i zi e trashi dosjen kundër UÇK-së - NACIONALE

Fshati i zi e trashi dosjen kundër UÇK-së

3 javë më parë

nga Col Mehmeti

Col Mehmeti

Koha po numëron së prapthi tani kur pritet të rrahë çekani për vendimin përfundimtar të Gjykatës Speciale.

Vetëm në këto momente nis e kuptohet përmasa e një vullneti të madh politik për hakmarrje, siç ka qenë procesi gjyqësor gjashtëvjeçar.

Gjykata Speciale, prej themelimit e deri më sot, e pati çdo mundësi të ishte areopag i mirëfilltë drejtësie, shumë më i mirë sesa cilado instancë e krijuar nga OKB-ja që do të mbushej me prokurorë e gjykatës rusë, kinezë, indianë e të tjerë nga bota e tretë.

Kjo gjykatë ishte absurdshëm si ouroborosi, gjarpëri që e ha bishtin e vet në një cikël vetëshkatërrimi.

Ajo u ngjiz si trupë që do të shkërmoqte pretendimet për trafikim organesh, më pas iu ra trumpetave se do të merrej me krime pavarësisht etnive, dhe në fund doli të ishte një trupë speciale vetëm kundër UÇK-së dhe prijësve të saj politikë e ushtarakë.

Aq abhorrente ishte sa integriteti i Gjykatës Speciale u shkel prej vetë asaj.

Çdo vendim fajësues a shfajësues do ta vuajë përjetësisht blanën e një gjykate që fillimisht e pati vullnetin dhe caktimin për të dënuar e eliminuar, e pastaj validoi prova, dëshmitarë e dosje nga Serbia dhe nga fshatarë analfabetë nga Kosova.

Vetëm nga një kundrim i kronikave të kolegut tonë në redaksi, Besian Beha, kuptohet sesi ky vullnet morbid krijoi histori në vete me turlifarë shkelje.

Megjithëse brenda Gjykatës funksionoi edhe Avokati i Popullit, ai nuk miratoi as një ankesë të vetme të të akuzuarve. Kështu, “nga 36 ankesa, 21 u vlerësuan si të papranueshme, 5 u tërhoqën nga ankuesit, 8 të tjera u rrëzuan”.

Si një Der Process kafkian, ajo nuk pyeti as për proceduralizëm, as për rituale e as për rregulla duke i mbajtur të akuzuarit pezull.

Megjithëkëtë, prokurorë e gjyqtarë në arrogancën e tyre nuk rëndojnë aq shumë sa sjellja perverte e një pjese të madhe të publikut kosovar.

Kur u lëshuan fletëarrestet para gjashtë vitesh, plot njerëz fluturuan nga gëzimi.

Këto skena ligësie pak e hiç ishin kremte a psherëtima lehtësimi se u eliminuan nga skena politike njerëz kundërshtarë.

Ishte kjo ndjesia triumfuese e mjediseve tona fshatareske që inkubojnë rrena, shpifje e thashetheme.

Një kulturë që edhe në postmodernitet e ruan thelbin e vet oral, ajo me siguri edhe do të prodhojë dëshmi orale që nuk gajlohen fort për vërtetësi.

Oraliteti shpifës tekstualizohej hem nga Serbia që angazhonte strukturat e saj inteligjente, hem nga EULEX-i, e hem nga Haga.

E parë puna nga kjo dritë, nuk duhet të na brejë fakti pse Serbia me armatën e saj me prokurorë, sigurimsa e agjentë deponoi dosje mijërafaqëshe kundër UÇK-së.

I pakuptimtë është vetëm pisllëku kulturor i njeriut mesatar te ne që mbiprodhon konfabulime në kufijtë e të pabesueshmes.

Kësodore, unë refuzoj ta shoh Tribunalin në Hagë si një përplasje të ndershme mes akuzuesish dhe të akuzuarish.

Aty nuk u dha as mundësia e asaj që në frëngjisht i thonë “L’acussé devient accusateur” (I akuzuari akuzon). Kjo nuk ngjau vetëm pse Tribunali i ndjesonte të akuzuarit si robër lufte.

Shifrat nganjëherë janë më domethënëse se vetë fjalët: nga 125 dëshmitarë, 72 syresh ishin anonimë për publikun.

Kjo ishte, pra, tribuna e lirë e fshatarit ballkanik që rrëfen e dëshmon me të dëgjuara.

Edhe kur dëshmitarë të tillë nxiteshin me të shtyra e me pyetje sugjestive nga prokurorë e gjykatës, dëshmitë e tyre shpërthenin si tullumbace në banalitetin e tyre.

Nga shqipja e tyre e varfër, me anakolouthon-a, dëshmitë e tyre përcilleshin në anglisht me plot formulime qesharake ‘I’ve heard…’, ‘Word has it’, ‘It’s said that…’, ‘So I’m told’, ‘From what I hear’ e kështu me radhë.

Një plak i rrjedhur, duke dhënë dëshminë e tij kundër krerëve të UÇK-së, pati thënë: “Ju as gjakun shqiptar nuk e keni, kqyrne ADN-në, ju nashta folni shqip...

Kjo deklaratë, përveç përkthimit simultan, duhet të jetë transkriptuar edhe në anglisht mbase në një formë të tillë: “Even your blood is not Albanian, take a DNA test, you maybe speak Albanian…”

Çfarë të bëjë njeriu përballë dëshmitarësh të tillë?

Këto pisllëqe, për fat të keq, janë idioma e provincializmit kosovar.

Ato kanë kuptim vetëm në kontekste thellësisht katundareske e retrograde, ku si dërguesi ashtu edhe pranuesi janë njësoj kllosharë e njësoj injorantë.

Ngjan vërtet e pabesueshme që provincializmi ynë ka marrë aq shumë trajta të serbizmit, ndaj atij që bëhet se gjoja e lufton.

Megjithëse proserb, gazetari britanik Herbert Vivian më 1904 vuri re mes serbëve të Kosovës diçka që e skandalizoi.

Në çdo takim me të, ata nuk dinin gjë tjetër çfarë t’i thoshin pos të vajtonin e të kalonin kohën duke përsëritur tregime vrasjesh që zor se gjenin ndonjë mbështetje.

Shumica e tyre përfundonin gojëmemec kurdo që iu kërkohej ndonjë hollësi për t’i mbështetur akuzat e tyre.

Sjellja e tyre është e fshehtë; ata flasin me pëshpëritje edhe kur s’është nevoja e ndonjë fshehtësie”, vuri në dukje Vivian.

Një vit më vonë, këtë e pranoi edhe vetë zëvendëskonsulli serb në Prishtinë, Milan Rakiq.

Në një letër të gjatë që ua niste eprorëve të tij në Beograd, ai përpiqej të shpjegonte arsyet pse shumica e raporteve që dërgoheshin në qendër ishin vetëm për vrasje.

Pikësëpari, thoshte Rakiqi, fshatarët serbë (seljaci) kanë qejf të kallëzojnë gjëra përtej të vërtetës (“mnogo više pričaju nego što ima istine”)

Kjo domethënë se fshatarët gënjenin pa skrupuj!

Pikësëdyti, korrierët lajmsjellës të konsullatës serbe ishin fort dallaverxhi (“vrlo pokvareni ljudi”) që gënjenin vetëm sa për të ndukur ndonjë përfitim.

Pikësëtreti, sipas vetë Rakiqit, konsullata serbe e kishte një dobësi (“jednu slabost”) ashtu që një fakt të vetëm (“činjenici”) e përgjithëson.

Këto syzime të shkruara 120 vjet më parë janë shkruar për serbët e Kosovës dhe paradoksalisht ato manifestohen sot nga një pjesë e shqiptarëve kosovarë.

Pati të drejtë shkrimtari frëng François Mauriac kur tha: “L'épreuve ne tourne jamais vers nous le visage que nous attendions.” (Gazepi kurrë nuk na e tregon fytyrën që e presim”)

Lajme të ngjashme