Festa e Bajramit – traditë dhe përjetim shpirtëror në kulturën tonë - NACIONALE

Festa e Bajramit – traditë dhe përjetim shpirtëror në kulturën tonë

3 muaj më parë

nga NACIONALE

Shkruan: Ramadan Shkodra

Festa e Bajramit është ndër festat më të dashura dhe më të përjetuara në kulturën tonë, e rrënjosur thellë në identitetin shpirtëror, fetar dhe shoqëror të popullit tonë. Edhe pse në periudha të ndryshme historike janë bërë përpjekje për të zbehur rolin e besimit – qoftë përmes presioneve ideologjike apo sistemore – ai ka mbetur i gjallë në shpirtin e njerëzve, duke u manifestuar fuqishëm në festa të tilla si Bajrami.

Kjo festë vjen pas një muaji të bekuar si Ramazani, i cili është përjetuar me agjërim, përkushtim, vetëpërmbajtje, sakrificë, solidaritet dhe humanitet. Bajrami shënon përmbylljen e kësaj periudhe të veçantë reflektimi dhe afrimi me Zotin, duke sjellë me vete një ndjenjë gëzimi, lehtësimi dhe shprese për shpërblim hyjnor.

Atmosfera festive fillon që në iftarin e fundit të Ramazanit, në natën e Bajramit, kur zemrat mbushen me gëzim dhe mirënjohje. Besimtarët e presin këtë moment me emocion të veçantë, duke ndjerë se sakrifica e tyre është pranuar dhe se po hyjnë në një ditë të bekuar.

Përgatitjet për Bajramin në familjet tona kanë qenë gjithmonë të hershme dhe plot gjallëri. Qysh në fillim të Ramazanit, interesimi për datën e festës dhe kohën e faljes së namazit të Bajramit ishte i madh, ndërsa me afrimin e fundit të muajit të agjërimit, sidomos pas Natës së Kadrit, fillonin përgatitjet intensive. Shtëpitë pastroheshin me kujdes të veçantë, rregulloheshin oborret dhe ambientet përreth, duke reflektuar pastërtinë dhe bukurinë që i shkon kësaj feste.

Një vend të veçantë zinte përgatitja e sofrës së Bajramit. Gratë e shtëpisë, me përkushtim dhe mjeshtëri, përgatisnin ëmbëlsira tradicionale si bakllavaja, e cila mbetet simbol i kësaj feste, si dhe pite të ndryshme e gatime të tjera karakteristike. Për fëmijët, gëzimi shtohej edhe më shumë me rrobat e reja dhe dhuratat modeste, që e bënin festën edhe më të veçantë.

Dita e Bajramit nis herët, që në agim. Besimtarët zgjohen, pastrohen, marrin abdes dhe vishen me rrobat më të mira për t’u drejtuar drejt xhamive. Pas faljes së namazit të sabahut dhe ligjëratës së imamit, falet namazi i Bajramit – një akt adhurimi me karakter festiv, i cili pasohet nga urimet e përzemërta dhe përqafimet ndërmjet besimtarëve.

Atmosfera jashtë xhamive është po aq e gjallë dhe e ngrohtë. Në shumë vende, festa shoqërohej me aktivitete të ndryshme shoqërore dhe sportive, si gara në vrapim, hedhje guri, kërcime apo edhe gara me kuaj. Këto aktivitete jo vetëm që e gjallëronin festën, por edhe forconin lidhjet ndërmjet njerëzve dhe komunitetit.

Pas kthimit në shtëpi, Bajrami vazhdon në rrethin familjar. Një traditë e ruajtur ndër breza është vizita në varrezat e të afërmve, ku bëhen lutje dhe përkujtohen ata që nuk janë më, duke e bërë festën edhe një moment reflektimi dhe lidhjeje shpirtërore me të kaluarën.

Më pas, familjet mblidhen rreth sofrës së Bajramit, të mbushur me gatime tradicionale dhe ëmbëlsira. Vizitat ndërmjet familjarëve, miqve dhe fqinjëve janë pjesë thelbësore e kësaj dite. Kudo që shkon apo pret mysafirë, tryeza shoqërohet me bakllava, kafe, pije dhe fruta, duke krijuar një atmosferë mikpritjeje dhe dashamirësie.

Fëmijët, si gjithmonë, janë ndër më të gëzuarit, duke marrë dhurata simbolike si bonbone apo para të vogla, që e shtojnë edhe më shumë harenë e tyre.

Një vend të veçantë Festa e Bajramit zë edhe në krijimtarinë tonë popullore. Ajo është pasqyruar gjerësisht në letërsi, në këngë, në tregime dhe në folklor, ku paraqitet herë si një festë e shenjtë që duhet çmuar e respektuar, e herë si një pikë referimi në jetën e përditshme. Në shumë rrëfime dhe shprehje popullore, Bajrami shërben si orientim kohor – “para Bajramit” apo “pas Bajramit” – duke dëshmuar për rëndësinë e tij të madhe në kujtesën kolektive dhe në organizimin e jetës shoqërore. Kjo prani e fuqishme në krijimtarinë shpirtërore të popullit tonë tregon se Bajrami nuk është vetëm një festë fetare, por edhe një vlerë e trashëguar kulturore që jeton ndër breza.

Ndikimi i Bajramit në traditën dhe kulturën tonë ndër shekuj ka qenë aq i thellë, saqë ai ka lënë gjurmë edhe në jetën familjare dhe në emërtimet personale. Në shumë raste, fëmijët që kanë lindur gjatë ditëve të kësaj feste i kanë emërtuar me emrin “Bajram”, si shenjë gëzimi, bekimi dhe përkujtimi të kësaj dite të madhe, duke dëshmuar kështu lidhjen e ngushtë ndërmjet festës dhe identitetit tonë kulturor.

Edhe në periudha të vështira historike, si gjatë komunizmit, kur u tentua të zbehej roli i fesë, Bajrami arriti të ruajë frymën e tij dhe të mbetet një simbol i kohezionit shoqëror dhe identitetit kulturor.

Një vlerë thelbësore e kësaj feste është kujdesi për kategoritë në nevojë. Bajrami na obligon që të ndajmë nga të mirat tona, në mënyrë që edhe ata të përjetojnë gëzimin dhe begatitë e kësaj dite. Kjo frymë solidariteti dhe ndihme është pjesë e pandashme e mesazhit të Bajramit.

Në përmbyllje, Bajrami nuk është vetëm një festë, por një përjetim i thellë shpirtëror dhe një trashëgimi e çmuar kulturore. Ai vazhdon të fisnikërojë individin, të forcojë lidhjet familjare e shoqërore dhe të kultivojë vlerat më të larta njerëzore, duke e bërë shoqërinë tonë më të ndritur dhe më të bashkuar.

Uroj që kjo ditë e bekuar të sjellë paqe, lumturi dhe begati në familjet tuaja dhe në zemrat e të gjithë njerëzve. Gëzuar Fitër Bajramin!

Lajme të ngjashme