Ferma e gjâve ku zgjedhjet fitohen me urat e Saradranit dhe Badocit
Col Mehmeti
Regjimi i Vetëvendosjes fitoi sepse për pesë vite rresht nuk pati për bé asnjë parti opozitare, asnjë disidencë apo pol konkurence.
Albinkurtistët e fituan kollaj këtë betejë sepse një ledh me tri-katër media nuk e kompenson dot mungesën e një fronti serioz parlamentar.
Është lehtë të fitosh nëse kundërshtari përballë teje nuk përbëhet nga parti, organizime e pole disidence.
Dhe tani teksa majmunët e regjimit në rrugë kërcejnë me goma në duar, me ngjitje në semaforë, fluturime me vetura e çnuk tjetër, duhet të thuhet shqip se për ç’fitore bëhet fjalë.
Regjimi nuk fitoi mbi parti, regjimi e fitoi betejën me mediat
Regjimi i Vetëvendosjes nuk ka arsye të rrahë gjoksin se doli i fituar mbi tri parti thellësisht të pagjak, coftane e qyqane.
Ky regjim mund ta shënojë në defterin e vet me mburrje vetëm pse fitoi ndaj një grushti mediash si NACIONALE, Demokracia, Vox-i e Paparaci.
Por, katër mediume ishin dhe janë shpërpjestimisht të pabarabarta në luftë me një regjim insolent që është mbret në truallin e manipulimit digjital dhe rrjeteve sociale.
Dhe sikur të mos mjaftonte kjo pabarazi, regjimi e ka të vetin mediumin publik, RTK-në, e ka nën sqetull AKI-në, qindra agjentë shteti e mijëra militantë që kamikazohen me ose pa urdhra.
Eh, ky duel nuk mund të fitohej nga një grusht gazetarësh që nuk kanë as pushtet e as mjete e leva lufte.
Përkundrazi, ata e duruan në lëkurë të tyren luftën përvëluese më të rëndë se secila distopi.
Regjimi e shpërndau urrejtjen e vet ndaj mediave në shoqëri duke i bërë ato të urryera kulturalisht.
Gazetarët patën në duar vetëm pasqyra të mëdha e të vogla me të cilat shëmbëllehej shëmtia e regjimit.
Por, pasqyra thyhet copë e grimë prej kujtdo që nuk i pëlqen vetja.
Në vend të saj preferohet cilado pëshpërimë lajke që atij ia rrit mendjen se është unik, i bukur e sublimja e qiellit mbi dhé.
Regjimi i Vetëvendosjes e bëri pikërisht këtë gjë.
Njerëzve iu tha se nuk janë të varfër, por janë bërë më të pasur se kurrë më parë.
Vendi juaj, iu tha regjimi, është ekonomia më e përparuar e Ballkanit, por ja që nuk po ia dini sa duhet vlerën.
Jini mirënjohës, iu tha teksa shpërndante si vakëf vakte falas.
Fjala-lajkë i sjell buzëqeshje edhe shimpanzës i cili gufmon nga dopamina e lumturisë.
Iluzioni versus realiteti
Në një kuvendim mes shqiptarësh deluzionistë dhe shqiptarësh të zhgënjyer, të fituar dolën të parët.
Iluzionisti e rrahu keq realitetthënësin, dhe këtij të fundit i doli nami i zi si mashtrues.
Bashkë me fanbazën e regjimit, shqiptarët e ardhur për pushime u bënë shumicë që Kosovën e sheh masllahat në ekonomi, diplomaci, siguri, shëndetësi e arsim.
Në këtë vend ku kryeministri uluron si skizofren dhe njerëzit e tij kërcejnë si majmunë, ligjërimi duhet të bëhet vetëm me imazhe e parabola. Ja një e tillë:
Një ditë ishin mbledhur banorët e burgut dhe banorët jashtë tij.
Banorët brenda burgut treguan për xhehnemin brenda tij, por hjekat e tyre thuheshin me një gjuhë zëulët e jobindëse.
Ndërkohë, banorët jashtë burgut treguan se sa mirë ishte brenda kazamatit, thuajse xhehnet, se grilat nuk ishin grila, se kufizimi nuk ishte kufizim dhe se aty kishte më shumë liri e dritë sesa gjetkë.
Në këtë botë të kthyer bythëprapë, rrëfimet e njerëzve që nuk ishin në burg dolën paradoksalisht më bindëse.
Budallenjtë triumfuan me bindjen e tyre se burgu ishte më i mirë sesa çdo vend jashtë tij.
Me kaq do të mbyllej muhabeti për zgjedhjet e fundvitit!
Katër vite keqqeverisje në duart e një pushteti injorant, dhe një vit tjetër i kaluar në anarki e krizë politike, nuk prodhoi aversion për shkaktarin e vërtetë.
Me cukla, me sadakë sistemike e sistematike e debate absurde kulturore, njerëzit seç e kanë normalizuar këtë jonormalitet.
Realiteti i shpís u kalua në plan të dytë.
Secili ka nevojë për pak narracion dhe sapo e merr këtë e fiton një identitet të ri.
Në këtë mejhane pijanecësh, Kosova më së afërti e ka Bjellarusinë, por është më keq se ajo.
Regjimi i atjeshëm ka për subjekt Aleksandr Lukashenkon dhe një shumicë të frikshme që e quan atë ‘batka’ (babë).
Por, diaspora bellaruse nuk uluron për ‘batkën’ dhe liria e munguar në atdhe gufmon mes aktivistësh bellarusë që nga Polonia e Lituania e luftojnë tiranin e vocërr.
Në gjysmëintegrimin e vet, diaspora shqiptare vdes për ‘babën’, porse kjo lloj vdekje është e lehtë dhe e pasakrificë.
Ajo nënkupton vetëm votim për babën, dhe nuk përmban ndonjë klauzolë që të jetosh i sunduar prej tij apo më shumë sesa një javë në atdhé.
Tekembramja, këta jemi dhe ky është autenticiteti kulturor i njerëzve që flasin shqip.
Më 1908, Edith Durhami i kishte pvetë plisbardhët e mbledhur në Ferizaj se si ishte ‘Kushtetuta’ që po e kërkonin.
Shumica e përshkruan atë si hajmali me të cilën do t’i bëhej çarja bythës së sulltanit.
Këta ishin njerëzit e shkretë që u bënë fuqia shtytëse për xhonturqit.
Një shekull leksionesh të pamësuara, pasardhësit e tyre sot e votojnë Albinin en masse.
Njerëzia tashmë i ka kërkesat tjetërfare dhe pritjet më nuk janë se me çfarë e shërben e ardhmja.
Provincialë e të mjerë
Çikriku që i vë në lëvizje zgjedhjet sot përbëhet nga një imazheri tribaliste ku dopamina merret nga krenaria e fisit, nga Tjetri, nga armiku e nga kufiri.
Kosova e 2045-s do të jetë, kushedi, me një popullatë prej 300-400 mijë frymësh si periferia më jointeresante e krejt Evropës.
Askujt nuk do t’i bëjë përshtypje kjo sepse edhe kosovarët e së ardhmes do të kenë të trashëguar po të njëjtën mendësi që kanë majmunët që kërcejnë me goma.
Mbase atëherë Milan Radojiçiqit të vetët do t’ia kenë hequr plumb pas koke, si një qen, në ndonjë kanal skaj rruge diku në Serbi.
Por, shqiptarët e zinj edhe një gjysmë shekulli pas do të jetojnë me të si të ishte i gjallë.
Nuk është e thënë që të jetohet pa fantazmën e Serbisë. Sepse me të fitohen zgjedhjet dhe rrinë në këmbë regjimet.
Dhe si do të kujtohet trashëgimia e albinkurtistëve pos si njerëzit lunatikë që thirrën “Serbia, Serbia”…