Eurostati që zhvesh propagandën: Rritje për elitën, fukarallëk për shumicën - NACIONALE

Eurostati që zhvesh propagandën: Rritje për elitën, fukarallëk për shumicën

5 ditë më parë

nga NACIONALE

Shkruan: Adri Nurellari

Pavarësisht ritmeve të rritjes ekonomike të trumpetuara me krenari nga qeveria, të dhënat e reja të Eurostat-it për të ardhurat mediane të disponueshme të vitit 2024 e rendisin Shqipërinë në fund të Evropës me 3075€ të ardhura vjetore. Ky tregues nuk është një numër dosido, por një diagnozë për një problem të thellë strukturor që tregon se ajo pak rritje ekonomike që ka pasur vendi është përqendruar tek një kastë njerëzish. Në krye të renditjes qëndron Luksemburgu me 50799€, ndërsa mesatarja e Bashkimit Evropian është 21582€.

Kur raporti i përshtat të dhënat sipas Standardit të Fuqisë Blerëse (Purchasing Poëer Standard – PPS; një njësi monetare e përbashkët që barazon fuqinë blerëse të parasë mes vendeve), hendeku zvogëlohet disi, por mbetet përsëri jashtëzakonisht i madh. Duke pasur parasysh këtë standard, të ardhurat mediane të disponueshme të kontinentit variojnë nga 5098 në Shqipëri deri në 37781 në Luksemburg, ndërsa mesatarja e BE-së është 21245€. Pak para nesh, në vendin e parafundit, ndodhet Maqedonia e Veriut me 3910€ të ardhura mediane të disponueshme dhe 7609 PPS. Kjo do të thotë se qytetari mesatar shqiptar ka rreth 33% më pak fuqi blerëse se një qytetar mesatar i shteti fqinj.

Treguesi në fjalë mat sa para i mbeten realisht një qytetari mesatar për të jetuar pasi paguan taksat dhe sigurimet, dhe për këtë arsye konsiderohet një nga treguesit më të saktë të standardit të jetesës. Në statistikat zyrtare, Shqipëria raporton rreth 6151€ për frymë në 2024, një shifër që përdoret shpesh për të treguar se vendi “po rritet” dhe kinse “po afrohet me standardet europiane” ku mesatarja është 39680€ . Ky indikator, pra Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB) për kokë banori, është vlera totale bruto e mallrave dhe shërbimeve që prodhon ekonomia e vendit gjatë një viti, e ndarë me numrin e banorëve si mesatare aritmetike.

Mirëpo kjo mund të jetë edhe një e dhënë mashtruese, sepse ndikohet nga pasuria dhe të ardhurat e pak individëve shumë të pasur. Në një vend me dy-tre miliarderë, qindra milionerë me lidhje me pushtetin apo krimin e organizuar, që nxjerrin fitime marramendëse dhe të përqendruara, mesatarja kërcen lart artificialisht, ndërsa shumica e popullit vazhdon të jetojë në kufijtë e varfërisë. Matja e të ardhurave mediane të disponueshme e eviton këtë deformim, sepse bëhet duke renditur të gjitha të ardhurat individuale nga më e ulëta tek më e larta dhe duke marrë vlerën në mes,pra standardi real i jetesës së shumicës, jo të elitës.

Ky pozicionim shokues i Shqipërisë, përbën provën më të qartë se qeverisja shqiptare ka dështuar tek mirëqenia e qytetarëve ku pretendon se ka suksesin maksimal. Asnjëherë nuk është bërë më shumë propagandë për rritje, investime, rroga të larta dhe “Shqipërinë e vitit 2030”, por shqiptarëve u mbetet më pak para në xhep se çdo populli tjetër në Evropë ndërkohë që kap vendin e parë në botë për përqindje të popullsisë që ka emigruar.. Ky kontrast brutal tregon se problemi nuk është tek varfëria e burimeve të vendit apo mungesa e mundësive, por tek mënyra sesi qeveria e ka drejtuar, shpërndarë dhe shpërdoruar potencialin zhvillimor.

Ndërkohë që buxheti fryhet me tendera të dyshimtë, projekte pa analiza kosto–përfitim, punësime patronazhistës, PPP të stërzgjatura e të dyshimta dhe investime fasadë, familjet shqiptare përballen me rroga të ulëta, kosto të larta jetese dhe mungesë mundësish e gare të ndershme në ekonomi. Qeveria ka ngritur një ekonomi që favorizon ndërtimin, turizmin sezonal dhe segmentet e lidhura me pushtetin, duke lënë pas dore sektorët që krijojnë mirëqenie të qëndrueshme si arsimin, shëndetësinë, inovacionin, industrinë, bujqësinë dhe sipërmarrjen e vogël.

Problemi nuk është vetëm moral (fakti që një grusht njerëzish me lidhje politike apo kriminale pasurohen, ndërsa shumica përjashtohet nga frytet e rritjes ekonomike dhe mbetet pa shanse reale për lëvizshmëri sociale), por është gjithashtu një problem praktik strukturor që e pengon vendin të zhvillohet në mënyrë të qëndrueshme. Kur qytetarëve iu mbeten pak para në xhep, konsumi i brendshëm bie dhe tregu vendas nuk krijon dot kërkesë të mjaftueshme për prodhim dhe shërbime. Kjo i dekurajon bizneset që të investojnë, i mban pagat të ulëta dhe frenon krijimin e vendeve të punës me vlerë të shtuar.

Gjithashtu, një popullsi me të ardhura minimale mezi mban frymën gjallë e jo më të ketë luksin të kursejë, prandaj bankat kanë pak kapital të brendshëm për të financuar industri, teknologji dhe inovacion. Rritja përqendrohet në sektorë me produktivitet të ulët si ndërtimi, turizmi sezonal dhe importet që paguajnë rroga të ulta, ndërsa ekonomia ngec në ciklin e varfërisë strukturore.

Një tjetër pasojë e rëndë drejtpërdrejtë është zhvlerësimi i arsimit dhe nxitja e “ikjes së trurit”. Arsimi i lartë dhe aftësimi profesional janë investime që duhen shpërblyer me paga dhe mundësi pas shkollimit. Kur “njeriut të zakonshëm” i mbeten, rreth 3075€ në vit, kthimi nga ky investim është pothuajse i pamundshëm. Prandaj një inxhinier apo mjek i ri e kupton shpejt që tregu i brendshëm i punës nuk e paguan sa duhet, ndërsa jashtë vendit i ofrohet shumëfish më tepër. Kështu krijohet një emigracion selektiv, ku largohen njerëzit më të aftë dhe më të arsimuar, pikërisht ata që do mund të thyenin rrethin vicioz duke zhvilluar sektorë me vlerë të lartë në të ardhmen.

Për më tepër, kur të ardhurat e ligjshme nuk mjaftojnë as për nevojat bazë (banesën, ushqimin dinjitoz, shëndetësinë dhe arsimimin e fëmijëve) shtohet edhe motivi ekonomik për korrupsion e krim. Kjo do të thotë se amundësia për të siguruar të ardhura minimale në mënyrë të ndershme shtyn një pjesë të mirë të popullsisë drejt ekonomisë informale, kontrabandës, korrupsionit apo aktiviteteve të paligjshme, jo si devijim kulturor por si formë mbijetese, si mënyra e vetme për të “dalë mbi ujë”.

Në këto kushte, vendi nuk arrin të formojë një shtresë të mesme të qëndrueshme (atë shtresë që zakonisht garanton stabilitet, zhvillim dhe kontroll mbi pushtetin), nuk ndërton kapital njerëzor, krijon terren pjellor për rritjen e niveleve të paligjshmërisë dhe kriminalitetit, dobëson institucionet dhe shërbimet publike përmes korrupsionit dhe nuk gjeneron inovacion apo konkurrueshmëri afatgjatë.

Së fundmi, në kushtet kur shumica dërrmuese mezi mbyll muajin dhe mbetet e brishtë ekonomikisht ajo bëhet lehtësisht e cenueshme apo e shantazhueshme politikisht. Varfëria e zhvendos qytetarin nga aktor politik në përfitues pasiv, Për shkak të saj, një pjesë e mirë e qytetarëve janë të varur nga punësimet shtetërore, nga subvencionet dhe ndihmat, dhe në këto rrethana shteti përdor politikat sociale si mjet kontrolli politik apo instrument elektoral, ndërsa oligarkia fiton gjithnjë e më shumë pushtet ekonomik dhe ndikim politik.

Një popullsi e varfër nuk krijon dot kulturë qytetarie të pavarur që sfidon abuzimet dhe ngrihet kundër padrejtësive, por thjesht bëhet target i lehtë për manipulim. Me pak fjalë, të ardhurat e ulëta të shumicës nuk janë thjesht gjendje e mjerë sociale, por mekanizëm që mban shoqërinë të nënshtruar, e zhvesh nga fuqia politike, ia dëbon rininë, dhe e pengon vendin të ecë para në fushën e ekonomisë dhe demokracisë.

Lajme të ngjashme