Epitafi i një partie: “Pakti me VV-në, pakti me djallin” - NACIONALE

Epitafi i një partie: “Pakti me VV-në, pakti me djallin”

3 orë më parë

nga Col Mehmeti

Në një mjeshtrim të paharruar vargjesh, poeti-zotni Bardhyl Londo e kishte rrëfyer më së miri vdekjen fatale të njeriut shqiptar në tranzicionin e madh që nisi në vitet '90 e nuk mbaroi asnjëherë.

Njeriu shqiptar, sipas Londos, po vdiste përditë në tavolina të pista kafenesh, rrjeshta të ndytë gazetash dhe qarqe prapësish e intrigash.

Dhe në këtë pashpresë, shqiptari zemërplasur matet të bëjë aktin e fundit dëshpërimtar, pra t’ia marrë vetes jetën.

Por mu atëherë ngjan diçka e çuditshme.

Siç thonë vargjet: “Vjen pastaj një çast/ merr revolverin./ Këmbëza nuk hiqet. Ke vdekur prej kohësh/ i vdekuri nuk vetëvritet.”

Për kushediseçfarë arsyesh, pamundësia e një vdekuri për t’u vetëvrarë duket si të jetë shkruar për partinë më të vjetër në Kosovë.

Biografia e së ardhmes për LDK-në do t’i ketë tre kapituj kryesorë në qindra a mijëra faqe.

të parin kapitull do të shkruhej për lindjen e partisë mes një qarku shkrimtarësh.

Faqe pas faqe, aty do të shkruhej edhe për fazën rinore të partisë që u rrit në entuziazmin e një populli që besonte se bota postkomuniste do të sillte vetë-aktualizim e përmbushje të çdo ëndrre.

të dytin kapitull do të shkruhej për merita jo të vogla të partisë.

Do të lexonim mes faqeve për civilizimin e dikurshëm politik ndër shqiptarë që dinte të bënte gjëra të bukura, fare të rralla në Evropën Juglindore ku komunizmi e kishte çnjerëzuar qenien njerëzore.

Ishin vitet kur si LDK-ja, si shoqëria mbarë, udhëhiqeshin nga virtyte të rralla, si gatishmëria për kompromis për hir të diçkaje më të madhe se vetë partia.

Do të shkruhej edhe për frymën konciliatore që i bënte edhe kundërshtarët e hasmuar t’i shtrinin njëri-tjetrit dorën e pajtimit për hir të tjerëve që meritonin paqe.

Në këto faqe do të lexohej, ndër të tjerash, edhe si një parti fituese i jepte hise për të qeverisur një partize minore.

Dhe në të tretin kapitull do të shkruhej për fatin baksuz që e përcolli partinë deri në frymën e fundit.

LDK-ja mund të jetë një nga partitë e rralla në krejt Evropën Juglindore ku për 26 vite rresht pësoi tkurrje edhe kur ishte në pushtet, edhe kur nuk ishte më.

Ajo ra nga fiku i pushtetit më 2006 dhe prej asaj ditëzeze ra nga humbja në humbje pa u rritur asnjëherë.

Paradoksi i saj është se edhe në të gjallë të Rugovës partia shënonte rënie nga një proces zgjedhor në tjetrin.

E vetmja ngjallje e saj ndodhi falë një projekti gjerman që bashkë me VV-në i ofronte si alternativa.

E kujt nuk i kujtohen artikujt spindoktoralë të Der Spiegel me autor Keno Verseck-in?

Duke e kapur për fyti të vërtetën, reklama gjermane na thoshte, në fakt na ofendonte, se qeveria VV-LDK ishte e para në historinë e re që nuk u formua në pazare bodrumesh (“nicht in Hinterzimmerdeals”).

Në të vërtetë, mu kjo qeveri jetëshkurtër pati dalë nga myku i bodrumeve dhe restauranteve periferike ku bëhej pazari negocial.

Edhe kur u duk se LDK-ja i ndau dhentë e dhitë me VV-në, asaj tashmë i kishte ndodhur gjëma.

Paradoksaliteti është që prej 2021-s e deri më sot LDK-ja ishte edhe në pushtet, edhe në opozitë.

Në pushtet ishte meqë pjesa më e madhe e elektoratit të saj u konvertua në albinkurtistë me V.O si shembulli më i shëmtuar.

LDK-ja ishte në opozitë vetëm për shkak se pjesa e saj tashmë gati e vdekur (13 përqindëshi) nuk u bë formalisht pjesë e Qeverisë.

Por, kjo pjesë nuk u bë as opozitë.

Keqardhja e vetme që na ngjallet është për disa profile të vyera teknokratësh që kanë mbetur në një parti që as nuk i do e as nuk është më e tyrja.

Ata, në fakt, do të ishin shumë më të vlershëm e më efektivë po të ishin në një formacion të një qeverie profesionistësh e cila sot duket e pamundur.

Ata kanë mbetur në një parti që surrealisht mision të vetëm ka që t’i albinkurtizojë të gjithë.

Çmimi i tragjedisë është gjithmonë i rëndë kur bijtë e bijat e një shtëpie shkelin çdo shenjtëri në emër të përlindjes.

Më 2021, disa kaçolë mendonin se do ta forconin LDK-në duke bërë brenda saj gjueti shtrigash e duke e spastruar këdo që e asocionin me ‘Judën’, Isa Mustafën.

VV-ja, që tani ishte bërë hegjemoni absolut në një botë populiste, e bënte punën që Lumir Abdixhiku të dukej si zgjidhje ideale për LDK-në e re.

Pra, LDK-ja e sotme është pesha e mëkatit që bëri kur ia delegoi VV-së rolin që t’ia zgjidhte një kryetar.

Këto janë tragjeditë e vërteta të një partie që po e vuan paktin e saj me djallin kur më 2019 zotërinjtë menduan se ishte marifet i madh të lidhnin besa-besë me terroristë, anarkistë e lleftistë.

LDK-në nuk shpëtohet më edhe sikur trashëgimia e saj muzeale të ngjallet e të marrë drejtimin e partisë.

Sepse e tashmja nuk mund të substituohet me një të kaluar që duket gjithnjë e më e pakuptueshme.

Pakti më djallin e solli deregjenë ku ajo është e vdekur si me VV-në, si pa të.

Edhe sikur të ishte i sinqertë e i vërtetë, bashkëpropozimi për president nuk është pushtet që do të sillte më tepër pushtet.

Presidenca tash e gjashtë vite u shkatërrua nga V.O që ishte konvertja më fanatike në albinkurtizëm.

Nëse dikur dukej e mirë ideja që presidenti konsensual ishte njëfarë garancie që ndonjë kryeministër kërriç të mos përfundonte në çmenduri, këto vite dëshmuan se presidenca nuk është kurrfarë ndalese kur një kryeministër vendos të çmendet e të luftojë kundër secilit aleat perëndimor.

Presidenca, si institucion, vdiq zytrarisht më 5 nëntor 2020, ditën kur Thaçin e anashnxorri nga politika një diçka që ishte më tepër se një proces gjyqësor.

Në ata pak muaj pikëtakimi me VV-në e sapoardhur në pushtet, Thaçi me kompetenca minimale e mbizotëronte dhe e linte në hije Kurtin që kishte kompetenca maksimale si president.

Këto histori duken sot të mbuluara me pluhurin e harresës, por në të vërtetë leximi i tyre do ta ndihmonte shumë më shumë LDK-në sesa iluzionet e dy fëmijëve adoleshentë që mendojnë se me një ‘president konsensual’ do ta çalltisin mutin që gufmon nga populizmi.

Lajme të ngjashme