Energjia në Kosovë: fitimi privat, fatura publike! - NACIONALE

Energjia në Kosovë: fitimi privat, fatura publike!

1 javë më parë

nga NACIONALE

Shkruan: Dardan Sejdiu

Në shumë shtëpi të Kosovës, mashtrimi nuk hyn me zhurmë. Hyn në heshtje, palohet në një copë letër dhe lihet mbi tavolinë, afër gotës së çajit, afër bukës, afër syve të lodhur të dikujt që po mundohet me e mbyll muajin. Ajo letër quhet faturë e energjisë.

Për shumicën, duket si diçka teknike. Disa numra. Disa tarifa. Pak kilovatë. Një total në fund.

Por në Kosovë, fatura e rrymës nuk është vetëm faturë. Është pasqyra më brutale e një sistemi që është ndërtuar me i shpërnda krejt kostot dhe dështimet e sistemit energjetik te qytetari, ndërsa përfitimet i ruan diku më lart, në errësirën e institucioneve, të monopoleve të privatizuara, dhe të heshtjes rregullatore.

Kjo është arsyeja pse debati për energjinë nuk është debat teknik. Është debat për drejtësinë. Për zhvillimin. Për mënyrën se si shteti e trajton qytetarin e vet! E këtu, shteti nuk e trajton qytetarin si njeri që duhet me mbrojtë, por si xhep që duhet me zbrazë.

Të jemi të qartë! Kjo që po ndodh me energjinë elektrike nuk është vetëm çështje çmimi e faturave të fryra. Është çështje strukture.

Qytetari në Kosovë nuk paguan vetëm për rrymën që e harxhon. Ai paguan për humbjet në sistem, për dështimet në planifikim, për borxhet, për kamatat e bankave, për marzhat e garantuara, për sahata që rrejnë për orën dhe për formula që nuk i shpjegohen askujt.

Me fjalë të tjera, familjet dhe bizneset tona nuk e paguajn vetëm konsumin e vet, por edhe rrëmujën dhe mashtrimin e një sektori të tërë.

Dhe kjo nuk është rastësi.

Sistemi tarifor në Kosovë është i ndërtuar mbi një logjikë të thjeshtë: çdo kosto e operatorëve kalon te qytetari, me marzha të parapërcaktuara dhe mekanizma korrigjues që e mbrojnë KEDS/KESCO nga çdo rrezik real. Në praktikë, kjo do të thotë se këto kompani nuk mbajnë pothuajse asnjë rrezik, sepse çdo devijim rregullohet më vonë përmes tarifave që i rregullojnë çdo vit me ngritje të çmimeve!

Ndërkohë, qytetari është i vetmi që paguan për çdo gabim.

Mënyra si ndërtohen këto kosto është problem më vete. Kosto e financimit afatshkurtër, kamata, të cilën e kanë raportuar ZRRE për KEDS/KESCO në “Përshtatjet vjetore të të hyrave të lejuara maksimale” ka arritur mbi 10% në vitin 2024, ndërkohë që normat reale, kamata, të tregut kanë qenë dukshëm më të ulëta. Diferenca nuk është as gabim e as teknikalitet, është barrë direkte për qytetarin. Por për këtë në skandalet e rradhës që kërkojnë hetime!

Tutje, humbjet në rrjet llogariten rreth 20% dhe kalojnë automatikisht në faturë, pa transparencë reale mbi përbërjen e tyre. Edhe marzhat fikse pranohen pa verifikim të rrezikut real që pretendojnë të mbulojnë.

Pra kemi një sistem ku kostot jo vetëm që kalojnë te qytetari, por janë të fryra, të paqarta dhe të pa verifikuara. Fryj kostot, fryj faturat, fryj fitimin!

Dhe nëse i shikon këto elemente bashkë, fotografia bëhet edhe më e rëndë. Kemi një sektor energjetik ku fitimi milionësh është i garantuar, rreziku është i socializuar dhe kontrolli e verifikimi janë kozmetik.

Kostot pranohen mbi bazë formularësh, jo mbi bazë provash të plota. Diferencat midis kostove reale dhe atyre të lejuara nuk mbeten te kompanitë, por kalojnë direkt te qytetari përmes tarifave dhe korrigjimeve të vitit pasues.

Në një sistem normal, operatori mban përgjegjësi për gabimet dhe për rrezikun që merr. Këtu ndodh e kundërta: sa më i madh devijimi, aq më e sigurt bëhet që ai do të mbulohet nga publiku. Ky nuk është më treg i rregulluar. Është transferim i organizuar i rrezikut nga sektori i energjisë te qytetari.

Dhe këto janë disa prej arsyeve pse për vite me radhë, energjia është trajtuar si temë e mbyllur, ku qytetarit i lejohet vetëm me pagu, jo me kuptu. Institucionet flasin me gjuhë teknike, rregullatori fshihet pas tabelave, operatorët pas kontratave. Krejt sistemi sillet sikur mjafton me ta çu faturën te dera dhe puna mbaron aty.

Por jo. Puna fillon pikërisht aty.

Sepse kur një familje e zakonshme e hap faturën dhe e sheh se një pjesë gjithnjë e më e madhe e të ardhurave po i shkon për energji, kjo nuk është statistikë. Është politikë publike që po i hyn në mirëqenie. Është rregullim ekonomik që po ia zbraz frigoriferin.

Në një vend si Kosova, ku pagat janë të ulëta dhe bizneset mbijetojnë mes rrymës, qirasë dhe importit, energjia e shtrenjtë nuk është vetëm barrë. Është zinxhir në këmbë.

Kur sektori energjetik funksionon keq, nuk goditet vetëm konsumatori. Goditet krejt ekonomia. Goditet prodhuesi vendor. Goditet secili qytetar.

Dhe këtu hyn dimensioni moral i gjithë kësaj pune.

Qytetari po paguan diçka që nuk e kontrollon dhe nuk e kupton, ndërsa askush nuk jep llogari. Një shtet e qeveri serioze nuk e trajton qytetarin si fund të zinxhirit ku derdhen krejt dështimet. E mbron pikërisht aty ku sistemi është më kompleks. Te ne po ndodh e kundërta, sa më i ndërlikuar sistemi, aq më e lehtë po bëhet me fsheh padrejtësinë brenda tij.

Prandaj fatura e energjisë është bërë shumë më shumë se dokument pagesash. Është dokument i një kontrate të prishur mes qytetarit dhe shtetit.

Në njërën anë, qytetarit i kërkohet korrektësi absolute. Paguaj me kohë, mos vono, mos pyet shumë. Në anën tjetër, sistemi kërkon mirëkuptim për humbjet, për kostot, për “rrethanat”.

Kjo nuk është drejtësi. Kjo është zhvatje e paketuar si normalitet.

Energjia është themel i jetës moderne, dhe drejtësia në energji është themel i kontratës shoqërore. Nuk mund të flasësh për zhvillim apo mirëqenie kur qytetari e sheh faturën si kërcënim mujor.

Kur fitimi është i garantuar dhe rreziku i bartet qytetarit përmes faturës, ajo që mbetet nuk është treg, është padrejtësi e institucionalizuar.

Në fund të ditës, pyetja nuk është vetëm sa kushton rryma. Pyetja është kush po e paguan çmimin e vërtetë të një sistemi të padrejtë.

Dhe në Kosovë, përgjigjja po bëhet çdo ditë më e qartë.

Po e paguan secila familje.

Po e paguan secili prodhues.

Të tjerët, si zakonisht, po e lexojnë faturën nga xhipat e zi.

Lajme të ngjashme