Edukimi seksual: Ku gaboi Qeveria Kurti? - NACIONALE

Edukimi seksual: Ku gaboi Qeveria Kurti?

4 muaj më parë

nga Mirlind Behluli

Tre doracakë për mësimdhënës, të miratuar nga Ministria e Arsimit, që udhëhiqet nga Arbërie Nagavci, rreth edukatës seksuale kanë ndezur një debat në Kosovë. Si gjithmonë, diskutimet u karakterizuan nga qëndrime rigjidie dhe gjuha e skajshme, të cilat e pamundësojnë shtruarjen korrekte të një teme të rëndësishme. Llogoret diskursive – e posaçërisht shprehjet e përdorura dhe sulmet ad hominem – e tregojnë nevojën edhe për edukim gjuhësor e emancipim intelektual, përpjekje që nuk përfundon kurrë.

Në fakt, Kosova vuan nga mungesa e pothuajse të gjitha llojeve të mundshme të edukimit. Ne çalojmë në edukim iluminist, pasi edhe profesorë të Universitetit të Prishtinës vazhdojnë të thurin lavde për zakone e doke të prapambetura kanunore. Nuk parapëlqejmë që të edukohemi mbi nevojat psikologjike, mbi tolerancën, mbi respektin e tjetrit. Ne Kosovë ende nuk ka një frymë të edukimit tolerant, që synon të fuqizojë një shoqëri që i pranon dallimet, duke e arritur “mirëqenien e përgjithshme”. Kosovarët vazhdojnë që të gjykojnë me mendime skematike, ku mbizotëron bota dikotomike e ndarë në “ne dhe armiqtë”. Mendimi i tjetrit është i djallëzuar, i gabuar, i dënueshëm, i patolerueshëm e kështu me radhë. Është mendësi anti-moderne, që duhet denoncuar në çdo forum të mundshëm.

Edukimi seksual është tepër i rëndësishëm për t’u lënë ekskluzivisht në dorë të Nagavcit dhe Qeverisë Kurti. Mbi të gjitha, tekste të lekturuara keq, me shembuj të papërshtatshëm e me aktivitete të paqëlluara, veç e pamundësojnë zbatimin e mirë të edukatës seksuale. Në doracakët e MASHTI-t ka edhe pjesë të papërkthyera fare nga gjuha angleze në atë shqipe, duke lënë të nënkuptohet se i gjithë teksti është i përkthyer, pa e respektuar fare nevojën për kontekstualizim. Pjesa e lojës pesëminutëshe, ku një nxënës ka të drejtë të bëjë çfarë të dojë me nxënësin tjetër me sytë e mbyllur, është vetëm një nga rastet problematike në doracakët e MASHTI-t.

Nuk besoj që ndonjë prind ka probleme – ose s’do të duhej të kishte – me pjesët e këtyre doracakëve, ku flitet për barazinë gjinore dhe për çlirimin nga çdo lloj diskriminimi. “Të gjithë njerëzit janë të barabartë për nga lindja dhe askush nuk guxon të jetë i diskriminuar” – është njëra nga fjalitë e doracakëve, që e synon ndërtimin e një shoqërie të barabartë, përtej diskriminimeve. Po ashtu, në njërin prej doracakëve argumentohet se “shtatzënia e hershme tek adoleshentët mund ta shtojë rrezikun për shëndetin e gruas”. Cili prind nuk do të pajtohej me këtë fjali, e cila synon që t’i edukojë fëmijët për seksin e hershëm dhe të pasigurt.

Studimet e shumta tregojnë që fëmijët që i nënshtrohen edukimit seksual presin më gjatë para se të bëjnë seks për herë të parë dhe gjasat janë që seksi të jetë gjithnjë me pëlqimin e dhënë. Nuk ka asnjë evidencë që edukimi seksual i inkurajon fëmijët të bëjnë seks më herët. Po ashtu, edukimi seksual u ndihmon fëmijëve që t’i perceptojnë ngacmimet seksuale nga të rriturit, kur ato ndodhin, pasi janë të informuar mbi sjelljet pedofilike e të ngjashme.

Megjithatë, disa prej pjesëve të doracakëve janë në mospërputhje me kornizat ligjore në fuqi. Në pjesën e strukturës së familjes, i sugjerohet mësuesit që të deklarohet pozitivisht, pra të pohojë, se ekzistojnë familje homoseksuale. Në pyetjen e fëmijëve se “a mundet dikush të ketë dy nëna?”, MASHTI ua sugjeron mësuesve përgjigjen si vijon: “Po, disa familje mund t’i kenë dy nëna, një nënë, asnjë nënë, apo edhe shumë nëna, përfshirë këtu gjyshërit, prindërit birësues, hallat dhe xhaxhallarët”. Kjo përgjigje aktualisht është e jashtëligjshme, pasi në bazë të kornizës ligjore nuk ekzistojnë familjet homoseksuale, pra me dy nëna ose dy baballarë. Përderisa nuk ndryshohen ligjet, doracakët duhet që të rishkruhen në disa pjesë, pasi nuk janë në përputhje me kodet ligjore aktuale.

Një pjesë tjetër, e pasqaruar shkurtazi është pjesa rreth nocioneve të përdorura për orientimin seksual dhe preferencat seksuale. Më saktë, doracakët tentojnë që ta shtyjnë përpara idenë se seksi dhe gjinia janë dy koncepte të ndryshme. E para, pra seksi, është karakteristikë anatomike, ndërsa gjinia është konstrukt shoqëror, që përkufizohet nga ndjenja e vetëperceptimit të individit. Është temë e debatuar edhe në botën perëndimore, posaçërisht pas rikthimit të së djathtës ekstreme, e cila lufton për një familje heteroseksuale. Nuk është e udhës dhe është jodemokratike që të tilla debate të ashpra identitare t’i imponohen shoqërisë nga lart.

Në doracakun për klasat 10 - 12, flitet për diversitetin seksual dhe përmendet edhe “genderqueer”, i përkthyer si i “dyshimtë për gjini”. Në këtë pjesë flitet edhe për ndërrimin e gjinisë përmes terapisë hormonale, duke lënë të nënkuptohet se lejohet ndryshimi i gjinisë në vendin tonë. Në Kosovë aktualisht është i ndaluar një proces i tillë, pra nuk ka normë ligjore që e rregullon lejimin e ndryshimit të gjinisë, rrjedhimisht doracaku nuk është i përshtatur me gjendjen vendore.

Përmes këtyre pjesëve, shteti synon që të ndërhyjë në edukimin e fëmijëve. Pra, nga edukimi, tashmë kalohet në inxhiniering të fëmijëve mbi tema goxha të kritikuara ideologjikisht edhe në Perëndim. Debati mbi “tentakulat” edukative të shtetit është tepër filozofik dhe nuk ka asnjë politikë universale të pakritikuar. Madje, siç teoritizon filozofi francez, Patrice Canivez, ideja për t’i edukuar qytetarët është ndërmarrje problematike dhe e dyshimtë. Duhet diskutim shoqëror i vazhdueshëm mbi rolin e shtetit në edukimin e qytetarëve, përfshirë fëmijët, që janë pjesa shoqërore më e ndjeshme.

Sipas bindjes sime, shteti nuk duhet të ndërhyjë në formësimin e ndërgjegjësimit dhe botëkuptimeve të qytetarëve. Ajo që shteti duhet ta bëjë është krijimi i një hapësire të tolerancës e respektit ndaj zgjedhjeve të tjetrit, por pa imponuar bindje e botëkuptime specifike mbi gjininë, religjionin e orinetimin seksual. Në vend të inxhinieringut dhe imponimeve nga lart, që gjithnjë ngjallin reaksione, shteti duhet të kujdeset që të ofrojë një mjedis ku njerëzit angazhohen në aktivitete shoqërore, pa paragjykuar dhe duke e respektuar secilin njeri ashtu siç është.

Lajme të ngjashme