Edi Rama është një Petër Pan që refuzon të rritet
Edi Rama refuzon të rritet. Ky ishte mendimi i parë, që në mënyrë të rrufeshme, por krejt të natyrshme, më erdhi në kokë, kur e pashë fotografinë e Ramës teksa nga prapa, porsi një fëmijë lozonjar kopshti, ia mbyllte sytë Albin Kurtit. A është ende adoleshent kryeministri shqiptar – është pyetja, e cila, që nga dje, më vërtitet në mendje. Dhe, në fakt, për këtë sjellje të kryeministrit shqiptar ka një shpjegim, që në fushën e psikologjisë njihet si Sindromi i Petër Panit.
Natyrisht, një gjendje e tillë nuk është sëmundje mendore. Sindroma e Petër Panit e shpjegon paqëndrueshmërinë emocionale të një individi, që fatkeqësisht është i kurthuar në fëmijërinë e tij. Sipas Dan Kiley-t, doktorit që e krijoi teorinë mbi këtë temë, të rinjtë që vuajnë nga kjo sindromë, e kanë të vështirë të pranojnë përgjegjësi. Egoja e tyre u thotë se mund të bëjnë çfarëdo që fantazia u sugjeron, shkruante Kiley më 1983.
Pasi e rishikova disa herë videon, që më shumë i ngjante ndonjë skene sitcom-i, u binda se Edi Rama është një burrë fëmijë. Një Petër Pan i thinjur, që drejton një vend të varfër.
E di, i dashur lexues, mund të duket një përfundim i ashpër, por nëse Rama nuk është një burrë fëmijë, pra Petër Pan, atëherë cili është shpjegimi racional i veprimit të tij të djeshëm në një konferencë ndërkombëtare të partive progresiste në Berlin? Fytyra e Kurtit, e skuqur tërësisht nga sikleti, shpërfaq edhe një tjetër dallim të madh mes dy politikanëve më të fuqishëm shqiptarë.
Në njërën anë, Edi Rama, që refuzon të maturohet, me sjellje aspak në përputhje me seriozitetin që e bëjnë të obligueshëm konferencat ndërkombëtare dhe, në anën tjetër, Albin Kurti, një politikan që e kupton rëndësinë e vendndodhjes. Gjesti i Ramës nuk ishte moment frikësues ndaj Kurtit, as bullizim. Parehatia e Kurtit nga “spektakli” i Ramës më shumë ishte një dhembshuri e të parit për të dytin, dhembshuri për gjendjen ekzistenciale të të gjatit nga Tirana.
Sjellja e Kurtit më ngjante me momentin kur, për herë të parë, babai e zë fëmijën e tij teksa shikon pornografi (uroj që babai im të mos e lexojë këtë shkrim). Pra një moment aq me siklet, sa të dy, edhe babai, edhe fëmija, preferojnë të shtiren se asgjë s’ka ndodhur, duke e vazhduar jetën normalisht.
Por Rama nuk është person që pajtohet të shtiret që asgjë s’ka ndodhur. E as nuk është mjaftueshëm i pjekur sa ta harrojë episodin e djeshëm. Prandaj ai zgjodhi që fotografia e parë e albumit nga Berlini të ishte momenti kur ia mbylli sytë Kurtit, gjersa ky i fundit e injoroi tërësisht “petër-panizmin” e Ramës.
Sepse ajo çfarë është e bezdisshme, e urryer, e refuzuar, e dënueshme për “common sens”-in e të rriturve, është e pranueshme, e pëlqyeshme, e lavdërueshme, imperative në botën e fëmijës. Ajo që për Kurtin është një çast për t’u harruar, për Ramën është një trofe që u duhet servuar “rilindësve” e përkrahësve të tij në Shqipëri e Kosovë.
Që nga hyrja e tij në politikë, Rama është shërbyer me ekzibicionizëm, me teatralitet, me spektakël. Ai përqesh, tallet, fyen. Por jo nga pozita e madhështisë, e superioritetit intelektual apo supremacisë kulturore. Rama nuk është avangardë kulturore e intelektuale në krahasim me Kurtin, përkundrazi. Nëpërmjet spektaklit, ai synon që t’i fshehë pasiguritë e tij, fëmijën brenda vetes, që me tentakulat e tij e ka kapur keqas për qafe, aq sa nuk e lë të rritet as tash, kur gati është pranë pensionimit (58-vjeçar).
Arroganca e Ramës është tendencë për t’u arratisur nga e vërteta e hidhur e vogëlsisë së personalitetit. Ai është një tigër nga letra, që po ia hoqe spektaklin, arrogancën e “shovenizmin”, nuk ka gjë tjetër të ofrojë si politikan. Me batuta e me veshje joprotokollare, Rama tentoi ta magjepste edhe ish-kancelaren Merkel, e cila shpejt e kuptoi gjendjen e mjerueshme të tij e të Shqipërisë së “Rilindjes”, duke u çmagjepsur nga “truket” e kryeministrit shqiptar.
Caku më i natyrshëm, por jo i vetmi, i shtatlartit është Albin Kurti, sepse shefi i ekzekutivit kosovar është saktësisht anti-podi i Ramës. Është ajo çfarë Rama s’do të jetë kurrë. Përderisa Rama është Petër Pan, Albin Kurti është James Barrie, autori i karakterit të personazhit në fjalë. Njëri refuzon të rritet, tjetrit i vjen keq për fëmijërinë e përhershme të të parit. Kurti është i majti i pakorruptuar (deri tani, kuptohet), Rama një politikan që kënaqet me shfaqje, gjersa Shqipëria shpopullohet e varfërohet.
Kosovarët nuk kanë pse ndihen keq për momentin bezdisës të Kurtit në Berlin, por shqiptarët duhet të përballen me të vërtetën e papëlqyeshme se udhëhiqen nga një Petër Pan. Pyetja që shqiptarët duhet shtruar është e thjeshtë: si është e mundur që një shoqëri të ketë dy zgjidhje katastrofale në mënyrë të barabartë? Më vjen keq për Shqipërinë, që duhet të zgjedhë mes një burri fëmijë dhe një dinozauri që refuzon të pranojë që i ka ikur koha.