E vjetra po vdes, kurse e reja nuk po mund të lindë
A po merr fund NATO? A po krijohet Organizata Evropiane e Sigurisë? Kush e udhëheq atë? Kush e ofron ombrellën nukleare në Evropë? Jo, po ndoshta duhet pritur edhe pak, sepse elitat në Amerikë nuk pajtohen me vizionin e Trumpit, Muskit dhe JD-së, prandaj mos të ngutemi. Në këtë 'interregnum' ndodhin incidentet dhe simptomat morbide.
Berat Buzhala
E vjetra po vdes kurse e reja nuk po mund të lindë, kishte thënë Antonio Gramsci, diku në letrat e tij nga burgu.
Sipas Gramshit, dikund në këtë mes, pra në mes të së vjetrës dhe të resë, shfaqen një shumëllojshmëri simptomash morbide.
Disa prej këtyre simptomave ne i pamë para dy ditëve të shfaqeshin edhe në Dhomën Ovale në Shtëpinë e Bardhë, në takimin bizar në mes të Zelinskit dhe Trumpit dhe JD Vance në anën tjetër.
Bota është ndarë në dysh, se kush e kishte mirë e kush e kishte keq, a ishte pritur a nuk ishte, a duhej që Zelenski të tregohej më i përunjur a nuk do të duhej?
Prandaj fjala e marksistit me prejardhje shqiptare sot jehon më shumë se kurrë.
Në kohë krizash të thella, qoftë pandemike, ekonomike, gjeopolitike apo kulturore, vërejmë se si shëmben strukturat e vjetra të pushtetit, ideologjisë apo organizimit shoqëror, ndërkohë që strukturat e reja ende nuk janë krijuar plotësisht.
Këtë periudhë të tranzicionit Gramshi e quan “interregnum”, që në shqip do të mund ta përkthenim si “ndërmjetëza”. Kjo periudhë mund të jetë disa ditë, disa muaj, apo edhe disa vite, varësisht për çfarë ngjarjesh po flasim. Aty në atë mes ka vakuum pushteti, ka krizë besimi në institucione. Nuk dihet kush e ka pushtetin? E vjetra që po vdes a e reja që nuk ka lindur ende! Shoqëria ose shoqëritë polarizohen, rriten tensionet ekonomike, racore, krahinore, etnike etj.
A po merr fund NATO? A po krijohet Organizata Evropiane e Sigurisë? Kush e udhëheq atë? Kush e ofron ombrellën nukleare në Evropë? Jo, po ndoshta duhet pritur edhe pak, sepse elitat në Amerikë nuk pajtohen me vizionin e Trumpit, Muskit dhe JD-së, prandaj mos të ngutemi. Në këtë “interregnum” ndodhin incidentet dhe simptomat morbide. Shumica flasin në parim dhe në përgjithësi, por shumica mendojnë në veçanti dhe për prapanicën e tyre.
Për të ardhur deri te pika kritike, deri te klimaksi, nuk mjafton vetëm një veprim, as vetëm një fenomen a një pandemi, por kërkohet që të ndodhin plot ngjarje që e përgatisin terrenin për ndryshimin e madh.
Në kontekstin global të viteve të fundit, tronditjet e shkaktuara nga kriza ekonomike e vitit 2008, ndryshimet klimatike, luftërat në Lindje të Mesme që provokuan shkallë të paprecedentë të emigrantëve drejt Bashkimit Evropian, por edhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pandemia e COVID-19, pabarazia në rritje dhe mosmarrëveshjet gjeopolitike, i kanë tronditur themelet e rendit të vjetër, që duket se po shembet, por rendi i ri ende nuk është kristalizuar.
Kjo çka sot jemi duke e parë është thjesht dhe vetëm kapitulli i fundit i një epoke historike. Kjo nuk është domosdoshmërisht gjë e keqe, ose fatale, ani pse e reja dhe e panjohura janë të frikshme, sepse jemi mësuar me të vjetrën. Është pak a shumë sikur ai momenti kur kalon aeroplani nëpër një turbulencë të ajrit. Në atë situatë unë e kam një bindje që edhe piloti frikësohet deri diku.
Unë nuk e kam asnjë dyshim që rusët, amerikanët, gjermanët, anglezët a francezët do të mund të gjenden edhe në rendin e ri botëror, sepse disi janë gjendur edhe në rendet e kaluara. Ky ndryshim mund të jetë fatal për popujt e vegjël, sikur është puna e popullit tonë. Ne përfituam më së shumti nga ai rend që po vdes, prandaj ishim dhe jemi të interesuar që asgjë të mos lëvizte.