E butë, e fortë: Çfarë Zajednice na doli sa herë e zhvoshëm Marrëveshjen
(Përdorimi i termit Zajednicë në shkrimin më poshtë, bëhet në vend të Asociacionit. Sepse kështu na kanë mësuar)
Loja është e thjeshtë: Zajednica është në qendër. Por, loja u bë e komplikuar, kur Zajednica tentohej të shtyhej në qosh – mundësisht kah fundi.
“Nuk ka pranim pa nënshkrim. Nuk është Zajednicë kjo. Vuçiqi po iu lyp juve”. Këto kanë qenë disa prej fjalive që kanë karakterizuar pushtetin, sa herë që është përmendur Marrëveshja e Brukselit me Aneks të Ohrit, i dakorduar në mes të kryeministrit Albin Kurti dhe Aleksnadër Vuçiqit me Ndërmjetësim të Bashkimit Evropian.
Dhe një prej fjalive të tjera e mbivendosur në diskursin politik në Kosovë, ka qenë edhe kjo: “Nuk është Zajednica e Isës dhe Hashimit kjo” duke vazhduar …”është Zajednicë (Asociacionin, thonin) më e butë’.
Por, se çfarë Zajednice ishte në të vërtetë, e kuptuam kur evropianët sollën Draftin e saj.
Derisa Marrëveshja nuk është se ka gjetur zbatim të plotë, siç do të dëshironin Parnerët, ‘zhvoshja’ e saj në vazhdimësi, ka treguar se çka në të vërtet po na shfaqet në horizont.
Megjithëse ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier, para disa ditësh tha se nuk është mirë të flasin për Draftin e Asociacionit ata që s’janë ekspertë, në këtë shkrim, po e marrim të mirëqenë këshillën e ambasadorit amerikan, dhe këtu, po iu referohemi vetëm disa ekspertëve më me renome: Artan Mustafa – studiues i njohur dhe njohësit më të njohur të së drejtës kushtetuese, Enver Hasanit.
Ku dallojnë Marrëveshja e Thaçit 2013 dhe Mustafës 2015 me atë të Kurtit në Ohër, sipas interpretimeve të z.Hasani?
Një term juridik që e ka përmendur në vazhdimësi z.Hasani, është ‘detyrimi super-kushtetues’ që derivon nga Marrëveshja e Ohrit, për komunitetin serb.
‘Kushtetutë materiale’ – është po ashtu një formë Kushtetute, që e dëgjuam për herë të parë në sferën publike, sidomos televizive, nga zoti Hasani.
Por, duke qenë që ishim mësuar veç me llojin e Kushtetutën tonë, atë që e kemi pra në fuqi, ishte e vështirë të kuptohej si term juridik, ky lloj termi që përdortte z.Hasani.
Le të mundohemi ta kuptojmë: Republika e Kosovës, e ka Kushtetutën e saj formale si çdo shtet i pavarur dhe sovran. Themelimi i një mekanizmi ‘vetëmenaxhim’, ‘aranazhim specifik’, autonomi, nënkupton shtet brenda shtetit.
“Marrëveshjaa e Ohrit ka çimentuar themelet e një kushtetute materiale në Kosovë, që do të ekzistojë paralel dhe në rivalitet me Kushtetutën e Kosovës, si Kushtetutë formale e një shteti sovran dhe të pavarur”.***
Sipas këtij interpretimi – ‘Shteti i Kosovës, po shndërrohet bazuar në këtë kushtetutë materiale, në një shtet unitar me decentralizim të avancuar që ka përbrenda autonomi terrotoriale dhe joterritoriale. Që bashkë e kanë të garantuar rivalitetin me pushtetin qendror në Prishtinë’.****
‘Ky definim, që fokusohet në konceptin e ‘vetëmenaxhimit’ në një dispozitë shtesë në nenin 7.2 që lidhet me Kishën Ortodokse Serbe dhe me trashëgiminë kulturore dhe fetareve të vendeve serbe’******
Vëreni shembullin më poshtë, si e jep Enver Hasani në libër:
‘Çdo mbështetje e strukturave serbe të pushtetit në Kosovë, me infrastrukturën normative të Shtetit të Kosovës, nuk do të jetë veçse e përkohshme dhe transitore deri në bartjen e memories institucionale të krijuar pas 10 qershorit 1999 në organet dhe institucionet e autonomisë serbe të krijuara me Marrëveshjen e Ohrit (bartja e dokumentacionit personal që ka të bëj me serbët lokal)’.
Një interpretim tjetër të qartë, e jep studiuesi (eksperti për dëshirën e ambasadorit), z. Artan Mustafa.
Sipas tij, faktori ndërkombëtarë në vazhdimësi ka punuar për përgatitjen e terrenit për implementimit e asaj që ai e quan ‘autonomia më e madhe në Evropë’.
“Kjo është autonomi prej statutit të propozuar e deri tani sipas të gjitha marrëveshje, Kosova do ta ketë autoniminë më të gjerë në Evropë. Aspektin territorial të kësaj autonomie nuk e kemi pa të ketë dalë në asnjë shtet post komunist në Evropën Juglindore”, tha ai para pak ditësh në një medium kosovar.
Duke qenë që Marrëveshja e Ohrit, ka çimentuar Autonominë me konceptin e ‘vetëmenaxhimit’, kjo e ndryshon karakterin e shtetit të Kosovës.
‘Nga kjo mund të shihet se modeli i shtetit të Kosovës, i ndërtuar më 17 shkurt 2008, ka pasuar ndryshime radikale’, përfundon kapitulli i librit të Enver Hasanit.***
(Shënimet me fusnotë, nga libri: ‘E drejta kushtetuese’, prof.dr Enver Hasani, prof.ass.dr. Përparim Gruda, prof.ass. Zahir Çerkini)