Dy shoqëri paralele, një atmosferë e luftës - NACIONALE

Dy shoqëri paralele, një atmosferë e luftës

2 vjet më parë

nga Mirlind Behluli

Një fantazmë po sillet në Kosovë e Serbi - fantazma e luftës. Një polic i vrarë, hero i Kosovës, nga dora e terroristëve, që serbët në veri i shohin si “martirë”, ndërsa Serbia si “heronj” e “luftëtarë të lirisë”. Një gjë është e sigurt: mundësia e një përplasjeje të armatosur – përfshirë një luftë në shkallë të gjerë – është më evidente se kurrë më parë. Askush nuk mund të thotë me siguri të plotë se çfarë do të ndodhë tash e tutje.

Shoqëria në Kosovë është e përçarë. Në fakt, nuk ekziston një shoqëri kosovare, por, së paku, dy shoqëri paralele: një shumicë, pra shqiptare, dhe një pakicë, pra serbe. Dy këto shoqëri i kanë botët e tyre, krejtësisht të papërputhshme me njëra-tjetrën. Dyzimi i shoqërisë, në mënyrë të natyrshme, i sjell përçarjen, moskuptimin, urrejtjen dhe, në fund, greminën në formë të ingranazheve të vdekjes, terrorizmit e ndoshta edhe luftës. Në universin e dy shoqërive paralele ekzistojnë histori, imagjinata e narracione plotësisht përjashtuese, shpesh të karakterizuara me gjuhë dehumanizuese. Dikush që është hero në jug, është kriminel në veri dhe anasjelltas.

Shumica dërrmuese shqiptare, përfshirë qeverinë e saj, është e bindur se sulmi në veri ishte terrorist, ndërsa pakica serbe, përfshirë përfaqësuesen e saj, “Listën Serbe”, është e vendosur për “madhërimin” e “martirëve” të Banjskës. Kjo ndarje e shoqërisë kosovare është absolutisht e frikshme, ngase është e bazuar në urrejtjen e tjetrit, dëshirën për hakmarrje dhe, mbi të gjitha, në një psikozë që kërkon luftë. Dy shoqëritë janë në luftë virtuale, kanë ndërtuar llogore virtuale, të cilat nesër mund të shndërrohen në luftë të njëmendtë, me viktima të vërteta.

Sot, nuk ekziston më asnjë pikëprerje mes shqiptarëve dhe serbëve të Kosovës, nuk ekziston më as prirja më e vogël për të diskutuar racionalisht për situatën ku ndodhemi, aq më pak për atë se si do të veprojmë më tutje. Nuk flasim me njëri-tjetrin, por e akuzojmë njëri-tjetrin, e diskualifikojmë njëri-tjetrin, e vrasim virtualisht njëri-tjetrin. Realisht, tashmë kanë vringëlluar armët, gjë që e vështirëson – nëse nuk e pamundëson – mundësinë e një dialogu të sinqertë e të një mirëkuptimi të ndërsjellë.

Në këtë mes është edhe një figurë tjetër, ndoshta më e rëndësishmja. Aleksandar Vuçiqi, president i Serbisë, është i gatshëm të shfrytëzojë këtë ngjarje për hir të “interesit nacional të popullit serb”, çfarëdo që një gjë e tillë nënkupton në mendjen e tij. Pa dashur të tingëlloj paternalist, e kam përshtypjen se sa më shumë krizë të ketë në Kosovë, sa më shumë “viktima” serbe të ketë në Kosovë, aq më shumë çimentohet figura e Vuçiqit si “mbrojtës i popullit serb”. Një politikë e tillë hegjemoniste është e rrezikshme për demokracinë në Ballkanin Perëndimor.

Sigurisht, Kosova i ka përgjegjësitë e saj në krejt këtë situatë. Si shumicë në shoqëri, por edhe si qeveri, tash e 15 vjet nuk kemi arritur të ndërtojmë ndonjë politikë të qëndrueshme për integrimin e komunitetit serb. Nuk ekziston asnjë dëshmi për ndonjë nismë rreth dialogut nga poshtë - lart me serbët lokalë, premtim i përsëritur gati pafundësisht nga ish-opozitari Albin Kurti. Punësimi i policëve dhe pjesëmarrja e serbëve në zgjedhje e institucione në mënyrë naive është kuptuar si integrim i serbëve si komunitet. Doli se ishte veç një ëndërr me sy hapur.

Është urgjente që serbët në Kosovë të diskutojnë në lidhje me të ardhmen e tyre politike. Në mungesë të pluralizmit politik, fati i përfaqësimit - nëse mund të quhet i tillë - të serbëve është peng i Listës Serbe, parti që flirton me paramilitarë. Edhe pse nuk është parti e jashtëligjshme, komuniteti serb do të duhej ta dënonte moralisht degradimin e Listës Serbe. Njëkohësisht, Kisha Ortodokse Serbe duhet të heq dorë nga gjuha polarizuese, duke u shndërruar në faktor që i shërben paqes, dialogut e mirëkuptimit, vlera kaq shumë të nevojshme në këto kohë.

Ndonëse i domosdoshëm, diskutimi pa emocione vështirë se do të ndodhë. Në një atmosferë lufte, ku vlojnë emocionet nacionaliste, debati racional është viktima e parë. Në këtë kohë, uniformiteti e homogjenizimi janë kryefjalë të debatit, ndërsa moderimi e dialogu janë terme të anatemuara. Muzika është e ngjashme, e dëgjuar edhe më parë. Kambanat e luftës bien për ata që kanë vesh e, mbi të gjitha, për ata që nuk refuzojnë të dëgjojnë. Është koha të flasim, jo ta vrasim njëra-tjetrin. Më mirë të flasim e dialogojmë tani, sesa pas dhjetëra, ndoshta qindra viktimave.

Lajme të ngjashme