Dronët e raketat – fuqia e regjimeve të fukarallëkut - NACIONALE

Dronët e raketat – fuqia e regjimeve të fukarallëkut

2 javë më parë

nga Col Mehmeti

Regjimi islamik në Teheran po bëhet lëndë e parë për filmat, dokumentarët e librat e ardhshëm.

2400 vite më parë, Herodoti merrte nga Irani i tejlargët lëndë të parë për historitë e tij me erëza ekzotike.

Persët e medët, në sytë e tij, ishin shpesh krejt të kundërt me grekët për ç’i përket tabiateve e dokeve.

Sot, historia e regjimit të plakur islamik në Iran nuk është as ekzotike e as interesante.

Ajo është universaliste si për të gjitha regjimet që u tokëzuan në emër të lirisë e dinjitetit njerëzor dhe përfunduan duke mbajtur në duar kamxhikun e zullumit.

Megjithatë, rasti iranian ka një të veçantë, dhe kjo është ironia e kontrastit.

Verën e vjetshme, gardistët revolucionarë shkonin gjer atje sa me fjalë e mësynin edhe Izraelin, për të cilin bënin bé në qitap e në dymbëdhjetë imamët se do ta fshinin nga faqja e dhéut.

Për të zezën e tyre, gardistët i gjeti belaja në oborrin e shpís, madje me popullin e tyre.

Akuzës për intrigat e ‘armikut sionist’ më nuk i shkonte kungulli mbi ujë.

Iranianët e rinj e kuptuan që jeta e tyre nuk zezohej nga Izraeli a Amerika, por nga ata që e mbajtën bajrakun e luftës kundër botës.

‘Revolucioni’ i 1979-s tashmë ishte pluhurosur si një ngjarje e para 47 viteve.

Protestuesit e dikurshëm kundër Shahut sot janë pleq përballë nipërish e mbesash që nuk binden se islamikët ishin alternativë më e mirë sesa dinastia e dikurshme mbretërore e Pahlavëve.

Ata që më 1979 ishin djalëria e ‘revolucionit’, sot janë të plakur, të urryer e të pakuptueshëm.

Kjo gerontokraci (sundim pleqsh) më nuk i mban për kapistre miliona persianë e kurdë, azerë e turkmenë siç është harta shumëetnike e Iranit.

Revolucioni islamik, ose siç quhet në gjuhën farsi Enqelāb-e Eslāmi, nuk ngroh më zemra ndër brezat e rinj.

Përkundrazi, interneti e rrjetet sociale e rikthejnë or’ e çast epokën monarkike dhe episodet e lëna në gjysmë të perëndimorizimit pahlavian.

Poende, pesëdhjetë vjet investime të regjimit në mitin e revolucionit duken të pafuqishme përballë imazhesh të tilla.

Kjo është arsyeja pse rezistenca e brezit të ri gjen frymëzim mu në ata që i urren regjimi teokratik: pahlavianët e rrëzuar nga fiku e Izraeli.

Regjimi i Ajatollah Khameneit nuk funksionon as me krahun konservator e as me atë reformist.

Sa më shumë që regjimi nuk i bënte çare kërkesave ditore të iranianëve mesatarë, aq më e potershme bëhej propaganda që u premtonte një Iran majestik, një që e mbërrinte edhe Detin Mesdhe si në kohërat e Kirit të Madh e Darit.

Kur revolucioni e tregoi ballëpërfaqe falsitetin e vet duke qenë i pazoti për ta bërë jetën më të mirë, aq më e madhe u bë përpjekja e regjimit për plane e harta ku syri i lakmisë bie mbi tokat e përtej kufirit.

Kështu, doktrina e një shteti të tërë vizionoi që Gjysmëhëna Pjellore të vihej në duart e një Irani të tejfuqishëm që bëhej zot nga Mesopotamia gjer në Mesdhe.

Vetëm nga 2011 e deri më sot, Irani harxhoi edhe lekët e fundit për të mbajtur në këmbë regjime, parti, organizata paraushtarake e sisteme paralele.

Miliarda rialë iu morën iranianëve gjithnjë e më të këputur nga fukarallëku për ta projektuar fuqinë kombëtare jashtë Iranit.

Paraja, e aspak sharmi ideologjik, bënte që elita e klientela të tëra në rajon të viheshin në shërbim të regjimit islamik.

Rialët iranianë gjetën udhën edhe drejt Ballkanit që për paranë e huaj është si sfungjer thithës. Rrjeteve pro-iraniane për një kohë nuk ua prishte askush nargjilenë e rehatllëkut në Bosnjë, Shqipëri, Kosovë e Maqedoni.

Edhe ata që ishin demek nacionalistë arabë (baathistët) u bënë lakej të Teheranit – kështu, rialët iranianë e kontrollonin Irakun, Sirinë, Libanin, të ashtuquajturën Palestinë dhe Jemenin.

Sadoqë kjo fashë ligësie po e brente gjithë Lindjen e Mesme me terror e probleme, publikut në Iran ky projekt iu shërbye me cilësimin eufemistik si “Mehvar-e moqâvema” (Boshti i Rezistencës).

Vjet kur Izraeli e ShBA-ja trumpiste e fshikulluan Iranin vetëm me ca goditje minimale, investimet gjeostrategjike të bëra nga 1979-a shkuan huq.

Tri H-të që e mbanin Levantin në terror (Hamasi, Hezbollahu e Huthitë) u shkatërruan palcërisht; madje edhe regjimi i Assadit u zhbi nga faqja e dheut.

Kësodore, Irani që komandonte nga larg fesate e hile, tani u gjend përnjëherësh i zbuluar.

Regjimi islamik më nuk i bindte njerëzit e vet se ishte i pathyeshëm. Regjimin po e nxinte afti i regjimit paraprak.

Njerëzit nuk po ia kthenin më shpinën kamxhikut të represionit, madje ata po gjenin recetat e rebelimit si dikur. Plot ngjarje sikur po reprizoheshin pabesueshëm.

Gazetari polak, Ryszard Kapuściński mu në ngjarjet e revolucionit khomeneist të 1979-s e gjeti frymëzimin për librin e tij “Shahu i Shahëve”.

Në libër ai jep një nga përshkrimet klasike sesi lind revolucioni: një protestues në rrugë e vret frikën kur nuk i bindet xhandarit që jep urdhër për t’u larguar

Vetë xhandari përfundon duke u larguar a thua se rolet janë këmbyer: regjimi nuk frikëson shoqërinë dhe shoqëria frikëson regjimin dhe xhandarët.

Kjo histori po e bën déjà vu-në e saj edhe në këto momente.

Ngjarjet e ditëve të fundit në Iran ruajnë edhe sharmin e kreativitetit të brezit të ri defiant.

Simbolet talizmanike të teokracisë islamike rrëzohen serbes e pa frikë, femrat heqin e djegin shamitë dhe të rinjtë tallen me portretin e liderit suprem.

Këtyre kontigjencave është zor t’iu mbushet mendja se mjerimi i tyre do të kapërcehet me gjeste fuqie të rreme, me dronë kamikazë e raketa balistike që mbërrijnë Izraelin.

Po bëhet një shumicë njerëzish që po e kupton se raketat hipersonike e balistike –Khorramshahr, Shahab, Fateh, Zulqifar – nuk japin përgjigjje për shumë nga pyetjet e përditshmërisë plot me halle.

Kacagjelosja militareske nuk i bën derman as çështjes ekzistenciale ku thatësia disavjeçare i shteroi pikë më pikë lumenjtë, liqenet e pellgjet.

Këtë Iran të së keqes po e sfidon Irani i njerëzve guximtarë e kreativë.

Pra, rezistenca po shkruhet në përputhje me një shoqëri të re që imagjinon më shumë sesa një regjim që në mendje e ka vetëm luftën.

Rinia e ka zët regjimin dhe regjimi zët rininë.

Por, aktet kreative të rinisë iraniane nuk janë boshti i këtyre radhëve.

Sepse sa më shumë shkëlqen guximi i rinisë së një vendi të tejlargët por të rëndësishëm, aq më shumë lëshon hijen e palavdishme një vend picimul midis Evrope.

Regjimi albinkurtist, liliput po të krahasohet me cilindo regjim tjetër, ashtu siç u pa në zgjedhjet e 28 dhjetorit, nuk shqitet kollaj, nuk largohet e as nuk anashnxirret.

Duke dhunuar edhe vetë natyrën njerëzore, këtu e gjen rininë që masivisht ia bën argatin regjimit, madje ia lufton edhe betejat fiktive.

Ndonëse është në batakun e margjinalizimit, rinia këtu e ka mirë me pushtetin, kurse e urren çdo zë kundërshtar të pushtetit,

Për këtë gjendje në prag të burleskës, investimi për të ka qenë masiv.

Edhe fuqia e korruptimit ka qenë e plotë.

Ardhja në fuqi e Vetëvendosjes nuk është bash-bash rrëfimi mbi një bandë të mirëorganizuar lleftistësh nëse në rrugë e sipër nuk do t’iu bashkoheshin edhe segmente ‘strategjike’ shoqërore.

VV-së iu hapën dyert edhe kur shoqëria civile, OJQ-të e sekrecionet lleftiste të saj hoqën dorë nga të qenit vigjilentë ndaj formave të zvëtnuara antidemokratike.

Kjo është arsyeja pse këto formacione u korruptuan dhe u vetëkorruptuan, dhe pjesa më e madhe e tyre nuk bëri as gëk e as mëk për pesë vjet keqqeverisje të Vetëvendosjes.

Ndryshe nga kundërvlera e tyre në Iran, ku e rrezikojnë edhe jetën për t’iu kundërvënë regjimit, ‘artistët’ këndejpari u korruptuan dhe u vetëkorruptuan.

Më 2018, partia e sotme në pushtet mblidhte me autobusë falas fshatarë nga Bajgora në Podgor, nga Podgori në Baran, nga Barani në Has, e nga Hasani në Llap.

Dukej sikur ishte një Omnes viae Prishtinam ducunt (Krejt rrugët të çojnë n’Prishtinë).

Para tyre në një binë fillonte ‘programi’ i protestës: minatorëve të manipuluar të Trepçës iu jepej rasti për ta përjetuar veten si të rëndësishëm kur fliste për ta një 'përfaqësues' nga radhët e tyre, Nanat e Gjakovës (të korruptuara deri në neveri!) flisnin njashtu me përfaqësuesn e tyre.

Dhe pastaj i vinte radha Kurtit që botën me 1001 probleme ta thjeshtëzonte me një formulë “Eh, kur të jem unë…”

Dhe në fund para protestuesve, skena rezervohej edhe për ndonjë ‘artist’, si Bim Bimma, ku me rep mallkohej estabilishmenti.

Raste kur regjimi albinkurtsit korruptoi ‘artistë’ ka plot e përplot.

I tillë është edhe vokalisti i ish-bendit ‘Troja’, Bujar Berisha.

Kështu, artistët e ‘antiestabilishmentit’ hoqën dorë nga të qenit disidentë.

Ata u ndjenë të kënaqur me estabilishmentin që nuk tani iu dukej se nuk ishte i keq sa dikur.

Ndryshe nga regjimi i ajatollahut në Iranin e largët me raketa hipersonike, ky i këtushmi davanë e fitoi më kollaj: e lëshoi diskun me rrezikun nga Serbia, bleu disa dronë e ca armatime dhe kështu mileti u ndje i sigurt. Kësaj i thonë: "Pordhi kali në derë të hanit"...

Lajme të ngjashme