Diplomati kosovar: I frikësuar, i varfër e pa mbrojtje - NACIONALE

Diplomati kosovar: I frikësuar, i varfër e pa mbrojtje

1 vit më parë

nga Mirlind Behluli

Një klimë e frikës është instaluar këmbëkryq në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës. Frika nga hakmarrja e Donika Gërvallës. Nuk është paralajmërim alla-Marks për një fantazmë që sorrollatet korridoreve, por një realitet i përsëritur nga shumë zyrtarë të Ministrisë, me të cilët kam rastisur të takohem. Ata janë të frikësuar nga hakmarrja, të varfër në të ardhura, e pa mbrojtje kundrejt një pushteti arrogant.

Që nga viti i kaluar, shumë diplomatë, për arsye të ndryshme, janë shkarkuar nga misionet diplomatike nëpër botë. Gjersa atyre që kanë mbetur ende në institucion, u kërkohet nënshtrimi pa kushte.

Dhjetëra shkarkime, gradime selektive, sistemim joadekuat të personelit, e marrëdhënie pak miqësore e karakterizojnë udhëheqjen e Gërvallës në MPJD. Krahas kësaj, diplomatët e Kosovës paguhen pak kur punojnë në vendlindje, e në mënyrë gati uniforme kur shërbejnë jashtë.

Që nga ardhja e Gërvallës në krye të MPJD-së, shkarkimet janë arritja më e madhe e ministrisë që ajo udhëheq. Madje, për ‘spastrimin’ e diplomatëve të ‘ish-regjimit’, Gërvalla dhe shpura e saj janë mburrur, duke i arsyetuar shkarkimet që nuk dihet kur do të ndalen. Por, largimi i dhjetëra diplomatëve, pashmangshëm do të shkaktojë një shkërrmoqje të kujtesës institucionale të MPJD-së. Sepse, njohuritë, lidhjet e rrjetet e ndërtuara ndër vite nga një diplomat në vendet ku ka shërbyer, ‘shuhen’ bashkë me ikjen e tij nga institucioni.

“Ikja e trurit e e përvojës”, përkundër kritikave të shumta për të kaluarën diplomatike të Kosovës, ajo ndikon edhe të ardhmen e institucionit që është i obliguar të shkruajë strategjinë e politikës së jashtme kosovare. Sepse, siç e thekson Henry Kissinger, sistemi politik – në rastin tonë ai diplomatik – është vazhdimisht në luhatje mes memories të së kaluarës dhe një vizioni për të ardhmen që inspiron evolucionin e tij.

Një institucion, që diplomatët e saj më të vjetër i “syrgjynos”, do ta ketë të vështirë të ruajë kontaktet me kryeqendrat e botës. Për më shumë, do të lëngojë edhe në rrokjen e ndryshimeve në marrëdhëniet ndërkombëtare, e në relacionet bilaterale. Si do të këshillohet, ta zëmë, ministrja Gërvalla për marrëdhëniet e Kosovës me Oqeaninë, kur diplomati kryesor i saj në atë pjesë të botës është shkarkuar?

Një problem tjetër, që shumë miq diplomatë ma theksuan në takime private, është edhe ai i gradimeve të brendshme. Ka një proces të kujdesshëm të përzgjedhjes, por që nuk bazohet fort në meritokraci. Emëruesi i përbashkët i rrëfimeve të tyre është se gradimi kalon nëpërmjet derës së aprovimit të Gërvallës e Kabinetit të saj. Pra grada të reja diplomatike në këmbim të nënshtrimit ndaj shefave të ri politikë.

Por, një gjë tjetër po aq alarmuese, shpesh përmendet në kafe-pirjet me diplomatët e Kosovës. Ata ankohen për pagat e vogla, të cilat e kanë humbur edhe më tutje vlerën si pasojë e inflacionit që në korrik shënoi 14,2%. Rrogat e tyre janë për keqardhje. Varësisht nga niveli përbrenda institucionit, ato rrallë kalojnë mbi 500 euro neto.

Diplomatët e Kosovës, që janë fytyrat e përfaqësimit të vendit në arenën ndërkombëtare, janë të varfër. Shumica janë lodhur me premtimet për rritje rrogash e kategorizim të tyre kur shërbejnë jashtë në misionet diplomatike të Kosovës. Disa e kanë menduar edhe largimin nga shërbimi diplomatik, pasi ndihen të shkurajuar nga kushtet e punës e atmosfera në MPJD.

Por, duket se e gjithë kjo nuk e pengon shumë udhëheqjen politike të MPJD-së. Ata po vazhdojnë të krenohen me punët e bëra, duke vendosur synime të mëdha si anëtarësimi në Këshillin e Evropës, NATO e BE. Madje, një proces për rekrutim të dhjetëra diplomatëve ka filluar muajin e kaluar.

Me siguri dhjetëra njerëz do të aplikojnë në konkursin në MPJD, me shpresën për një vend pune me pagë të sigurt. Garda e vjetër e diplomatëve po ikën, të rinjtë mund të vijnë. Por, ajo që do të mbetet, disi si konstante e përhershme, është improvizimi i politikës së jashtme.

Lajme të ngjashme