Dardani, dardanë e dardanizëm – historia e humbur e një ideje - NACIONALE

Dardani, dardanë e dardanizëm – historia e humbur e një ideje

3 javë më parë

nga Col Mehmeti

Col MEHMETI

Në vitet ’90 na iku si ngjala në dorë mundësia që Kosovës t’i substituohej përgjithmonë emri në Dardani.

Ndonëse Rugova dhe qerthulli i tij e selitën njëfarë vetëdije kolektive për Dardaninë, më fort si kulturë anësore sesa projekt institucionalist, mundësia u humb me kaq.

Në rrethanat e shembjes së Jugosllavisë e në rrënojat e identiteteve të çkuptimësuara, secili populli nisi të rrëmihte mes vjetërsinave të shpisë.

Secili bënte përpjekje për të nxjerrë nga çejzi vlerat e zbukurojcat stërgjyshore.

Ishte një rikthim qetë-qetë në vetjakësinë nacionale si nënqeshje ironike për investimet e shkuara dëm të komunizmit.

Solidariteti popullor këtu ishte masiv, dhe LDK-ja asohere e pati një anëtarësi të pabesueshme prej 800 mijë vetash.

Rugova e pati autoritetin e vet, e njashtu dhe mediat të cilat shumë lehtë do ta natyralizonin emrin Dardani.

Kësodore, brenda dy ndërrimesh gjeneracionale, ‘Kosova’ do të dilte nga përdorimi.

Nëse kjo do të ndodhte, sistemi paralel dhe çdo formë e rezistencës do të merrte transparentin dardan kudo.

Një dardanizëm i tillë do të ishte shumë më shqiptarist e panshqiptarist sesa ‘kosovarizmi’ që u bë një emër tjetër për sendimentet më të trubullta të provincializmit.

Një histori që filloi nga vitet e Humanizmit

Duke e rindërtuar kontekstin e përdorimit të apelativit Dardani, del se ai ka pasur një përdorim fort aktiv prej mesjetës së vonë.

Një nga rastet më të hershme, në mos nga të parët, kur emri Dardani u barazvlerësua për shqiptarët në Kosovë ka qenë më 1555.

Asobote, peshkopi e diplomati polak Marcin Kromer (1512-1589) e shkroi librin interesant “De origine et rebus gestis polonorum” (Mbi prejardhjen dhe të bëmat e polakëve).

Duke qenë Polonia hapësira me katolicizmin më militant, veçmas me disponim negativ ndaj Reformacionit, polakët shfaqeshin mjaft të interesuar për atë pjesë të Evropës së pushtuar nga turqit osmanë.

Teksa i përshkruan malet Rodope dhe ato të Sharrit, ai i përmend tre popuj emrat e të cilëve ishin veçse huazim prej lashtësisë klasike:

“…Mysis, Dardanis, & Triballis qui nunc Rasciani, Servii, Albani, & Bulgari sunt…”

“…Myzët, Dardanët dhe Triballët, të cilët tani quhen Rashkijanë, Serbë, Shqiptarë dhe Bullgarë…”

Nga vetë enumeracioni kuptohet qartë se etnonimin Dardani e ekuivalentizon për shqiptarët, njësoj siç bën me apelativin klasik Mysi për serbët, dhe Triballi për bullgarët.

Nuk është këtu lajm i ri përdorimi i një termi të huazuar nga lashtësia klasike – tekembramja, edhe Kuria papnore në aktet e saj administrative i ruajti gjer vonë emrat e vjetër që përputheshin me dioqezat e dikurshme.

Por, rasti i sipërcituar nga Kromeri është krejt tjetërfare.

Ai i referohej aktualitetit të asaj kohe, pra viteve 1550, dhe etnonimin Dardani e barazvlerësoi me ata që në kohën e tij njiheshin si Albani. Fjalët kyçe të tekstit janë ‘qui nunc…sunt’ (të cilët tani…quhen).

Sigurisht, përshkrimi i tillë pak-e-hiç e kishte në mendje gjeografinë e tokave në jug të Danubit e në Ballkanin qendror.

Mesazhet subliminale të autorit polak janë që, në një skenar hipotetik, një avancim gjithëevropian nëpër Ballkan duhej të llogariste në popujt lokalë – dhe shqiptarët e Kosovës bëhen hesap.

Përveç kësaj, me një kërkim serioz historik mund të ravijëzohet fare qartë diçka në formën e një tradite solide të kultivimit të dardanizmit në qarqe të kënduara brenda kishtarizmit vendës ortodoks e joortodoks.

Kështu, nga fundvitet 1400 e deri në fillimvitet 1800, pati disa pena me edukim humanist e klasik që e përdorën Dardaninë dhe dardanët me konotime ‘moderne’.

Provincializmi

Ndryshe nga ky version i mundshëm i historisë, ajo që ngjau ishte se LDK-ja e partizoi dhe kosovarocentrizoi idenë e dardanizmit.

Mungesa e kurajës te elitat e asokohshme politike e kulturore e dogji idenë që mund të ishte mjaft e vlertë për identitetet e brendshme e të jashtme, mbi të gjitha për kohezionimin e shqiptarëve në dekadat e ardhshme.

Një entitet parashtetëror, e më vonë shtetëror, me emrin Dardani do ta uniformonte hapësirën shqiptare në ish-Jugosllavi.

‘Dardanizmi’ i tillë do të kishte edhe atributet e veta etnonacionale ashtu sikur edhe flitej afshërisht edhe për një valutë të quajtur ‘dardana’.

LDK-ja nuk e çoi këtë ide përpara, madje e flijoi atë.

Ajo nuk e pati guximin për të dalë përtej vetes si një parti e cila, në rrethana pluralizmi, përfaqësonte thjesht një mbindërtim të LKJ-së lokale me anekse titiste, enveriste, e madje edhe me aso provincialiste siç qe hibridi i kasabalizmit osmano-jugosllav.

Ata e donin më fort një ‘Kosovë’ që i shëmbëllente Kosmetit sesa një Kosove të së ardhmes.

Ky kosovarocentrizëm ishte projekti që e anashnxori një dardanizëm që shumë më shumë do t’i përgjigjej identitetarisht këtij vendi.

Për fat të keq, shqiptarizmi mbeti pa formatin e vet natyror dhe u desh të improvizonte si diti e si mundi me ‘Kosovën’. Dhe e arritura e vetme e tij ishte ‘shqipëzimi’ i termit KosovoKosova.

Ishte diçka që mund të bëhej

Por, a ishte vallë e mundur një gjë e tillë?

Ishte gjë që bëhej që hapësirat e mirëpërkufizueshme nga Kopaoniku deri në Sharr të quheshin Dardani?

Sprova e vërtetë dhe e vetmja ishte ajo për shtetësinë – asaj i nevojitet patjetër mbështetja e cilësdo fuqi perëndimore.

Puna e emrit nuk do të çonte peshë nëse interesi i Perëndimit veçse ishte që shqiptarët të kishin shtetin e tyre të dytë në Ballkan.

LDK-ja, si forcë politike e atij që u quajt sistem paralel, e pati në dorë që dardanizmin ta kapilarizonte në vetëdijen shoqërore.

Ajo i pati mediat, i pati njerëzit e vet kudo, dhe fjala asokohe i peshonte shumë, aq më tepër në rrethana solidariteti kombëtar përballë një Serbie okupuese.

Lajme të ngjashme