Blofi që e shpëtoi Lumirin për shtatë vota
Me premtimin për një koalicion me Kurtin, Abdixhiku i mposhti kundërshtarët brenda LDK-së. Koalicioni nuk u bë, LDK-ja nuk u shpëtua dhe Kosova nuk përfitoi asgjë. U shpëtua vetëm Lumiri.
Berat Buzhala
Para se të mbahej Kuvendi i Jashtëzakonshëm i LDK-së, ku do të vendosej për shkarkimin e Lumirit, gazeta Koha publikoi një shkrim, duke u thirrur në burime, ku thuhej se ishte arritur marrëveshja Abdixhiku–Kurti për krijimin e institucioneve.
Flitej madje edhe sa ministri do t’i merrte njëri subjekt e sa tjetri. Dukej se LDK-ja do të përfitonte shumë nga aleanca me LVV-në. Dukej se, më në fund, ishin pjekur kushtet për aleancën e forcave të shëndosha, të atyre që punojnë për të mirën e vendit.
Madje, dukej sikur kjo aleancë po bëhej vetëm për t’i ndihmuar LDK-së.
A i keni lexuar dhe dëgjuar spin-doktorët e Lumirit 😅, duke thënë se LDK-ja mund të rritet vetëm duke hyrë në koalicion me LVV-në?
Ashtu siç ishte rritur në koalicionin e famshëm të vitit 2020.
Sot po e shohim se ky shkrim dhe e gjithë kjo klimë kishin qenë pjesë e një loje: të krijohej një atmosferë negative kundër kundërshtarëve të Lumirit brenda LDK-së. Ata po e dëmtonin Kosovën 😅. Sepse, ja, Lumiri dhe Albini, me këta emra të bukur dhe me këtë energji të pastër, po përpiqeshin me mish e me shpirt ta nxirrnin Kosovën nga kanalizimet e ujërave të zeza ku e kishin futur të tjerët. Mirëpo, agjendat e errëta dhe dashakeqe të SHIK-ut, që refuzojnë të vdesin, e kishin nxjerrë përsëri kokën, duke u përpjekur ta pengonin vendin të ecte përpara.
Befasisht, edhe ata që e quanin Lumirin “Lubomir”, filluan ta quanin “Lum”. Kurse ata që e quanin kukull të Isa Mustafës, tani thoshin se ky djalë ishte rritur politikisht aq shumë, sa po e vriste babanë.
Ky shantazh funksionoi.
Me premtimin e bashkëqeverisjes në strajcë, Lumiri u nis për në Kuvend. I la mediat t’ia transmetonin vetëm fjalimin e tij dhe pastaj i nxori jashtë. Pa e fituar kurrë një betejë politike në jetën e tij, Lumiri i bëri për pesë pare ata që e kishin mbajtur gjallë LDK-në edhe atëherë kur ky subjekt kishte vdekur pothuajse gjithandej.
Ison, me lehje nëpër rrjete sociale, po ia mbanin militantët e Albinit dhe ata që vullnetarisht dëshironin të shndërroheshin në militantë të Albinit.
Dhe kjo pati efekt.
Lumiri e fitoi votëbesimin për vetëm shtatë vota. Ende pa dalë mirë nga salla e Kuvendit të partisë, deklaroi se ishte i gatshëm të vraponte drejtpërdrejt në takim me Kurtin, për ta realizuar atë që e quante “një marrëveshje të mirë dhe të mbarë” 😅.
Kjo fitore e entuziazmoi pa masë edhe dështaken më të madhe të këtij shekulli në politikën e Kosovës, Vjosa Osmanin, e cila tash e disa muaj po sillet pa busull, në kërkim të diçkaje që as vetë nuk e di se çfarë është.
Dhe çfarë ndodhi?
Sa ministri i mori LDK-ja e sa LVV-ja? Po presidentin, kush e mori?
Është i pabesueshëm entuziazmi i disa figurave politike në Kosovë për ta provuar personalisht mashtrimin dhe pafytyrësinë e Kurtit. Sikur përvoja e të tjerëve të mos vlejë. Sikur secili prej tyre të ketë nevojë të mashtrohet vetë, përpara se ta besojë se Kurti mashtron.
Qysh është e mundur që, edhe sot, dikush të besojë sadopak se Kurti ndoshta i ka qëllimet e mira, por se fajtorë, në një mënyrë apo në një tjetër, kanë qenë të gjithë ata që kanë provuar të bashkëpunojnë me të?
Sa njerëz duhet t’i përdorë, t’i poshtërojë dhe pastaj t’i hedhë Kurti, që të kuptohet se problemi nuk janë gjithmonë viktimat e radhës?
A duhet Lumiri të japë dorëheqje nga pozita e kryetarit?
Plani i tij për ta shpëtuar LDK-në dhe Kosovën ishte një blof. Me atë blof i mposhti kundërshtarët brenda partisë, por nuk e shpëtoi as partinë, as Kosovën.
E shpëtoi vetëm veten. Për shtatë vota.