Bashkëpunimi Strategjik mes Kosovës dhe Shqipërisë në Përgjigje të Kërcënimeve ndaj Sigurisë Rajonale - NACIONALE

Bashkëpunimi Strategjik mes Kosovës dhe Shqipërisë në Përgjigje të Kërcënimeve ndaj Sigurisë Rajonale

2 javë më parë

nga NACIONALE

Shkruan: Arbër Ahmeti

Në përgjigje të krizave që kanë kapluar kontinentin dhe me rritjen e kërcënimit të agresionit në Ballkan, Shqipëria, Kosova dhe Kroacia nënshkruan një deklaratë të përbashkët për bashkëpunim strategjik në fushën e mbrojtjes. Përderisa deklarata është e natyrës politike dhe nuk prodhon detyrime ligjore, mbetet të shihet se çfarë aranzhimesh dypalëshe dhe trepalëshe do të bëjnë vendet respektive në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.

Në ndërkohë, në një kohë kur agresioni është rikthyer si realitet në Evropë, Kosova dhe Shqipëria duhet ta thellojnë bashkëpunimin ushtarak duke krijuar një brigadë të përbashkët të motorizuar, si nevojë emergjente për të adresuar rrezikun e agresionit ushtarak dhe për t´u angazhuar në shërbim të paqes dhe sigurisë rajonale.

Brigada e përbashkët e motorizuar

Bashkëpunimi ushtarak mes Kosovës dhe Shqipërisë do të mund t´i shtonte arkitekturës së sigurisë në Ballkan edhe një shtresë garancie përmes krijimit të një brigade të përbashkët të motorizuar. Ky formacion duhet të krijohet në bazë të standardeve të NATO-s për të garantuar ndërveprueshmërinë, si dhe të ketë mobilitet dhe gatishmëri të lartë operacionale.

Misioni i brigadës së përbashkët duhet të jetë thellimi i bashkëpunimit mes dy vendeve, kontributi ndaj paqes dhe sigurisë rajonale, si dhe pjesëmarrja në misionet paqeruajtëse të NATO-s dhe BE-së. Ndonëse nuk ka kufizime ligjore që burojnë nga aranzhimet aktuale të mbrojtjes dhe sigurisë në të cilat palët janë ose synojnë të jenë palë, në nivelin politik është e rëndësishme që SHBA dhe vendet kyçe të BE-së ta mbështesin këtë nismë.

Shqipëria, tashmë merr pjesë në një grup luftarak të NATO-s në kuadër të prezencës së forcave të aleancës në pozicione të përparme. Që nga viti 1999, Shqipëria është pjesë e Brigadës së Europës Jug-Lindore të themeluar në kuadër të Iniciativës së Europës Jug-Lindore (SEEBRIG) ku marrin pjesë Shqipëria, Bullgaria, Greqia, Maqedonia e Veriut, Rumania dhe Turqia.

Një model që do të mund të merrej për bazë është ai i Brigadës Franko-Gjermane. Brigada Franko-Gjermane u krijua si projekt dypalësh në vitin 1989 me qëllimin e krijimit të një force të gatshme për të marrë pjesë në misionet e NATO-s, e më vonë edhe të BE-së.

Ajo konsiderohet si modeli prototip i një ushtrie të ardhshme Europiane. Batalioni Tankist 414 është një formacion tjetër i themeluar rishtazi nga Gjermania dhe Holanda si një shembull tjetër i bashkëpunimit ushtarak në Europë.

Ne vitin 2014, Polonia, Lituania, dhe Ukraina formuan Brigadën Trelaterale dhe është një nga iniciativat e rralla bashkëpunuese në Europë ku njëri nga shtetet pjesëmarrëse nuk është shtet anëtar i NATO-s ose BE-së.

Misioni i Brigadës Trelaterale ka qenë edhe pjesëmarrja në misionet paqeruajtëse të NATO-s dhe BE-së, gjë që është e mundshme pasi këto të fundit lejojnë që me marrëveshje të angazhojnë forca kontribuese nga shtete jo-anëtare në misionet e tyre paqeruajtëse.

Pse është e nevojshme brigada e përbashkët?

Themelimi i një brigade të përbashkët të motorizuar mund të bazohet në arsye si strategjike ashtu edhe praktike. Së pari, misioni i brigadës duhet të jetë në vijë me parimet e Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe të shprehë bashkëpunimin mes dy vendeve në shërbim të paqes dhe parandalimit të konflikteve.

Gjithashtu, ajo duhet t´i shërbejë objektivave të përgjithshëm të NATO-s dhe të jetë në vijë me politikat e sigurisë dhe mbrojtjes së BE-së. Kjo do të reflektohej përmes gatishmërisë së Kosovës dhe Shqipërisë të shprehur në misionin e brigadës për të kontribuar në misionet paqeruajtëse të NATO-s apo BE-së.

Së dyti, me thellimin e krizave globale dhe koncentrimin e kapaciteteve të partnerëve tanë në teatra më kritikë, brigada e përbashkët do të ofronte lirimin e kapaciteteve të angazhuara të shteteve të NATO-s dhe BE-së për tu kanalizuar atje ku është më e nevojshme.

Vetë ekzistimi i brigadës do të krijonte lehtësim në rajonin e Europës Jug-Lindore. Pjesëmarrja e saj në misionet paqeruajtëse në Afrikë apo rajone të tjera do të lironte forca të shteteve partnere për tu angazhuar ku është më e nevojshme.

Së treti, ndryshimet e reja tektonike në marrëdhëniet ndërkombëtare krijojnë kushte për tu argumentuar me të drejtë, që aranzhimet e sigurisë rajonale janë më se të nevojshme për të garantuar stabilitetin dhe parandaluar konfliktet. Krijimi i formacioneve të përbashkëta do t´i përgjigjej kërkesave të aleatëve për të ngritur aftësitë dhe kapacitetet vetanake mbrojtëse.

Së katërti, brigada e përbashkët do të shërbente si deterrent ndaj politikave agresive të Serbisë, dhe kërcënimeve të vazhdueshme ushtarake që ajo i bën shteteve fqinje. Brigada e përbashkët do ta balanconte pozicionimin e ushtrisë Serbe në baza të përparme përgjatë kufirit me Kosovën, si dhe do të krijonte një forcë që shpejt do të mund t´i përgjigjej kërcënimeve nga aktorët jo-shtetërorë.

E vendosur në zonat operative në të dy anët e kufirit mes Kosovës dhe Shqipërisë, brigada do të ishte mjaftueshëm afër zonave të nxehta për të reaguar në kohë rekord, duke u bërë komponent i rëndësishëm në mbështetje të KFOR´it nëse është e nevojshme.

Së pesti, Shqipëria dhe Kosova kanë resurse të limituara për ngritjen e kapaciteteve ushtarake. Një brigadë e përbashkët e motorizuar, e pajisur me armatim modern dhe me të gjitha kapacitetet operacionale, do të krijonte një forcë me efekt strategjik në Ballkanin Perëndimor.

Financimi i përbashkët i brigadës së motorizuar, do të lehtësonte barrën buxhetore që bartin të dy vendet për ngritjen e kapaciteteve ushtarake, duke maksimizuar impaktin në garantimin e paqes dhe sigurisë kombëtare e rajonale.

Për fund, brigada e përbashkët e motorizuar duhet të jetë qëllim primar i Kosovës dhe Shqipërisë. Përmes një iniciative të tillë, të dy vendet ulin nivelin e kërcënimeve rajonale, si dhe krijojnë një mekanizëm efektiv deterrence ndaj kërcënimeve ushtarake Serbe dhe influencës Ruse në rajon.

Duke pasur parasysh rastin e Banjskës dhe rritjen e kërcënimit të përdorimit të forcës në Ballkan, themelimi i një brigade të përbashkët të motorizuar është interes strategjik i Kosovës dhe Shqipërisë. Ajo do të ishte instrument shumë i rëndësishëm në funksion të garantimit të paqes, parandalimit të konflikteve si dhe forcimit të stabilitetit rajonal.

Arbër Ahmeti është doktorant në Universitetin e Vjenës dhe bashkëpunëtor i Shkollës së Avancuar të Hulumtimit në Drejtësi dhe Jurisprudencë. Ky shkrim pasqyron pikëpamjet personale të autorit dhe nuk përfaqëson qëndrimet e asnjë institucioni me të cilin ai është i lidhur.

Lajme të ngjashme