Banaliteti i së keqes - NACIONALE

Banaliteti i së keqes

2 muaj më parë

nga Col Mehmeti

Rexhua i fismë një ditë ma shtroi një pyetje cok.

A ma thu nji fjalë të vetme si njani prej vëvëistave të dikurshëm – tha – si u bâ që ndodhi mrekullia thuajse utopike që nji parti 51 përqindshe me e vetëdorëzue pushtetin, ose me u çpushtetizue me vetëdëshirë, ashtu qysh nuk e man men historia?

Ai që nisi si dialog më të, le të vazhdojë edhe këtu me disa rreshta shtesë.

VV-ja është Albin, por Albini nuk është VV.

Ndaj edhe pyetja pse VV-ja e bën këtë ose atë maskarallëk duhet të retushohet.

Gjashtë vite midis gërmadhash të një çmendurie absolute, pyetja e vetme, si ajo e të dëshpëruarit nga jeta para Zotit që s’bëzan, është pse Albini është kaq i përçudtë, kaq i mbrapshtë.

Paradoksaliteti i madh i tij, i theksuar edhe më fort nga popullariteti në nivel kulti, është marrëdhënia e tij thjesht e pamundur me pushtetin.

Ai do të jetë në pushtet, por edhe tutet prej pushtetit, ai do të jetë opozitë, por edhe tutet prej opozitës.

Nëse historia shkoqitet si në një videokasetë të dikurshme, shiriti duhet të kthehet pas në nëntorin e 2024-s.

Kur u bë e ditur administrata e re në Washington, plani origjinal i Albinit ishte që partia e tij të mrizonte e kulloste në opozitë për së paku katër vite.

Ai e bluante në kokë një skenar ku dikush tjetër do ta çonte në vend Zajednicën e detyrimet e Ohrit – skandali jetësor i tij si negociator i keq – dhe njashtu e llogariste që po të ishte në opozitë nuk do t’i binte ndonjë vetëtimë sanksionuese nga Trumpi.

Por kur e pa që Trumpi as nuk dënjonte të merrej me camërdhokë të panjohur, as me Kosovë, as me Ballkan, përveç një Grenelli idhnak që nuk harron e nuk fal, atëherë Kurtit i shkrepi një plan i ri mbijetese.

Ai e kuptoi se mund të qëndronte në pushtet me gjysmë këmbe (siç ishte pjesa më e madhe e 2025-s pa institucione dhe siç ishte gjysmë viti tjetër me një qeveri thuajse inekzistente).

Ndonëse paranoide, intuita e tij shpesh di t’i kapë rreziqet përpara se ta bëjnë gjëmën.

Ai e ndjen tutën reale se po të jetë ai me partinë e vet në opozitë, atëherë sharra e Prokurorisë do të bie prej të parit e deri te çantëmbajtësi a letërpërcjellësi i fundit.

Aq të mëdha janë transgresionet, ligjshkeljet e dhunimet kushtetuese gjatë këtyre gjashtë viteve, sa jeta e ardhshme e VV-së do të jetë ajo mes hetimeve dhe burgut.

Pamjet e Ilir Metës, andej Drinit, do të ishin simbolika parathënëse për VV-në: hyjnë të majmur e arrogantë, dalin të zaiftë e të mumifikuar në fytyrë.

Në gjithçka tani mund të nxirret brum prokurorial për ta.

Kësodore, Albini e kuptoi që më mirë i del hesapi në një gjendje të ndërmjeme, as në pushtet efektivisht e as në opozitë efektivisht, por duke pezulluar në një krizë, në një gjendje të jashtëzakontë.

Vetë Kurti në traktatin e tij alla-Dugin kishte thënë që më 2016 se “ne mund të vijmë në pushtet përmes një gjendje të jashtëzakonshme dhe mund ta mbajmë pushtetin vetëm me një gjendje të jashtëzakonshme”.

Më shqip sesa kaq nuk mund të gjuhësohet banaliteti i së keqes që, për shkak të spindoktorizmit a manipulimit algoritmik, na shitet si strategemë e Kurtit.

Është kjo filozofia e perversionit ku më parë pëlqehet një tërmet, tragjedi a fundbotë sesa një paqe e rahatllëk.

Në paqe kërkohen ide e vizione për të nësermen; në kaos shpesh kërkohen rrenca e aso që kontrabandojnë shpresë tek të pashpresët.

Hesse gjatë Luftës së Parë Botërore e kishte vizatuar këtë botë të sëmurësh mendorë me esetë që flasin kaq domethënshëm që në titull “Blick ins Chaos” (Një dromcë nga kaosi).


Lajme të ngjashme