Asgjë e re nga fronti i Prishtinës
Col Mehmeti
14 tetor 2025 – Më i madhi gjeneral amerikan, Ulysses S. Grant pati thënë se do të bëhej bashkiak i Galenas (vendlindja e tij në Ilionis) vetëm për një arsye.
“Që ta shtroj një trotuar të ri deri te shtëpia ime”, pati thënë ai me plot sinqeritet prej babaxhani.
Pra, komuna a bashkia ka tagër për të bërë vetëm vepra publike.
Në çastin që merr përsipër politika sociale në emër të një bamirësie abstrakte, ajo nuk i bën hesap nevojat e vërteta urbane për rregull, disiplinë hapësinore e lehtësim të mobilitetit ditor.
Nga propozimi i kandidaturës e deri te vizionet qesharake si të një La-La Landi, etablimi i kandidatit të VV-së Hajrulla Çeko si i dyti, me 34,176 vota, përbën paradoksin e madh të Prishtinës.
Ky rezultat ka diçka në kufijtë e surreales.
Ish-kryeministri Albin Kurti e kishte rrasë Hajrulla Çekon në garën për Prishtinën ashtu që ta shkatërronte në një kompeticion që e mendonte të humbur e të pagjasë.
Siç e dëshmon saga e paradovjetshme me Arben Vitinë, kjo ka qenë mënyra klasike e Kurtit për t’i zhvleftësuar brenda partisë.
Ajo që nuk shpjegohet lehtë është sesi mileti i tejradikalizuar, me një dell alla-palestinez, nuk e kuptoi as rrengun e as hajgaren e një ish-kryeministri aventurier të fiksuar në poshtërimin e njerëzve të vet.
Megjithëse ishte nga ato kandidatura që u bënë të njohura pesë minuta para orës dymbëdhjetë, e papritur madje edhe për vetë të propozuarin, kjo nuk e pengoi një pjesë të numërt të sheherlive që ta votonin en masse importin nga Prizreni.
Radha e parë e zgjedhjeve në Prishtinë ka përftuar një hartë tejet të çakërdisur të Prishtinës urbane.
Në 13 vendvotime në pjesën qendrore të bërthamës urbane e pjesërisht edhe në krahun lindor, Çeko doli numerikisht i pari, megjithëse askund me një shkëputje bindëse nga kundërkandidatët.
Në anën tjetër, Përparim Rama del i fituar (edhe ky pa një epërsi bindëse) në 15 qendëvotime që janë të hartëzueshme më fort në Prishtinën veriore e verlindore.
Pati vargëzue dikur Bardhyl Londo:
Vritemi
në një vdekje të ngadaltë.
dhe, oh, zot,
s’arrijmë ta kuptojmë vetëvrasjen tonë.
vjen pastaj një çast.
merr revolverin.
këmbëza
nuk hiqet.
ke vdekur prej kohësh.
i vdekuri nuk vetëvritet.
Rrezikimi i Prishtinës për t’u veshur sërish me korsetin e VV-së është nga ato që do të quheshin “çudira të çudiçme” po ta merrnim veresije një titull shkrimthi nga Petro Nini Luarasi.
Për gjysmë dekade, kryeqyteti kurrënjëherë nuk e pati trajtimin e dinjitetshëm që e meritonte si hapësira rreth të cilës strumbullohen të gjitha dinamikat e vendit – ajo ishte nën rrethim nga vetë Qeveria që ia abortonte secilën nismë dhe e shtypte nën peshën e një ndëshkimi kolektiv përmes mosinvestimeve.
Sadoqë evokohet sikur të ishte një anekdotë, në vitin 2013, brenda Vetëvendosjes, përpara se ta propozonin Shpend Ahmetin, të gjithë shokët e shoqet kishin kërkuar afshërisht që Kurti të ishte propozimi i partisë për Prishtinën.
“Nuk kam nerva me u marrë me shakta e kanalizime”, ishte përgjigjur me përçmim Kurti me nëntekstin se atë e ka shortuar Historia për gjëra të mëdha e kthesëshënuese.
Sot janë të tjera hesape dhe kur skemat malicioze të Kurtit lexohen gabimisht nga mbështetësit e VV-së si projekte serioze, atëherë sigurisht që loja do të zhdrivillohet sipas një seti rregullash të përcaktuara nga vetë regjimi.
Dhe një regjim nuk çrrënjoset kollaj kur është veçse replikë e regjimit të Vuçiqit.
Nuk dëbohet me një të shtyrë një bandë lleftiste që shtetin e ka servis të vetin, që buxhetin publik e përdorë kaçakçe për partinë, që e ka Agjencinë e Spiunazhit si zyre të veten, që e ka televizionin publik organ të vetin…
Një regjim pak e hiç do të çajë kokën për të letërnxirë program qoftë edhe formal.
Sepse zgjedhjeve, ciladoqofshin ato, duhet t’iu qaset me logjikën e regjimit që operon vetëm nëpërmjet sekserëve, dilerëve të votave e dallaverxhinjve.
Ashtu siç i bënte malverizimet dikur, regjimi edhe për këto zgjedhje u udhëhoq nga mënyra sekretive ‘end-to-end encryption’ e të komunikuarit.
Është si ai çifti në një lidhje toksike që luftën e madhe e bën rreth telefonit, duke bërë lloj-lloj marifetesh vetëm e vetëm për të fshehur mesazhe, për të gjetur kanale të padukshme komunikimi.
Andaj, edhe halli i Vetëvendosjes gjithmonë ka qenë për gjetjen e mënyrave të tilla enkriptike për biseda.
Kur Viberit e Whatsappit u doli nami si aplikacione të përgjueshme, në parti, dikush që ishte i zanatit për këso gjëra, propozoi që aplikacioni ‘Signal’ ishte më pak i përgjueshëm.
“Aty, pra, mësyni”, urdhëroi dikur primadona e pushtetit lleftist, Dejona Mihajli, njësoj si para një viti Nasrallahu nafakëprerë i urdhëronte hezbollahët e tij vartës që t’i hidhnin tej smartphonat e t’i përdornin pagers-at.
Pra, pushteti lleftist krijoi një gjuhë të re kodesh e shenjash me anë të cilave i kryente punët e pista, hajnitë e dallaveret. “Eja me kapelë”, i sugjeronte primadona një funksionari të korruptuar që të shkonte i veshur tebdil në takim.
Kësisoj, zgjedhësit në kryeqytet gjatë balotazhit do të kenë përballë një regjim që do të vërë në përdorim një takëm mënyrash e rrengjesh enkriptike ku ‘kapela e kuqe’ shenjëzon ata që i mbivihen ligjit, etikës dhe njerëzillëkut. /Nacionale/