As te Hasa, as te Huma
Nga shpallja e pavarësisë, historia e Kosovës ishte vrap i madh optimist. Më 2014-n, marathonomakun e vranë katër burra në një komplot që u quajt VLAN. Armët, thikat e poshtërsitë që i mbanin nën shallvare u quajtën paketë shpëtimi. 12 vitet pasuese ishin regjim shtrati, ethe, zjarrmi e pashpresë.
***
Një plak mjekërbardhë me moshë nga koha e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit tha: “Ekzistenca e shtetit të Kosovës matet nga trashësia e mureve të ambasadës amerikane dhe numri i stafit të punonjësve të saj.” Kosova e Thaçit, Kosova e një tradite rezistence, vraponte olimpiadash sepse shihte dhe përfytyronte të ardhmen. Kosova e varrit sot mbahet nga miti se është kërthizë e botës, se ka pasuri marramendëse në thellësitë e nëntokës së saj, se e ka këtë dhe e ka atë. Mitet e tilla janë fije kashte në gojën e popujve të dështuar e badihavxhinj.
***
Tregojnë për punën e një bektashiu që qëlloi të falej në xhami. Të tjerët rrotull tij po luteshin me vete “Na jep, Zot, besim”, por ky mërmëriti me vete “Më jep verë, o Zot”. Hoxha e dëgjoi, kërceu si zorra në prush dhe e qortoi pse po lutet për diçka që është gjynah e jo për besim siç bënte xhemati. Bektashiu iu përgjigj qesim “Secili lutet për atë që nuk e ka”. Kur fetë dhe ideologjitë u bënë të fejsbukta, domethënë u zhvendosën në rrjete sociale, ato ishin veçse mungesa e boshësi. Dhe prandaj nuk komandojnë kurrë respekt.
***
Një njeriu të pahajr e të pavyem i qeshi fati dhe në qeverinë e Albinit hyri si nëpunës, kërceu nga pozita në pozitë e përfundoi si këshilltar. Një dashamir e pyeti disi me rrotulla se ç’hajr pati nga ndërrimi i njërës punë me tjetrën. Tha “Mjafton që më figurojnë në CV”. Dhe vërtet më i pavyemi njeri ka më të trashin Curriculum Vitae. Një tjetër halabak, në fakt vetë kryeministri, ka një CV po kaq me rekorde.
***
Pështyjmë midis rruge, e nxjerrim krejt gjirizin gastrointestinal në trotuar pa u skuqur para dhjetëra kalimtarëve që nuk na e kanë borxh këtë hungërimë bishare. Veten e kemi pajisur me një aplikacion moral që na thotë “Ti e ke besimin më të mirë, ti je më i miri, ti vlen, ty të ka hije”. Kjo republikë do të zbrazej nëse banorët nuk do ta kishin këtë aplikacion ku ti je më i miri, dhe tjetri është i shari.
***
Opozita nuk ra zaif pse nuk bëri poterë parlamentare, pse nuk u shtazërua, pse nuk bëri maskarallëqe si Sala në vitet pleqërishte, vitet më aktive të tij. Ajo vdiq kur deputetët menduan se betejat e tyre fitoheshin me halet të huaj, kur mezi prisnin të dilnin nga seancat e të lexonin statuset e atyre që janë disidenca e vërtetë e Qoftëlargut. Kështu, Qoftëlargu u fuqizua sepse gjestet e tij prej budallai nisën të shiheshin si një pushtet i largët që kishte pas vete alamet demiurgësh, specialistësh e magjistarësh modernë.
***
Do të vijë një ditë kur shqiptarët kosovarë do të gjenden të përbuzur edhe brenda vetë ekumenës shqipfolëse. Në këtë zavall ishin dhe janë edhe arabët ‘palestinezë’ të cilët pasi eksportuan ngatërresa e belara në Egjipt, Jordan e Liban mbetën si duda përballë dyersh të mbyllura. Kur turma e bëri mbret majmunin në fronin e zbrazur, ne deshëm ta eksportonim mrekullinë tonë xhungllore. Në Shqipní, për fat të mirë, nuk piu ujë, në Maqedoni, medet, i mori në qafë. Do të vijë dita, pra, kur problemet tona askush nuk do t’i blejë.