Armend Muja nuk është person, ai është gjendje shoqërore
Në vitin 2019 patëm vendosur që të mos e ftonim Armend Mujën në debat në T7, sepse e konsideronim shumë të afërt me PDK-në dhe na duhej ta balanconim panelin.
Kur po përgatiteshim për zgjedhjet e vitit 2019, me Leon (Kërqukin) po e përpilonim edhe një listë të penalistëve për Pressing për zgjedhjet e asaj vjeshte.
Këto janë momente të vështira për secilin medium, marrë parasysh faktin që ai panel duhet të jetë sa më divers, në mënyrë që partitë e mëdha të jenë të përfaqësuara sa më mirë me analistë që janë pak më të afërt me to.
Deri në zgjedhjet e vitit 2021 ka qenë një krizë e madhe për të gjetur mbështetës për LVV-në. Le të themi, Rroni dhe Jusuf Thaçi ishin ndër të rrallët që po e mbështesnin këtë subjekt politik, ende pa e ditur që Vetëvendosja shumë shpejt do ta kapte 50 përqindëshin e paparamendueshëm.
Të dytë këta i patëm rezervuar me kohë, por meqë java ishte e gjatë dhe debatet të shpeshta, na duhej edhe ndonjë analist. U patën përmendur shumë emra, në mesin e të cilëve edhe Armend Muja, por në fund vendosëm që të mos e ftonim. Qëllojani pse? Konstatuam se ishte shumë i afërt me PDK-në. Nuk është ky viti 2010, por viti 2019.
Në atë vit, edhe për hir të balancit, por edhe pse besoja që Kosovës i duhej ndryshim, pata vendosur që politikisht të qëndroja në mes të Vjosës e Albinit, kundër forcave të PAN-it. Sot e kësaj dite shumë njerëz më akuzojnë që e kam sjellë Albinin në pushtet, duke ia dhënë atë mbështetje. Nuk mendoj që e kam bërë një gjë të tillë, ani pse dorën në zemër e pata akomoduar në veturë, si asnjë tjetër më parë, dhe e pata sjellë në studio.
Dëshira ime kishte qenë që LDK me Vjosën t’i fitonte zgjedhjet, kurse koalicioni të bëhej në mes të LDK-së dhe LVV-së, me Vjosën kryeministre. Sot e kësaj dite jam i bindur që do të ndodhte saktësisht kështu sikur LDK t’ia kishte dhënë Vjosës përveç pozitës numër 1 në listë, kandidates për kryeministre, edhe pozitën e kryetares së partisë. Intrigat e brendshme, balancat politike, nuk e mundësuan një gjë të tillë.
LVV e shfrytëzoi në mënyrë të mrekullueshme këtë pasiguri organizative të LDK-së. Gjatë gjithë fushatës LVV tha që Vjosa ishte e mirë, por ishte vetëm kukull e Agim Veliut dhe Lutfi Haziri. Ndonëse LDK po printe në sondazhe, në ditën e fundit një përqindje e njerëzve i besuan LVV-së dhe vendosën që të shkonin me Albinin. Kjo e kishte bërë dallimin. LVV fitoi për pak, që ishte e mjaftueshme që më vonë të fitonin për shumë. Për shumë shumë.
Ai moment kishte qenë, si të themi, momenti i shkëputjes së madhe politike në vendin tonë. Një lloj i tipping point, kur një dallim i vogël në një moment të caktuar e bën dallimin e madh. Historia do të kishte qenë shumë më ndryshe sikur LDK të kishte dalë e para, qoftë edhe për 100 vota. Edhe Armend Muja do të kishte qenë tjetër person. Edhe Armendmujat do të kishin qënë persona të tjerë. Mirëpo, frika e kombinuar me interesat e ngushta personale arritën ta bënin dallimin. Të parët që kërcyen nga anija ishin armendmujat, sepse kështu kishin bërë edhe kur po shihej ardhja e Thaçit në pushtet në vitin 2007, kështu po bënin edhe tash kur po shihej ardhja e Kurtit në pushtet.
Të parët që vullnetarisht i ndryshojnë radikalisht pozicionet politike janë ata që kanë vrima në biografi. Armend Muja, tash si individ, i plotëson të gjithë tick-at. Për më tepër, frymës së LVV-së, strategjikisht, më së shumti i shkonte për shtati kur eksponentët e PAN-it, ata që një kohë kishin kërkuar që kjo lëvizje të shpallej, madje, antikushtetuese, ta kapërcenin gardhin dhe të dilnin në anën e tyre. Këto lëvizje janë më atraktivet për t'u bërë përmbysja e madhe politike.
“Nëse edhe Armend Muja po kalon në LVV, çka kemi ne të tjerët që presim?”, do të mund të pyesnin oportunistët e tjerë që modus operandi e kanë qëndrimin në muri, për t'u hedhur ose në atë anë, ose në këtë anë.
Mos t’i hyjmë në hak vetëm Armendit, sepse brenda këtyre parametrave ishte edhe Mimoza Kusari, prandaj kur po flas për Armendin po flas si dukuri, e jo si individ. Mimoza madje do të futet në histori si politikania që tash frik doli në foltore dhe tha që “edhe kur unë e kam kritikuar Albinin, tash po e shoh që ai e ka pasur mirë, kurse unë gabim”.
Kaq të nënshtruar dhe autokritik për veprimtarinë e tyre, sa Armendi e Mimoza, nuk kishin qenë as Mehmet Shehu dhe Kadri Hazbiu, kur ishin vënë në shënjestër të Enver Hoxhës. Në fakt, ndoshta, po të ishin kaq të butë dhe të thelloheshin kaq shumë në autokritikë, ata edhe do te faleshin.
Mos të harrojmë, që edhe Mimoza e edhe Armendi kishin, ose kanë, edhe më tutje procese të hapura gjyqësore, prandaj sot lexojmë prej tyre muhalife të natyrës “këta e çarmatosën UÇK-në”, siç tha dje Muja. Këtë deklaratë të Mujës nuk duhet ta lexojmë si një deklaratë të një personi, sepse ai nuk është më person, nuk është as fenomen, ai është gjendje shoqërore.