Algoritmi që iu mungon partive opozitare
“Shuj’ mami se ti nuk di” - më tha vajza ime 8 vjeçare derisa dukej krejtësisht e thelluar dhe e mahnitur me veten nga rezultatet që po nxirrte në eksplorimin e programit të kodimit ‘Scratch’ – kur e pyeta se çka po bënte. Ajo më përjashtoi nga mirësjellja që e prisja, bazuar në disa rregulla të lashta prind - fëmijë dhe ma bëri me dije se janë ‘disa algoritma që unë s’i kuptoj, prandaj do të bëja mirë të mos e pengoja’.
Partitë ish-opozitare po veprojnë sikur të ishte, diku viti 2016 i cili prej sot, duket sikur ka kaluar një shekull, marrë parasysh transformimet e hovshme teknologjike.
Ky transformim i madh, vërehet nëse për shembull jeni prind dhe fëmijët tuaj para kompjuterit operojnë me programe të ndryshme që implantohen edhe në Inteligjencën Artificiale dhe kur i pyet se çka po bëjnë, të thonë: “shuj mami, se ti nuk di…”
Kryeministri në detyrë dhe kryetari i VV-së, Albin Kurti, mbajti një fjalim 20 minutësh në Kuvendin e Kosovës, në seancën e cila konsiderohet jokushtetuese, nga shumë njohës të çështjeve kushtetuese. Në të, Kurti foli se qysh demokracia njëmend është procedurë, por që përfaqësuesit e popullit duhet të marrin vendime dhe se qysh procedurat, nganjëherë nuk janë veç ato në letër por edhe ta zëmë, përjashtimi i tyre, në rast nevoje, si tani?!
Megjithëse edhe vetë Kurti e di që kjo nuk ndodh - pra nuk përjashtohen rregullat dhe procedurat kurrë në demokraci, ai përjashtoi edhe një herë krejt ‘korpusin’ e rregullave demokratike, përfshirë atë të mirësjelljes – kur kah përfundimi i fjalimit të tij, ‘vrau’ disa zogj me një gur: i tha opozitës që veç ju jeni të pakënaqur në Kosovë, që ju s’dini të organizoni protesta, po edhe m’e ditë, kurrkush s’ju del në protesta se qytetarët janë të kënaqur me zhvillimin ekonomik në vend. Pra, i paraqiti si një grup (ose grusht) njerëzish, që s’ju përgjigjet askush.
Që kur kanë kaluar gati 24 orë, nga paralajmërimi i një seance të tillë, partitë ish - opozitare janë vetëmjaftuar me ‘algoritmin e njoftimeve për media’ – se nuk do të marrin pjesë në seancë të jashtëligjshme dhe sot, me ndonjë konferencë të shkurtër nëpër hollin e Kuvendit.
Derisa po ndodhnin këto zhvillime, Vetëvendosja e cila nuk ka ende një ‘kauzë’, një ‘rrëfim’ se si do të hyjë në zgjedhje të reja, mungesa e algorimit të partive ish-opozitare, që ta përçojnë mesazhin e tyre (të drejtë) te qytetarët, po e bënte të veten (për mos m’e thënë, kërdinë).
Ende pa përfunduar kjo seancë, VV filloi ta përdorë materialin e saj, që dukej i menduar ekskluzivisht për fushatë elektorale; që këta njerëz (opozita) nuk po e votojnë buxhetin, që këta njerëz na kanë bllokuar, që këta njerëz janë fajtorë për gjithçka.
Dikush mund të thotë se cili ose cilët janë algoritmat që duhet t’i gjejnë ose t’i ndërtojnë partitë ish-opozitare përballë këtyre zhvillimeve, të sotme dhe të pesë viteve të fundit?
Nuk e di saktësisht, por e di që algoritmat e tashme s'po përkojnë me gjendjen. Me punën e algoritmave, s’po mendoj të organziohen fushata linçuese, e dezinforimi, por të gjendet forma më e thjeshtë dhe më e shpejtë e shpjegimit, për të depërtuar te njerëzit për hallet e shkeljeve kushtetuese, për procedurat.