A të flasim pak për dështimin e PDK-së?
Përndryshe, dëshpërimi më i madh në këto zgjedhje, nga kampi opozitar, nuk ishte as LDK, as AAK. Kot merremi me Vjosën, kot e gjykojmë rezultatin e LDK-së, sepse tek e fundit kthimi i Vjosës dha efekt.
Dëshpërimi më i madh ishte PDK.
PDK kurrë kaq pak vota nuk ka marrë. Sikur PDK ta ruante atë votën e vet, le të themi rreth 190-200 mijë, atëherë, për shkak të pjesëmarrjes së ulët në zgjedhje, PDK kish me shku 27-28 për qind, ose mbi 30 deputetë.
Fatkeqësisht, PDK i ka marrë pak më pak se 150 mijë vota. Tepër pak. Rezultat dëshpërues i kësaj partie është shënuar në Mitrovicë dhe Vushtrri, por edhe dalje dëshpëruese në Drenicë.
Kush i ka fajet?
Unë mendoj që janë disa arsye:
Mungesa e shpresës së votuesit të këtij subjekti, që ky subjekt mundet me i fitu zgjedhjet, prandaj me luftu për vend të dytë kurrë nuk është shumë motivuese. Tash e 3-4 palë zgjedhje PDK po lufton vetëm për vend të dytë.
Bedri Hamza, mendoj unë, arriti rezultat të mirë në shkurtin e vitit të kaluar, duke e rikthyer PDK-në te 200 mijë votat e veta. Bedriu ishte zgjidhja më e mirë e mundshme për PDK-në, në atë kohë.
Pastaj ishin zgjedhjet e papritura të dhjetorit, të cilat ishin kurth elektoral, prandaj edhe po e justifikojmë atë rezultat, çfarë ishte, e posaçërisht krahasuar me çfarë ndodhi me LDK-në.
Kurse dje, për dallim prej AAK-së, e cila e ruajti votën, edhe e rriti pak, kur dalja ishte minimale, për dallim prej LDK-së, që e rritën votën me bashkime e ribashkime, PDK, bashkë me LVV-në, humbën vota, sepse nuk ndryshuan.
Aleanca me Fatmir Limajn nuk pati kurrfarë efekti pozitiv. Që të mos themi, ndoshta kishte kundërefekt. Në Malishevë, PDK doli parti e parë, por në Malishevë dalja në zgjedhje ishte më e ulëta në Kosovë, kështu që si votë neto nuk kishte efekt.
Unë e kuptoj që PDK, më shumë se çdo subjekt tjetër, është duke e pritur epilogun e Tribunalit të Hagës. Një fund i lumtur në Hagë e kthen PDK-në në një tigër elektoral. Me Thaçin e Veselin në Kosovë, PDK ka me qenë konkurrent serioz, jo më për vend të dytë, por për vend të parë.
Në ndërkohë, PDK është mirë me i bo edhe do llogari të tjera. Personalisht besoj që e ardhmja e kësaj partie më shumë flet për Uran Ismailin dhe vizionin e tij, se sa për gjeneratën më të vjetër të kësaj partie.
Gjithashtu, nuk kam kurrfarë dyshimi që Bedri Hamza do të ishte më se i lumtur që ta shihte një lidership të ri në parti, që do ta kalonte rezultatin e tij të shkurtit të vitit të kaluar.
Pra, PDK duhet me u taku sot, edhe me e pa realitetin në dritë të syrit. Realiteti nuk është aq i mirë, sa ata mundohen me e paraqitë.