5 momente habie nga intervista te “gazetari normal” - NACIONALE

5 momente habie nga intervista te “gazetari normal”

1 vit më parë

nga Dafina Demaku

Pasi ia mblodhi betë gazetares së KTV-së, që ‘ajo ka me hangër’ rreth stories se Ministria e Pecit ka paguar 66 mijë euro për largimin e mobileve që s’ekzistojnë nga një objekt në Prishtinë dhe kur rrallëherë lutej nga ‘gazetari normal kosovar’ Leart Hoxha që drejtësia ta thotë fjalën e saj (mundësisht për çdo rast), Peci hedh në dyshim sistemin e drejtësisë me fjalitë e Kurtit se Prokuroria ‘do veç filma’.

I. Dinjiteti

Jam i gatshëm me dekë - thotë Faton Peci dhe vazhdon: ‘për ta mbrojtur dinjitetin tim dhe të familjes time’. Këtë, Peci e thotë mu në ditën kur shënohen veç dy ditë nga tri vrasje në Kosovë dhe në natën kur në Prishtinë do të vritej edhe një tjetër.

Dinjitetin – fjalës fatkeqe të cilës ia ka humbur dinjitetin komentuesi analfabet i rrjeteve sociale, që si gjykatës a prokuror kërkon ‘arsye’ dhe ‘motiv’ për çdo vrasje që ndodh në vend, e ngrit si arsye dhe motiv për vdekje edhe një ish ministër, në një intervistë televizive.

II. Korrupsioni

Tha se ai udhëheq sot më ministrinë më transparente në vend, pavarësisht që kur i mori çelësat e saj, i mori çelësat e një shtëpie më të korruptuarën në vend.

“Prej institucionit më të korruptumë jemi institucioni ma transparent në katër vitet e fundit” – thotë Peci.

Duke qenë se nga institucioni më i korruptuar, rendi e donte që dikë nga të korruptuarit ta shihnim me pranga në duar duke dalë prej tij, Peci më pas nuk arrin ta gjejë një qëndrim sa do pak stabil për t’i qëndruar pas konstatimit të tij.

E para: ai thotë se sa për të, prej Blerandit (Stavilecit) si ish-ministër i Bujqësisë e deri te ministri i fundit para Pecit, beson se do të duhej të ishin në burg (për sic thotë, prona të tjetërsuara të Ministrisë së Bujqësisë në vlerë prej 500 milionë euro).

E dyta; ai s’arrin ta mbajë këtë qëndrim, as deri te fjalia e dytë, duke qenë se ia behë me fjalinë më poshtë:

Të dënumë ka, me logjikën e funksionimit shtetëror jo domosdoshmërit çojnë deri te ministri”.

Peci i do të gjithë ish-minsitrat në burg (sic: prej Blerandit e këndej), por mandej, i bie në mend që ‘jo domosdoshërmisht ‘krimet’ shkojnë deri te ministri’). E çka me këtë deklaratë? Kurrgjë, kurkujt

III. Imitimi i Kurtit në mosbesimin ndaj drejtësisë

Po bëjnë filma. Fjalia e njohur dhe e përdorur nga kryeministri Albin Kurti, për të mos iu përgjigjur ftesës së Prokurorisë disa herë radhazi, me arsyetimin se prokuroria po ‘do me bë filma’, është imitimi i 100% që ia bën Peci në rastin e vetë.

Pasi ia mblodhi betë gazetares së KTV-së, që ‘ajo ka me hangër’ rreth stories se Ministria e Pecit ka paguar 66 mijë euro për largimin e mobileve që s’ekzistojnë nga një objekt në Prishtinë dhe kur rrallëherë lutej nga ‘gazetari normal kosovar’ Leart Hoxha që drejtësia ta thotë fjalën e saj (mundësisht për çdo rast), Peci hedhte në dyshim sistemin e drejtësisë me fjalitë e Kurtit se Prokuroria ‘do filma’.

Dhe për ta forcuar mosbesimin në çdo mekanizëm të drejtësisë, ose trupi vetërregullues në Kosovë, ai thotë:

“Çka është ajo KMSh (K)? Ani mirë që janë, Zoti i ruajtë” – nuk denjonte kështu Peci t’ia thoshte edhe K-në e fundit, Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës, gjoja sikur s’e dinte ose s’po i kujtohet për momentin dhe për t’ia zbehur rolin – sado pak të vogël që mund ta ketë si mekanizëm vetërregullues i medias në Kosovë.

IV. Mediat

Ministria e Bujqësisë është e korruptuar, derisa Peci erdhi aty. Mediat janë kriminale. Lirim Mehmetaj është kriminel – formulonte lloj-lloj fjalish që karakterizoheshin kryesisht me fjalën ‘krim’ dhe ‘kriminel’.

Në heshtjen zhurmuese, qëndronte i paepur ‘gazetari normal’ Leart Hoxha dhe ndërhyrjet e tij në formë lutjeje që ‘drejtësia me thënë fjalën e saj’, më sikur s’bënin punë.

“Ti si gazetar normal...” – i thotë Peci, Hoxhës – edhe kur ky i fundit provon ta sfidojë me diçka dhe pas kësaj fjalie dukej si i mbështetur për muri. [Në të kundërtën, supozojmë se do të duhej të reagonte, qoftë edhe vetëm për një koleg të tij normal – n’e pastë diku në Kosovë ]

V. Mobilet dhe bijat

I gjithë ky lëmsh, të paktën së fundmi - nisi nga një kronikë e KTV-së, ku media raportoi se Ministria e Bujqësisë, ka paguar 66 mijë euro për largimin e mobileve që nuk ekzistojnë në një objekt që njihet si ‘objekti i AAK-së’.

Për ta demantuar atë që Peci e quan shpifje dhe raportimin për të cilin ‘gazetarja e KTV-së ka me hangër’ – Peci numëron një seri gjërash tjera që na paska ky projekt mbi 60 mijë euro dhe ky s’paska qenë veç për mobile, ok?

Sepse, lexoni mirë çfarë punësh duhet të kryhen tjetër aty (numëron Peci):

“...demolimet, largimi i dritareve, furnizimi i dritareve, pastrimi, largimi i mbeturinave edhe largimi i inventarit sipas kontratës nga vendi i ngjarjes”.

“Krejt atë veprim e kanë ndërmarrë zyrtarët e administratës, le të hetohen” – thotë Peci që udhëheq Ministrinë më transparente dhe llogaridhënëse – sipas tij.

Dhe një fjali që na la gojëhapur rreth skandalit të subvencioneve për familjarë deputetësh, Peci e tha si vijon:

“Ministria e Bujqësisë për 30 mijë fermerë në baza vjetore e 120 mijë për katër vite, kërkun nuk kërkohet lista e bijave. Listën e bijave nuk e kërkon kurrkush, se kand e ke motër, kand dajë”.

Lajme të ngjashme