Zyrapi: Shtabi i Përgjithshëm s’ka arritur t’i plotësojë të gjitha kapacitetet e nevojshme
Duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtjes së Krasniqit përmes avokates Venkateswari Alagnedra, dëshmitari tha se Shtabi i Përgjithshëm nuk ka arritur t’i plotësojë kapacitetet e nevojshme gjatë luftës, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Në përgjithësi, drejtoritë edhe në këtë kohë kanë qenë jo të plotesume, jo veç njona, dy e tri po asnjona. Shtabi nuk ka arritur t’i plotëson të gjitha kapacitetet e nevojshme për këtë Shtab. Kemi shku me ato çka kemi pasur, me çka kemi qenë në dispozicione e që kemi mujtë të punojmë”, tha Zyrapi.
Dëshmitari tha se sa i takon informimit në struktura është bërë gjatë takimeve duke shtuar se ata nuk kanë mundur që t’i profesionalizojnë të gjitha sektorët.
“Informimi zakonisht në atë kohë ka qenë siç e ceka edhe më herët siç shifet edhe në mbajtjen e takimeve, gjithnjë me problemet e furnizimit, resurseve e të gjithave që nevojitet. Në fakt, në normale përveç kësaj duhet të jetë edhe aspekti i profesionalizimit të këtyre drejtorive. Kur them profesionalizimit është edhe pjesa e trajnimeve dhe aftësimeve të njësive edhe më poshtë të këtyre sektorëve. Po, ne nuk kemi arritur të gjitha këto t’i bëjmë. Ne vetëm disa sektorë kemi mujtë t’i arrisimi, t’i përgatisim një pjesë të këtyre drejtimeve, por të gjitha jo”, tha ai.