Zjarr i madh e të shtëna me armë në burgun e disidentëve politikë në Iran - NACIONALE

Zjarr i madh e të shtëna me armë në burgun e disidentëve politikë në Iran

3 vjet më parë

nga Miranda Shala

Në mediat sociale janë shpërndarë video të shumta që tregojnë një zjarr të madh dhe tym duke dalë nga burgu Evin në veri të Teheranit.

Sipas medias shtetërore iraniane IRNA, një zyrtar iranian i sigurisë ka thënë se disa “banditë” i kanë vënë zjarrin magazinës së veshjeve të burgut, gjë që ka bërë që zjarri të shpërndahet edhe më tej.

Burgu Evin i Teheranit është një objekt famëkeq ku regjimi burgos disidentët politikë.

Duke cituar IRNA-n, CNN raporton se zyrtari i sigurisë ka bërë të ditur se “situata në burg është nën kontroll ndërsa zjarrfikësit po shuajnë zjarrin”.

Ndërkohë, në të gjitha qytete e Iranit janë duke vazhduar protestat të udhëhequra nga vajza dhe gra pas vdekjes së Mahsa Aminit në paraburgim.

Në shtator, 22-vjeçarja Mahsa Amini vdiq pasi u ndalua nga policia morale e vendit për dyshimin se nuk e mbante hixhabin siç duhet. E që atëherë, autoritetet iraniane nisën një goditje brutale ndaj demonstruesve, të cilët janë bashkuar me një sërë ankesash ndaj regjimit autoritar të vendit.

Sipas një raporti të Amnesty International, dëshmitarë të shumtë kanë treguar se kanë parë forcat iraniane të sigurisë duke rrahur, qëlluar e arrestuar studentë në Universitetin Sharif të Teheranit.

Në raport, po ashtu thuhet se në 10 ditët e fundit të shtatorit, gjatë protestave forcat e sigurisë kanë vrarë të paktën 23 fëmijë.

Ndërsa, në fillim të kësaj jave, një zyrtar iranian gjithashtu ka pranuar se nxënësit e shkollave që u bashkohen protestave në rrugë janë duke u ndaluar dhe po dërgohen në institucione psikiatrike.

Lajme të ngjashme