Zgjerohen hetimet për BKS-në: 69 të pandehur, ngrihen 35 prona dhe 21 llogari bankare - NACIONALE

Zgjerohen hetimet për BKS-në: 69 të pandehur, ngrihen 35 prona dhe 21 llogari bankare

3 orë më parë

nga NACIONALE

Prokuroria Themelore në Prizren ka zgjeruar hetimet për rastin e dyshimeve për keqpërdorime në Byronë Kosovare të Sigurimeve, duke përfshirë edhe 21 persona të tjerë.

Me zgjerimin e hetimeve, numri i përgjithshëm i të pandehurve në këtë rast ka arritur në 69.

Sipas Prokurorisë, 21 personat e rinj nën hetim, punëtorë të BKS-së, dyshohen për veprën penale “Keqpërdorimi i besimit në ndihmë”.

Ata dyshohet se kanë mundësuar ose marrë pjesë në bartjen dhe përfitimin e shumave pa mbulesë, nga 2 mijë deri në 53 mijë euro për person.

Prokuroria vlerëson se nga këto veprime është shkaktuar një dëm shtesë prej rreth 200 mijë eurosh.

Në kuadër të hetimit financiar, autoritetet kanë sekuestruar dhe ngrirë 35 prona, përfshirë parcela, banesa dhe njësi garazhuese të lidhura me tre të pandehur kryesorë.

Po ashtu, janë ngrirë 21 llogari bankare të personave të dyshuar.

Dëmi fillestar në këtë rast ishte vlerësuar në rreth 1 milion e 43 mijë euro, ndërsa me zgjerimin e hetimeve është evidentuar edhe dëmi shtesë prej rreth 200 mijë eurosh.

Prokuroria dhe Policia kanë bërë të ditur se hetimet do të vazhdojnë për zbardhjen e plotë të rastit dhe përcaktimin e përgjegjësisë penale.

Lajme të ngjashme