Zemaj: VV po e faktorizon Listën Serbe, nuk ka konstituim të pjesshëm të Kuvendit - NACIONALE

Zemaj: VV po e faktorizon Listën Serbe, nuk ka konstituim të pjesshëm të Kuvendit

10 muaj më parë

nga NACIONALE

Anëtari i kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe deputeti, Armend Zemaj, ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se po i krijon hapësirë të madhe Listës Serbe, duke komentuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese mbi konstituimin e Kuvendit.

Gjykata Kushtetuese vendosi se Kuvendi i Kosovës nuk mund të konstituohet pa zgjedhjen e nënkryetarit që i përket komunitetit serb, çështje që ka krijuar tension politik para seancës konstituive.

Në një deklaratë për RTV21, Zemaj tha se vendimi i Gjykatës ishte i pritshëm dhe në përputhje me kushtetutën dhe procedurën kuvendore.

"Vendimi ka qenë i pritur jo vetëm për LDK-në por për atë çka thotë kushtetuta dhe procedura kuvendore. Nuk ka konstituim të Kuvendit në mënyrë parciale. Ose konstituohet i plotë ose duhet pritur afatet kushtetuese," tha Zemaj.

Ai shtoi se LDK-ja do të shqyrtojë vendimin e plotë të Gjykatës pasi të publikohet, para se të vendosë për veprimet e saj në seancën konstituive.

"Ne s'mund të supozojmë si do të veprojmë, ta shohim vendimin e plotë kur të publikohet nëse ka diçka që është interferim ndryshe në kuptimin e procedurës kuvendore," theksoi ai.

Megjithatë, deputeti i LDK-së ishte kritik ndaj qëndrimit të Lëvizjes Vetëvendosje në këtë çështje, duke e akuzuar partinë në pushtet se po i jep rol të tepruar Listës Serbe.

"Për neve si LDK është e papranueshme mënyra e kësaj sjellje të LVV-së duke i dhënë hapësirë shumë të madh Listës Serbe pse duke tentuar ta faktorizojë atë," tha Zemaj për RTV21.

Zemaj nuk specifikoi se si do të veprojë LDK-ja konkretisht në seancën konstituive, por qëndrimi i tij lë të kuptohet se partia e tij insiston në zgjedhjen e të gjithë nënkryetarëve të Kuvendit, përfshirë edhe atë serb, para se të mund të kalohet në konstituimin e plotë të legjislativit.

Lajme të ngjashme