Vuçiq flet për takimin e djeshëm në Bruksel: ShBA-ja dhe BE-ja po duan një zgjidhje, ndoshta jo një që na përshtatet
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq e ka cilësuar “si shumë të vështirë” situatën, derisa komentoi takimin e mbajtur të martën në Bruksel për çështjen e dinarit.
Sipas “Kosovo-Online”, Vuçiq ka deklaruar se BE-ja dhe ShBA-të duan një zgjidhje që “populli serb të vazhdojë jetën në mënyrë normale”.
“Ne e dimë që situata është shumë e vështirë dhe po bëjmë çfarë po mundemi. Tani duket që evropianët dhe amerikanët duan një zgjidhje, ndoshta jo një që na përshtatet, por aq sa populli të vazhdojë jetën në mënyrë normale. Unë besoj që do të menaxhojmë gjetjen e një zgjidhje në ditët në vijim, por dje ka qenë e qartë që Kurti dhe Osmani nuk duan në asnjë mënyrë një marrëveshje.” – citohet të ketë thënë ai.
Ndryshe, deri me tani askush nga Qeveria e Kosovës nuk e ka komentuar takimin e parë për dinarin.
As kryeministri Albin Kurti dhe as kryenegociatori Besnik Bislimi, që më herët kishin deklaruar se kjo çështje nuk do të diskutohet në Bruksel, nuk e kanë thënë asnjë fjalë për takimin e parë për çështjen e dinarit.
Ndërkaq, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kërkuar nga Kosova dhe Serbia vazhdimin e procesit të dialogut për çështjen e dinarit.