Vrasja e mësueses në Prishtinë, nxënësit e shkollës 'Dardania' ndezin qirinj në kujtim të saj - NACIONALE

Vrasja e mësueses në Prishtinë, nxënësit e shkollës 'Dardania' ndezin qirinj në kujtim të saj

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Nxënësit e shkollës “Dardania” në Prishtinë, kanë ndezur qirinj në kujtim të mësueses, Sadie Godeni, e cila dyshohet se u vra me sëpatë, nga bashkëshorti i saj, Izet Godeni.

Në fotografitë më poshtë, që i ka siguruar gazeta Nacionale, shihet se janë ndezur qirinj në kujtim të 63 vjeçares.

Prokuroria e konfirmoi vrasjen e 63 vjeçares, ndërsa siç u raportua, ngjarja makabre ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të së premtes.

Megjithatë, ende nuk dihet motivi i kësaj vrasjeje, sipas prokurorisë.

“Aktualisht, nga hetimet fillestare nuk dihet motivi i kryerjes së këtij akti, derisa Prokurori i Shtetit, brenda afatit ligjor do të ushtrojë kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit, si dhe në koordinim me policinë do të vazhdojë ndërmarrja e veprimeve hetimore për t’i sqaruar në plotëni rrethanat e këtij rasti”, thanë nga prokuroria.

Çfarë raportoi Nacionale për rastin?

Të shtunën e 26 nëntorit, Sadije Godeni kishte planifikuar që të nisej për një shëtitje për në Pogradec me kolegët e saj të shkollës "Dardania" të Prishtinës, aty ku ajo punonte qe 28 vjet si mësuese e gjeografisë. Por shëtitjen me kolegët nuk e bëri 63-vjeçarja.

Fatin, zonja Sadije e pati të tmerrshëm. Ajo u gjet e vrarë me sëpatë mëngjesin e së premtes në shtëpinë ku ajo jetonte vetëm me bashkëshortin, në rrugën "Mark Isaku" të kryeqytetit. I dyshuari për këtë rast është burri i saj 70-vjeçar, Izet Godeni. Nacionale jua sjell hollësitë për këtë rast.

Kishte 28 vjet që jepte mësim në shkollën fillore "Dardania" të Prishtinës. Arsimtarja e gjeografisë, Sadije Godeni, asnjëherë nuk kishte munguar në procesin mësimor.

Mungesa e saj e vetme qe të premten. Por kjo mungesë nuk u bë me dëshirën e saj.

Mësuesja e gjeografisë, 63-vjecarja Sadije Godeni, u gjet e vrarë mizorisht në shtëpinë ku jetonte me burrin e saj 70-vjeçar. E i dyshuari për vrasjen e mësueses, është pikërisht burri i saj, Izeti. Ky u vetëdorëzua sot në polici).

Lajme të ngjashme